Kryesore

Për një debat publik të frytshëm mbi pandeminë

               Publikuar në : 09:19 - 07/05/20 Klementin Mile

Klementin Mile

Debati publik për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia virale ka qenë i keqorientuar ose i paorientuar.

Kjo për shkak se ky debat është zhvilluar në terrenin tejet abstrakt të parimeve, ose në terrenin tejet konkret të halleve të grupeve dhe individëve të ndryshëm.

Gjithmonë ka munguar ajo hallka që duhet për të lidhur abstrakten me konkreten; në mungesë të saj, debatuesit janë shfaqur ose si “idealistë patetikë të pashërueshëm” ose si “interesaxhinj gjakftohtë që nuk duan t’ia dinë për të tjerët”.

Sigurisht, ky karakterizim me këto terma i debatuesve dhe i debatit publik për menaxhimin e pandemisë, është i papërshtatshëm; e megjithatë, ai dëshmon se debatit publik i mungon dimensioni për të lidhur, në mënyrë normale dhe racionale, idealin me interesin.

Ne nuk mund të dalim nga situata ku ndodhemi duke shkelur mbi idealet tona; por gjithashtu nuk mund të dalim prej saj duke injoruar interesat: e vetmja mënyrë racionale për ta menaxhuar situatën është përmes idealeve të interesuara.

Për sit.uatën ku ndodhemi, kjo do të thotë që të heqim dorën nga kundërvënia e dy nocioneve të ndryshme të njeriut: si homo sapiens dhe si homo economicus.

Palët në debat, duke e marrë të mirëqenë këtë dallim konceptual, pozicionohen për të shpëtuar njërin në kurriz të tjetrit, homo sapiens ose homo economicus; pra të shpëtojmë jetën apo ekonominë.

Sikur pa jetë mund të kishte ekonomi!

Sikur pa ekonomi mund të kishte jetë!

Absurditeti i këtyre konkluzioneve është dëshmi e qartë se debatit publik i mungon pikërisht ajo hallka për të lidhur idealin me interesin.

Kjo hallkë është teoria sociale.

Teoricieni social më i shquar i kohës sonë, gjermani Niklas Luhmann, në librin e tij “Sistemet Sociale” shkruan se asnjë sistem i shoqërisë nuk mund të përparojë aq shumë sa të humbasë kontaktin me të tjerët.

Kjo do të thotë se jo vetëm që nuk duhet t’i japim prioritet absolut sistemit shëndetësor duke sakrifikuar për hir të tij ekonominë, arsimin, sportin, fenë, masmedian etj, por as nuk mundet ta bëjmë dot këtë pa e shkatërruar totalisht shoqërinë.

E njëjta gjë vlen dhe për sistemin ekonomik dhe çdo sistem tjetër të shoqërisë – asnjëri prej tyre nuk duhet të marrë prioritet absolut duke sakrifikuar të tjerët.

Dilemat që ngrihen sot për të hapur apo jo aktivitetin ekonomik, për të hapur apo jo shkollat dhe universitetet, për të hapur apo jo kishat dhe xhamitë, duhen adresuar nisur nga ky parim: zgjidhja duhet të jetë e balancuar.

Kjo do të thotë se duhen marrë në konsideratë njëlloj të gjitha interesat sistemike, jo sikundër bëhet sot nga i ashtuquajturi “Komiteti i Ekspertëve”, i cili, mesa duket merr në konsideratë dhe peshon interesat individuale dhe të grupore, duke neglizhuar perspektivën funksionale sistemike.

Ky parim balancimi sistemik është zgjidhja e vetme racionale për situatën e krijuar nga pandemia; alternativat e tjera zhbalancuese, të cilat i japin prioritet ekskluziv shëndetit, ose fesë, ose arsimit, ose ekonomisë, vetëm mund të sjellin shkatërrimin sistemik dhe strukturor të shoqërisë sonë. /Gazeta Liberale

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back