Politike

Për ata që thonë të ikë edhe Saliu, edhe Luli!

               Publikuar në : 20:58 - 26/10/21 liberale

Alfred Peza

Demokratët janë ndarë në dy grupe të mëdha, pas shpalljes së luftës për kreun e PD, mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Njëra palë mbështet “liderin historik”, e tjetra atë aktual. Njëra palë çirret pro ish Kryetarit, e tjera pro aktualit. Njëra është kundër përjashtimit të Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, e pala tjetër pro Lulzim Bashës dhe pro të qenurit në anën e SHBA në këtë histori.

Si të mos mjaftonte kjo ndarje kaq e madhe, e fortë dhe e qartë brenda partisë, ka zëra politikë por edhe mediatikë e qytetarë, që mbështesin rrugën e tretë. Një alternativë tjetër. Një skenar të ndryshëm, nga ai klasiku dhe më popullori, që thotë; O me ne o kundra nesh, rrugë të mesme nuk ka! Janë të pakët në numër, por kanë zë në shoqëri, ndaj ia vlen të analizohen në këtë rast. Opsioni i tyre është: Të largohet edhe Sali Berisha, edhe Lulzim Basha. Edhe ish Kryetari, edhe Kryetari.

Nuk kanë ndonjë argument të fortë për këtë, por mundohen ta fshehin qëndrimin e tyre, prapa klisheve parimore të lloji se “ka plot raste në histori” që kanë vepruar kështu. Se kjo do ishte zgjidhja më e mirë për partinë. Për opozitën. Për demokracinë. Për të qetësuar demokratët. Për të ngushëlluar opozitarët. Për të mos u përçarë. Për inat të Edi Ramës. E plot derivate të tjera të postulateve të kësaj natyre. Por asnjëri deri më sot, nuk na ka treguar një skenar apo rrugë konkrete, se si mund të shkohet deri atje!

Ka prej tyre që janë të sinqertë në këtë qëndrim, pasi vërtetë mund ta mendojnë daljen nga ky lëmsh, përmes një zgjidhje të llojit “deus ex machina” sa hap e mbyll sytë. Për shkak të vullnetit të Zotit dhe dëshirës së tyre, duket sikur papritur Sali Berisha dhe Lulzim Basha dorëzohen. Të dy ikin vullnetarisht e paqësisht, drejt shtëpive të tyre. Për të mos u kthyer më kurrë, as në Parlament, e as në zyrat e partisë.

Ky skenar është shumë i bukur për të qenë i vërtetë. Por nga kush dhe si do të realizohet ai? Këtë nuk ta thonë dot, jo se nuk duan, por se nuk e dinë. Ndaj ai mbetet një opsion i denjë për librat e romantikëve të fundit, për happy end-in e filmave të Hollywood-it ose ëndrra e një idealisti të vonuar. Ikja e Sali Berishës dhe e Lulzim Bashës njëkohësisht, është kësisoj një opsion teorik, por jo një mundësi praktike.

Ka një kategori tjetër, mes atyre që e predikojnë këtë skenar, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta politike në këtë rast. Ku futen të gjithë ata, që mendojnë se u ka trokitur ora e fatit. Se vetëm ata, mund ta shpëtojnë PD, nga ky qerthull i errët ku janë futur. Janë aq të vetësugjestionuar nga kjo mundësi, sa besojnë se ky skenar do ti çojë ata vetë po me “deus ex machina”, në majë.

Të pafuqishëm apo të paaftë për të krijuar profilin e tyre si politikanë të spikatur, si liderë potencialë për të udhëhequr sot a në të ardhmen të djathtën, besojnë se u erdhi mundësia që të bëhen udhëheqës. Të bëhen Kryetar të PD pa luftë, pa proces të brendshëm demokratik, e pa votën e shumicës së demokratëve. Duan ta shohin veten si pasardhës të Sali Berishës dhe pasues të Lulzim Bashës, pa garë, por vetëm për shkak të dëshirës dhe ambicjes.

Ky skenar është aq realist në politikë, sa edhe i “Spider-man”-it që sulet sapo sheh rrëmujë, tym e flakë në një cep të qytetit. E si me magji, duke kapërcyer rrugë më rrugë e çati mbi çati, ia del ta zgjidhë situatën sa hap e mbyll sytë. Por jeta është realitet dhe zhvillimet aktuale politike brenda minorancës, po ashtu. Ndaj edhe përplasja mes Sali Berishës e Lulzim Bashës, nuk mund të zgjidhet me formula futuriste, jashtë realitetit.

Askush nuk ia ka falur askujt pushtetin kësisoj në këtë vend, e askund tjetër, në çdo lloj sistemi shoqëror që ka ekzistuar në historinë e njerëzimit. Aq më pak tani në demokraci, në pluralizëm e në liri. Sepse pavarësisht sesa të vrazhda janë metodat, sesa të pista janë lojërat dhe sesa të sofistikuara janë mjetet, ato do ti justifikojnë gjithmonë qëllimet e tyre. Loja brenda sistemit politik, nuk është as letërsi, as cirk, as kinematografi dhe as shikim ëndrrash me sy hapur, por realitet. Janë procese demokratike komplekse, që kanë ligjësitë dhe rregullat e tyre të lojës.

Gjithësesi, edhe për këtë kategori, sa ka jetë ka edhe shpresë. Nëse duan vërtetë që të zëvendësojnë Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, mjafton të kalojnë fillimisht nga porta në hyrje të SHQUP-it, mbi të cilën ndrit në mënyrë ta padukshme një tabelë ku shkruhet me gërma zjarri: Mirëserdhët në xhungël!

Tags: ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back