Kryesore

Pedagogu i KPT, Ervis Qose: “Smart Home“, shtëpia e së ardhmes!

               Publikuar në : 09:56 - 24/10/20 liberale

Kolegji Profesional i Tiranës i themeluar në vitin 2015, ishte risi për arsimin e lartë, e ndërkohë vazhdon të jetë në pararojë të arsimit profesional në Shqipëri.

Ajo që e veçon nga pjesa tjetër është fakti që të diplomuarit në 12 programe studimi që ofron ky Kolegj, marrin profesionet që kanë përqindjen më të lartë të punësimit në vendin tonë. E gjitha falë vizionit dhe përvetësimit të njohurive që janë në një hap me tregun e punës dhe zhvillimet teknologjike.

Kolegji Profesional i Tiranës ka bërë pjesë të programeve lëndë të veçanta për teknologjinë e fundit dhe kryesisht  me atë që quhet Shtëpia Inteligjente (Smart Home), e cila shumë shpejt pritet të ketë një përhapje masive në Shqipëri.

Drejtori Zyrës IT pranë Kolegjit Profesional të Tiranës, Ervis Qose, njëkohësisht lektor, ekspert në Automatizimin Industrial, Robotikë dhe IOT, thotë se studentët e mësojnë këtë lloj teknologjie teorikisht dhe praktikisht në laboratorët unikë që institucioni ofron.

“Studentët e Kolegjit Profesional të Tiranës, pjesë e programeve të studimit “Elektronikë”, “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi”, “Teknologji e Instalimeve Elektrike”, e mësojnë këtë teknologji teorikisht dhe praktikisht në laboratorët unikë që institucioni ofron. Duke qenë se tregu i punës ka nevojë specifike për këta specialistë, bëhet me ë thjeshtë për ta, për t’u punësuar pasi përfundojnë studimet”, tregon profesori.

Me një eksperiencë prej 8 vitesh në Smart Home dhe në IOT, Ervis Qose sqaron mënyrën sesi funksionon Smart Home dhe IOT, sesi mund të impelmentohet, çfarë benefitesh dhe rreziqesh do të sjellë për përdoruesit, ndërkohë që do të bëhet pjesë e pandarë e përditshmërisë së tyre.

 1.Çfarë është shtëpia e zgjuar, ose siç e thoni ju, shtëpia e së ardhmes?

Të flasësh për Smart Home dhe IOT kërkon shumë kohë sepse janë shumë elemente pjesë e kësaj familje. Sipas meje, Smart Home është bashkësia e pajisjeve elektrike dhe elektronike të shtëpisë duke shtuar elemente si sensorë dhe aktuatorë të cilët komandohen nga një pikë qendrore ose në distancë nëpërmjet telefonit, tabletit ose kompjuterit.

2.Pra, termi Smart Home është komandimi i shtëpisë në distancë apo jo?

Kam vënë re se në Shqipëri termi Smart Home ngatërrohet me komandimin e shtëpisë në distancë. Dua të nënvijëzoj që qëllimi i Smart Home është që shtëpia të komandojë veten e saj në varësi të skenarëve të cilët janë programuar, pra shtëpia të jetë inteligjente. Për shembull, nëse në shtëpi është dëmtuar një tub uji dhe kemi përmbytje, një sensor i quajtur Flood Detection Sensor (sensor përmbytjeje) detekton këtë dhe automatikisht aktivizohet një valvul e cila mbyll menjëherë ujin në shtëpi. Shtëpia siguron veten e saj.

Gjithashtu përveç integrimit të sigurisë së shtëpisë, Smart Home mund të përdoret për efiçencë energjie siç mund të jetë komandimi automatik i pajisjeve nëse nuk janë më të nevojshme si p.sh. pajisjet e ngrohjes/ftohjes, ndriçimit etj. Jo vetëm siguria por edhe argëtimi është pjesë e Smart Home duke përdorur skenarë si “koha e filmit” ku perdja e projektorit ulet, projektori ndizet dhe ndriçimi ulet në nivelin e nevojshëm. Një zgjim ideal në mëngjes do të ishte kur grilat hapen në një orë të përcaktuar, muzika në dhomë fillon dhe fill pas saj ne dëgjojmë agjendën e takimeve të ditës nga asistenti zanor (Voice assistant).

3.Sa i vështirë është implementimi i kësaj teknologjie në Shqipëri dhe a ka specialistë të kësaj fushe?

Ekzistojnë shumë teknologji që e bëjnë një shtëpi të zgjuar. Lidhjet që ato mund të kenë janë me kabëll, me  wireless (pa fije) dhe të dyja bashkë. Sekreti i teknologjisë është në mënyrën se si integrohen këto elementë në shtëpi dhe sa ja lehtësojnë realisht jetën njerëzve. Në ditët e sotme profesioni që i realizon këto teknologji quhet Integrues Sistemesh (Systems integrator). Ky profesion lidh bashkë shumë ekspertiza, si: elektronika, IT, programimi etj. Kohët e fundit po zhvillohet dhe në Shqipëri duke qenë se shumë kompani po e implementojnë në shtëpi dhe në ndërtesa (Smart Buildings). Kjo fushë si çdo fushë tjetër e mirë organizuar ka standardet e saj të implementimit ku një prej tyre është dhe KNX. KNX e lehtëson procesin e implementimit dhe ndërtimit të një sistemi Smart Home dhe me tej, Smart Building. Disa teknologji të tjera ekzistuese janë dhe Crestrone dhe përdorimi i protokollit të komunikimit wireless Awave os Zigbee.

Si pjesë e stafit të KPT, dua të theksoj se ne kemi bërë pjesë të programeve mësimore, lëndë të veçanta për këtë teknologji të re, që shumë shpejt do jetë e përhapur masivisht dhe në Shqipëri. Studentët e Kolegjit Profesional të Tiranës, pjesë e programeve tw studimit “Elektronikë”, “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi”, “Teknologji e Instalimeve Elektrike”, e mësojnë këtë teknologji teorikisht dhe praktikisht në laboratorët unikë që institucioni ofron. Duke qenë se tregu i punës ka nevojë specifike për këta specialistë, bëhet me ë thjeshtë për ta, për t’u punësuar pasi përfundojnë studimet.

4.Si e parashikoni ju të ardhmen e Smart Home dhe a mund të na përshkruani një skenar të mundshëm të saj?

Të flasësh për të ardhmen e teknologjisë është shumë e vështirë sepse ajo zhvillohet dhe ndryshon me ritme të shpejta. Unë mund të them me bindje që duke futur Inteligjencën Artificiale, pajisjet robotike, makinat elektrike, dronët, etj. të lidhura saktë me njëra- tjetrën do ta bëjnë jetën e njerëzve sa më të thjeshtë.

Një shembull konkret i aplikimit të një shtëpie inteligjente mund të jetë:

Një mëngjes alarmi bie pak më herët. Kjo nuk është për arsye se ka defekt, por për t’ju kujtuar që ju keni disa takime me herët se ditët e tjera. Shtëpia përgatitet për rutinën tuaj si fillim duke ngritur grilat/perdet, muzika juaj e preferuar fillon, dhe në tualet Smart Mirror tregon lajmet e fundit dhe ju rikujton për temperaturën jashtë. Për pak minuta ju vjen një njoftim nga posta që një dron ka sjellë një pako për ju. Pasi dilni nga shtëpia, automatikisht aktivizohet skenari i daljes ku te gjitha pajisjet fiken, dera mbyllet dhe menjëherë alarmi aktivizohet. Dhe si përfundim makina elektrike është duke ju pritur për t’u nisur.

5.Kjo duket kaq perfekte, por a ka ndonjë anë negative?

Si çdo teknologji, dhe Smart Home ka dobësitë e veta të cilat lidhen drejtpërdrejtë me integruesin e sistemeve.  Një prej tyre është siguria e mënyrës së implementimit që shtëpia të mos thyhet nga hacker -at. Përgjegjësia e integruesit të sistemeve në këtë rast, lidhet me llojin e teknologjisë që ai do zgjedhë dhe formën e implementimit të saj./Gazeta Liberale

 

 

Tags: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back