Aktualitet

Për mentalitetin komunist në sistemin kapitalist

Shkruar nga Liberale
Për mentalitetin komunist në sistemin kapitalist

Alfred Peza

Megjithëse po mbushen plot 30 vjet nga shembja e komunizmit në Shqipëri, mbizotëron ende një kulturë antisistem, që mban gjallë mentalitetin e së shkuarës. Gjeneratori që e ushqen politikisht këtë kulturë moniste në pluralizëm, është fatkeqësisht opozita e djathtë, e cila duhet të ishte e kundërta; simboli më përfaqësues i sistemit të ri ekonomik dhe përçuese e vlerave dhe filozofisë së saj.

Duke dashur që të godasin mazhorancën qeverisëse, PD dhe aleatët e saj e kanë më të thjeshtë që të përqafojnë mendësinë populiste, sesa ti tregojnë qytetarëve realitetin e sistemit të ekonomisë së tregut. Në vend që të ofrojnë një alternativë qeverisëse të bazuar në ligjësitë e kapitalizmit, me shpresën se do e bëjnë popullin me vete, janë rreshtuar gjithmonë në anën e gabuar të historisë postkomuniste.

Në vend që ta kritikojnë qeverinë nga pozita e saj si rregullatore dhe arbitër për të garantuar barazi e pozita të njëjta për të gjithë aktorët në tregun e lirë, opozita ushqen zërat që ende bartin kulturën e një shteti të centralizuar dhe të një ekonomie të komanduar e cila është shembur prej një brezi.

Mjafton të dëgjosh liderët, politikanët, deputetët, specialistët, ekpsertët dhe aktivistët e opozitës këto ditë në debatin rreth çmimit të bukës dhe krizës së energjisë elektrike, për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë. Për çdo gjë akuzojnë qeverinë, jo se duan të kontribuojnë në zgjidhjen sa më të mirë të situatave, por thjeshtë se besojnë që kështu do kultivojnë pakënaqësinë popullore kundër qeverisë socialiste.

Askush prej përfaqësuesve të opozitës së djathtë, që presupozohet se janë flamurmbajtësit e vlerave të demokracisë liberale, nuk u thotë se edhe gruri, edhe mielli e për rrjedhojë edhe buka, edhe energjia elektrike, edhe nafta, edhe gazi, edhe benzina…, janë mallra burse. Çmimi i tyre nuk përcaktohej nga Sali Berisha dje, as nga Edi Rama sot e as nga Lulzim Basha nesër nëse bëhet Kryeministër. Jo.

Në ekonominë e tregut të lirë të cilën e kemi përqafuar të gjithë sëbashku këtu e tri dekada më parë, çmimet e tyre sikundër të çdo malli tjetër, përcaktohen nga kërkesë- oferta. Ashtu siç përcaktohen nga ligjësitë e ekonomisë së tregut edhe çmimi i domateve, djathit, vezës, makaronave, vajit dhe çdo malli tjetër që shitet e blihet në tregun e lirë.

Ajo që bën qeveria, ajo që bën mazhoranca, ajo që bën shteti, ajo që bëjnë institucionet e tyre janë politikat në mbrojtje të konsumatorit. Në mbrojtje të qytetarit. Në mënyrë që ata ti marin mallrat jetike me rëndësi strategjike dhe në disa raste edhe ato të shportës së konsumit bazë, me çmime sa më të arsyeshme. Kostot për këtë paguhen nga buxheti i shtetit, në mënyrë që të ruhen shtresat më në nevojë, duke e rishpërndarë barrën financiare mbi të gjithë shoqërinë.

Kjo nuk u thuhet qytetarëve hapur nga opozitarët tanë. Nuk u thuhet në sy dhe në një mënyrë të tillë që ti bëjnë ta kuptojnë edhe ata që nuk u ndahet shpirti, mendja e zemra nga komunizmi. Derisa ato pak që kanë mbetur, ta kuptojnë se është shumë e largët koha,- e falë shqiptarëve dhe Zotit nuk do kthehet më kurrë,- kur shteti kontrollonte gjithçka në jetën e tyre e përcaktonte në fund edhe politikat e çmimeve.

Duke sharë për çdo gjë qeverinë; edhe kur bie shi, edhe kur ka thatësirë, edhe kur ka diell, edhe kur bie tërmet, edhe kur kërkon punë apo kur pikon çatia, duke i rënë shkurt përmes fjalisë lapidare: Nuk kemi bukë të hajmë,- kjo nuk është politikë. As opozitarizëm. As e djathtë. As sistem i ekonomisë së tregut të lirë. E as zbatim i parimeve të kapitalizmit, liberalizmit, demokracisë e pluralizmit përmes katër lirive themelore të BE ku duam të shkojmë.

Një opozitë që mburret se ishte në ballë të shqiptarëve për të rrëzuar sitemin e ekonomisë së centralizuar, në një vend të mbyllur nën diktaturën komuniste, nuk mund të ushqejë sot për hir të politikës së ditës një kulturë që është kundër filozofisë së saj në praktikë e programit të saj në letër.

PD dhe aleatët e saj në opozitë, nuk ia dolën që të realizojnë reformat e thella të dekomunistizimit të vendit dhe të rikthimit të pronës private në tërësi dhe tokës në veçanti tek i zoti. Se përse ndodhi kjo, ndoshta meriton një libër më vete, por fakt është se për këtë ato kanë marë edhe ndëshkimin me votë të shqiptarëve. Të vazhdosh pas kësaj, të udhëheqësh mentalitetin komunist në sistemin kapitalist dhe ti thuash vetes akoma i djathtë, e sigurtë është se rikthimi në pushtet mbetet për në “kalendat greke”!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH