Letërsi

Për mjeshtërinë e të qeshurit dhe lloje të tjera hallesh

Shkruar nga Liberale

Loer Kume

Është sublimim i inteligjencës njerëzore të bërit humor, është çelje e shpirtit, hapje e tërë llojeve të çakrave dhe shkrirje e njeriut me energjinë universale, kur një njeri qesh me të vërtetë. Kur një foshnje qesh, gjë që nuk mund të vihet në dyshim (e qeshura e fëmijëve dua të them) sipas Piter Pan, lind një zanë. Gjithashtu, vënia në funksion e muskujve, një e qeshur e shëndetshme dhe e vërtetë vë dhe vihet në funskion nga dy muskuj, zigomatiku, përgjegjës për gojën, dhe orbicularis oçuli, përgjegjës për sytë, ndaj kur njeriu qesh vërtet, hapet krejtësisht ndaj botës, e qesh edhe me sy.

“Komikja nuk ekziston jashtë asaj që është thelbësisht njerëzore”, thotë Bergson në essenë e tij ‘E qeshura’.

Nuk dua këtu të analizoj shkaqet, mënyrat dhe format e të qeshurit dhe humorit. Por dua të theksoj aftësinë e njeriut për të bërë humor, dhe për të lexuar humor.

Jo çdo njeri di të bëjë për të qeshur në mënyrë të përgjithshme. Shumë pak njerëz kanë aftësinë të jenë humoristikë. Ata kanë të lindur apo të zhvilluar aftësinë për të zbuluar atë që thelbësisht, njerëzishëm është qesharake dhe komike në ngjarje, tipare apo dinamika të ndryshme njerëzore, dhe këtë ndjeshmëri dinë ta transmetojnë te sa me shumë njerëz.

Gjithkush nga ne ka batuta dhe humor, por kjo nuk i funksionon me këdo; funksionon vetëm kur kanalet mes njerëzve hapen dhe të kuptuarit është i garantuar.

Thënë këto, kuptojmë se arti i humorit nuk është gjëja më e thjeshtë në këtë botën artistike ku notojmë.

Dhe sipas meje, nuk ka art më të vështirë, nuk ka krijim më të komplikuar, më neurologjik, më fantazioz, më mjeshtëror, se rrëfimi humoristik. Në tërë leximet e mia, librat që vërtet të bëjnë për të qeshur janë të rrallë sa numërohen me gishtat e dorës, dhe mund t’i them shumicën e tyre me tituj dhe rrethana leximi. Mund të kujtoj fare mirë të qeshurat nga Urmeli që mbiu nga akujt. Nga Epika e kapiten Vrungelit. Nga Don Kishoti.

Nga faqe të caktuara të Shvejkut. Dhe duke kuptuar fare mirë, e kjo askujt nuk i shpëton, ku humori është skematik, edhe pse qesharak, dhe ku humori është i shëndetshëm. Dhe pa dyshim, dua t’i dedikoj pjesën e parë të këtij shkrimi, humorit të parezistueshëm të disa librave që kam lexuar si i rritur, për të rritur. Zonja Vdekje, e Bukowski. Një humor beat, rrethanor, spontan, ku njeriu është rob i rrethanave tragjikomike. Ku fati e merr përpara, e rrokullis si një cowboy endacak. Humor të tillë e gjejmë shpesh nëpër letërsinë Beat dhe post Beat, madje nuk do ta thoja Beat, sepse rrethanat e personazheve të asaj lloj letërsie janë tragjikë në thelbin e tyre, ndërsa Zonja Vdekje e Bukowsi apo romane të caktuara te Philip K. Dick, janë vepra me humor në situata e lëvizje.

Do vë theksin, mbi dy vepra thellësisht humoristike. Dy libra me të cilët kam qeshur vërtet, aty, ulur, duke lexuar vetëm, me veten time, gati duke folur me vete, ashtu si çdo e qeshur ka një grimcë çmendurie brenda. Im ungj Oswald, i Roald Dahl. I vetmi libër për të rritur i Roald Dahl. Dhe Asnjë Lajm nga Gurbi, i Eduardo Mendoza. Dy libra situatash, fare të ndryshëm nga njëri-tjetri, i pari flet për një xhaxha që gjen një pluhur çudibërës afrodiziak në Afrikë, dhe e sjell dhe e fut në lloj-lloj situatash përmes udhëtimeve e takimeve me personazhet më të spikatura te Europës. Një aftësi, fantazi gjeniale e Roald Dahl, një njohje unike e personazheve, dhe sjellja humoristike vjen përmes groteskut të sjelljeve të personazheve historike në një rrethanë të caktuar.

I dyti, është një gjenialitet më vete. Gurbi është një alien i rënë rastësisht në Barcelonë, humbur e kamufluar mes njerëzve, duke dhënë njëkohësisht tëhuajësimin e Gurbit me sjelljet njerëzore, dhe përpjekjen e tij për t’u përshtatur mekanikisht. Dhe përmes këtyre dy mekanizmave, duke bërë një analizë fenomenale të Barcelonës, katalanasve, dhe rracës njerëzore në përgjithësi. Të dy këta libra janë kampionë të humoristikes, të të bërit të qeshësh me lot, dhe unë adhuroj e admiroj mekanizmat, trurin, gjenialitetin e autorëve që dinë të të bëjnë të qeshësh. Sidomos vetëm, me një libër në dorë. Gjenialiteti i të bërit të qeshësh me letërsi, krijimin artistik më serioz dhe cerebral të njeriut.

Nuk dua të harroj dhe një autor shqiptar, qofsha i gabuar, por në dijeninë time, i vetmi që më ka bërë të qesh me letërsi, me pakëz grimca e situata, që është Kadare, me Kronikë në gur, Çështje të Marrëzisë, Breznitë e Hankonatëve. Pra, me ciklin e Gjirokastrës. Kështu, pjesa e parë e shkrimit është adhurim për autorët që na bëjnë të qeshim.

Shkrimi i sotëm është gjithashtu i nxitur nga një vëmendje dhe spikatje e leximeve të mia të rastësishme (rastësia ishte thelbi i natyrës së qetë të shkrimit të kaluar, e kam vënë re prej disa kohësh një lidhje të rastësishme të shkrimit paraardhës me atë që e pason) të dy librave rresht, pa ndonjë qëllim të caktuar leximi. Nuk është shkrim thellësisht analizues dhe as shkrim pyetës, por konstatues.

Në listën time të librave, pa e ditur se ç’mbanin brenda, lexova rresht Misteri i Kriptit të magjepsur, te Eduardo Mendoza, dhe Ankthi i portierit para penalltisë, i Peter Handke. Rastësia donte që të dy këta libra të kenë në qendër personazhe kryesore me probleme mendore. Të dy leximet janë gjeniale. Të dyja mënyrat e shkrimit, metikuloze, detajiste, thellësisht zhytur në devijancën mendore të personazheve. Por, vijmë te e qeshura, te emocioni i shëndetshëm, pozitiv, ndjesia që të lë një lexim; në librin e Mendozës, personazhi është trajtuar me humor, me lehtësi, si një re që lëviz kuturu nga era, ndërsa në librin e Handke, personazhi është një gur i rëndë frymëmarrës, që të le ndjesi të keqe pështjelluese. Handke tregohet një përshkrues, një analizues unik, detajist, futet në kafkën e personazhit dhe ecën përmes trurit të tij. Mendoza bën të njëjtën gjë, duke folur e vepruar si një skicofren tipik. Por diferenca mes dy autoreve është humori.

Mendoza është një mjeshtër i rrallë, si duket një traditë iberike kjo, i humorit më të hollë, me të cilin përqasem për herë të dytë pas Gurbit. Ti qesh, mendon, habitesh si mund të futet në lëkurën e personazhit në këtë menyrë, dhe habia është e shumëfishtë, sepse mua si autor është e vetmja aftësi që më bën zili - letërsi që përtej tragjikes, të bën për të qeshur.

Ndërsa Handke është serioz. I rëndë. Frymëmarrës. Stresues. Leximi i tij, edhe pse kupton që po flasim për një autor të madh në çdo faqe të shkruar, leximi i tij të streson, të fut një gjendje sikleti, dhe të pështjellon energjinë personale.

Përse na duhet ne të mësojmë për një të çmendur në formën e personazhit te Handke? Përveçse për show off të vetë mendjes gjeniale (nuk duhet humbur kurrë rasti për të thënë, edhe të çmendur, siç e dimë tashmë) të Handke?

Personalisht preferoj Mendozën, autorët e mbrujtur me zgjuarsinë e humorit; preferoj gjeninë plot dritë të gëzuar të shpërfaqjes së tragjedisë së ekzistencës njerëzore me aftësinë më domethënëse të trurit njerëzor, të qeshurën. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH