Letërsi

Pëllumb Kulla: ... vulgu po “çedukon” artistët e humorit

Shkruar nga Liberale

80-të vitet e jetës së një prej protagonistëve kryesorë të teatrit shqip së shpejti në një spektakël ku Universiteti Europian i Tiranës është partner kryesor

Në historinë e dramaturgjisë dhe teatrit shqip emri i Pëllumb Kullës shfaqet rreth viteve 60-të për tu kthyer në një nga protagonistët kryesorë në një teatri e humori gjithnjë avangardë për kohën. Nëse u rikthehemi sot veprave të shkruara nga Kulla shohim personazhe e figura që mbartin tensionin e kohës dhe shpesh kërkojnë ta kritikojnë atë. Këtë janar Pëllumb Kulla shënon 80-të vite jetë. Universiteti Europian i Tiranës përmes Departamentit të Arteve të Aplikuara do të jetë një nga partnerët kryesorë të një spektakli, që do të udhëtojë përmes komenteve dhe ngjarjeve në jetën e artistit. Leteratura sjell më poshtë një bisedë të bërë me artistin Kulla në ditët e fundit të 2019-tës në ambientet e UET...

Do doja ta nisnim këtë bisedë me një shprehje të dramaturgut të njohur Bernard Shau i cili thotë se “Mënyra ime e të bërit shaka është të tregoj të vërtetën. Është shakaja më qesharake në botë”...

Është një konstatim i thartë prej satiriku, që e sheh realitetin mbushur me gënjeshtra dhe iluzione.

Heronjtë e vërtetë janë ata që kanë qeshur me diktaturën. Vaclav Havel një tjetër dramaturg e personazh i njohur i politikës ceke, shprehej kështu teksa fliste për rolin e dramaturgjisë dhe humorit cek gjatë periudhës së komunizmit. A mund të flasim sot për një lloj disidence në figurat dramaturgjike apo të humorit të krijuara gjatë soc-realizmit?

Mund të flasim, pa tjetër. Disidencat kanë patur qasje të ndryshme dhe klimë jo të njëjtë, në vendet ku metoda krijuese ishte soc-realizmi. Alegoria, ose të themi më mirë, gjuha e Ezopit që ne do ta quajmë shprehje të disidencës, ishte në vendin tonë më e rralla në tërë vendet e ashtuquajtura të demokracive në perandorinë sovjetike. Për vepra të deklaruara disidente antipushtetare as që bëhet fjalë! Po të quajmë “disidencë” mosdedikimin e zakonshëm të veprave diktatorit, apo mungesën e tij në faqet e një vepre apo vepërze, atëherë edhe ne mund ta mbajmë kokën lart.

Vitet 80-të kanë qenë ndoshta vitet kur krijimtaria juaj ka një lulëzim, janë një sërë titujsh të cilat u botuan edhe nga Naim Frashëri si “Lipe Shtogu në listë" (1979), "Shoku Niqifor" (1981), "Portrete pa makiazh" (1983), "Po martojmë Malon" (1984), "Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç" (1988), si edhe në buletinin "Teatër". Çfarë e provokonte të shkruarin tek ju në këto vite?

E provokonte vëzhgimi i afërt dhe i vëmendshëm që shkrimtarët e kanë një nga vetitë më kryesore. Them se e kam edhe unë. Zakonet e çimentuara, karakteret njerëzorë dhe hapësirat që kërkonin ata karaktere në realitetin e atyre viteve ishin sasira të bollshme drithi edhe për mokrat e mia. Veç kësaj edhe nevojat e repertorit për skenën, me të cilën kisha lidhur jetën ishte një shtytje e rëndësishme.

Janë një sërë personazhesh të krijuara prej jush që vijojnë të jetojnë në kujtesën e shikuesve. Por a keni ju një raport tuajin me personazhet, apo ata janë të ndarë prej jush sapo dalin në skenë?

Nëse do të quajmë raport timin citimin, apo autorësinë që më jepet teksa përmenden dhe zihen në gojë personazhet e mi, natyrisht më vjen mirë. E quaj një formë mirënjohjeje dhe ndihem i paguar mjaft.

Angazhimi në diplomaci, çfarë ndryshoi në krijimtarinë e jetën tuaj. Saga e krijimeve nga Amerika sjellin një qasje tjetër ndaj humorit tashmë më bashkëkohor, të pavarur nga censura...?

Nevojat e përkushtimit totalisht në detyrat postit të ri dhe të pa provuar më parë, më shkaktoi një farë frenimi të përkohshëm në krijimtarinë e mirëfilltë. Por më ndihmoi duke më ofruar shkeljen dhe njohjen mjediseve të rinj dhe të panjohur. Por akumulimi dhe planet krijuese nuk patën frenime aspak. Për sagë ju e keni fjalën tek “Rrëfenjat nga Amerika”, që u bënë mjaft popullore. Ishte një periudhë e bukur krijuese që vinte  nga njohjet e problemeve të emigrantëve të rinj të post komunizmit. Kur censurës i priste palla nuk kishte as emigracion dhe as emigrantë. Atëherë quheshin ose kurbetlinj, ose të arratisur.

Ju e keni studiuar diktaturën përmes disa librave që kanë në fokus humorin dhe jetën në atë periudhë, një prej tyre ka në fokus dhe Enver Hoxhën. Do të doja të flisnim pak për raportin mes artit dhe pushtetit, sa dominant dhe aleancë ka pasur mes këtyre dy pushteteve gjatë komunizmit por edhe në këto kohë që jetojmë?

Para librit që përmendët ju, unë do të përmendja një tjetër. Ishte një shëtitje eseistike me titull “Skënder Sallaku ose si qeshnim nën diktaturë.” Ky është një nga librat e mi më cilësorë por kurrë nuk u bë objekt i një vëmendje apo kritike serioze. Edhe pse për të kanë bërë vlerësime kolegë të shquar. Ky është një libër-homazh për humorin e nënzëshëm që gjallonte në stil të përhapur ndër bashkëkohësit tanë. Nuk është libër tërësisht kushtuar atij artisti të madh dhe ende të pavlerësuar si duhet, Skënder Sallakut. Ishte një libër edhe për mua vetë, për bashkëjetesën mes humorit të shëndetshëm zyrtar dhe klandestinit, që përmenda. Vendosja e figurës së Sallakut në qendër nuk ishte ngaqë ai ishte më i miri, por ngaqë ai ishte më i veçanti, pikërisht për jetën që ai bënte mes atyre dy planetëve të humorit, që përmenda.

Teksa romanin për vdekjen e Enver Hoxhës, gabimisht njerëzit e paragjykojnë si një vepër kritike të ashpër për diktatorin. Nuk është aspak ashtu. Bile unë e them gojëplot se me bëmat e Enver Hoxhës nuk merrem fare në të. Në libër, që nga faqja e parë deri në të fundit ai është i vdekur dhe i palëvizshëm. Unë në atë libër, fort të dashur për mua, sepse është përsëri në hapësirat e humorit, merrem me koreografinë e madhe kombëtare të zisë që prodhoi vdekja e tij. Është një libër realist që nuk do të mërziste dhe sidomos nuk do të m’i bënte armiq as enveristët  më të thekur.

Pse nuk kemi humor sot? Pse nuk qeshim dot?

Mos deshit të pyesnit përse nuk ka cilësi? Humor ka dhe bile shumë! Edhe të qeshura ka. Bile shumëfish se më parë! Edhe cilësia shpesh nuk mungon. Nga ana tjetër, edhe ne prodhonim skarcitete plot, por nga ajo kohë, ju sillni në kujtesë gjërat më të mira  Dhe sidomos sot ka humoristë, aktore dhe aktorë të mrekullueshëm, në një numër shumë më të madh se ç’kishte më parë. Mjerisht, sot ata shfrytëzohen dhe vetshfrytëzohen llahtarisht shumë. Këta të sotmit kanë avantazhin e horizonteve të hapura për të lëshuar “goditje” nga të katër anët, por e dëmtojnë talentin e tyre duke ushqyer spektatorë të uritur për humor banal. Kështu dal tek ajo qarja juaj që nuk qeshni dot. Ju nuk qeshni, por vulgu, njerëzit me shije të ulët, qeshin. Dhe gajasen më shumë se më parë. E duke qeshur me bujë e me zhurmë befas ky lloj spektatori “çedukon” artistin, e thërret atë para tij, e paguan mirë, me dhe pa thonjëza. Kësisoj do të arrija në përfundimin paradoksal, se tek ne janë  polarizuar spektatorët.

“Luftë pa fund” libri i botuar nga UET PRESS sjell një reflektim tuajin mbi tranzicionin politik në Shqipëri në këto dy dekadat e fundit. Ju gjithnjë i jeni rikthyer nevojës për të reflektuar, një veti që duket sikur shoqëria e sotme e ka humbur?

Falënderoj për vlerësimin. Është edhe ai një nga librat e mi që pëlqehet. Publicistika që zë vend në fletët e atij libri ka kufijtë kohorë që nga viti 1990 deri në 2013. Pas këtij kufiri të fundit shprehuritë e mia publicistike janë përmbledhur në librin e ri “Heronj, plot! Jemi ngushtë me piedestalë” që e jap së shpejti për botim. Uroj që edhe ky të më pritet si “Luftë pa Fund”. Nuk jam dakord se jemi të paktë ne që përpiqemi të reflektojmë. Objektiviteti po, është ky që na ka humbur më shumë.

Ju jeni shqipërues i një sërë autorësh të rëndësishëm si  Çehov, Pirandello, Gogol, De Mysse, Buzzatti . Njohja e kësaj letërsie çfarë ka sjell në krijimtarinë tuaj?

Nuk kam bërë shqipërime aq sa do të desha dhe aq saç janë të domosdoshëm për ushqimin shpirtëror të shqiptarëve. Nuk mund të ndodhte që leximet e shumta në gjuhë të huaj të mos më ndihmonin edukimin tim profesional. Kjo më ka shtyrë dhe te përkthimet. Kam mirënjohje të thellë për autorët që më kanë tërhequr.

Nëse mund të flasim sot në mbi gjysmë shekulli krijimtari, a mund të veçonit një libër si libër jete?

Veçoj “Lejlekët nuk vijnë më.” Ndodhem në ca vështirësi financiare, por mezi po pres ditën kur ai libër të dalë në një botim të ri. Kam kënaqësinë të ruaj shënimet (me duart e tyre!) të dy kollosëve, Agollit dhe Kadaresë mbi dy dorëshkrime të printuara. Që të dy më kanë nxitur të mos vonoja botimin e parë. U jam shumë mirënjohës të dyve.

Çfarë ka humbur e fituar dramaturgjia shqiptare ndër vite?  

Skena shqiptare është nën pushtimin e huaj. Dramaturgjia e vendit është pa dyshim e një niveli jo të duhur, por asaj i mungon përkrahja e shtetit dhe politikat kulturore e kanë asfiksuar. Por gjithsesi, sikurse kudo në botë, asgjë nuk e mbush boshllëkun e saj./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH