Aktualitet

Pedagogu Emiliano Qose: Aplikimi i teknologjive inovative në KPT

Shkruar nga Liberale
Pedagogu Emiliano Qose: Aplikimi i teknologjive inovative në KPT

Emiliano Qose, pedagog dhe përgjegjës i laboratorit të Gjeodezisë pranë Kolegjit Profesional të Tiranës, gjithashtu menaxher i Alb-Matrix Group Shpk prezanton aplikimin e teknologjisë më të re, të quajtur Lidar, në fushën e Topo-Gjeodezisë dhe më gjerë. Dhe pse vetëm pesë vite eksperiencë Emiliano zotëron njohuri, aftësi profesionale dhe pasion për fushën që e veçojnë nga ekspertë të tjerë.

Me KPT, Emiliano u prezantua fillimisht si specialist gjeodet me njohuri të shkëlqyera praktike dhe më pas, falë këmbënguljes së tij, vjen si një sipërmarrës i suksësshëm, i aftë për të përmirësuar dhe inovuar kurrikulat mësimore me avancimet më të fundit të fushës. Ndërthurrje të tilla të akademisë, sipërmarrjes dhe prakticitetit i japin një vlerë të shtuar jo vetëm institucioneve ku këta talente performojnë në përditshmëri por dhe shoqërisë në përgjithësi.

Çfarë është teknologjia LiDAR?

LiDAR ose ndryshe Light Detection and Ranging, njihet si teknologjia e cila lëshon rreze që godasin mbi objekt dhe kthehen përsëri në pajisje, me qëllim matjen e distancës nga sensori deri tek objekti referuar kohës që i duhet lazerit të godasë mbi objekt dhe të reflektohet përsëri në sensorë. Matja e distancave mund të arrijë deri në saktësi milimetrike.

Cilat janë fushat e aplikimit të LiDAR? Po zgjidhjet ajo që ofron, thënë thjesht, si e shohim të aplikuar ne atë?

Qëllimet për të cilat LiDAR përdoret janë të shumta, si pasojë edhe produktet që përftohen janë të shumta, kjo në varësi të qëllimit. Mund të përmend këtu: 3

- Re pikash 3D (Point Cloud)

- DSM – Modeli Digjital i Sipërfaqes

- DEM - Modeli Digjital në lartësi dhe

- DTM – Modeli Digjital i terrenit

Këto modele janë mjaft të rëndësishme për vendimmarje në fusha të ndryshme, duke filluar nga:

• Planifikimi Urban, ku LiDAR nëpërmjet point cloud ofron modele 3D të qytetit për të qenë në një hap më pranë SmartCity.

• Ndërtim- Monitorim i vazhdueshëm dhe menaxhim i kantierëve në ndërtim;

• Industria e energjisë- Inspektimi dhe analizimi i linjave të tensionit, të energjisë së rinovueshme etj;

• Menaxhimi i vijës bregdetare - jep model të bregdetit në interval kohe të caktuar, erozionin dhe karakteristikat bregdetare;

• Planifikimi dhe menaxhimi pyjor - për rilevime në shkallë të mëdha, në gjendje për të treguar lartësinë e pemëve, densitetin dhe shpyllëzimin;

• Arkeologji- për krijimin e një modeli digjital në lartësi me rezolucion të lartë për zbulime në mikrotoporafi;

• Modelimi i përmbytjeve - ofron krijimin e modeleve të sakta për parashikimin e përmbytjeve;

• Modelimi i ndotjes - ofron detektimin e dioksidit të karbonit, dioksid squfuri dhe metanit;

• Industria minerare, gjeologji, bujqësi etj;

Përpos këtyre, teknologjia LiDAR është një nga mënyrat më efektive të krijimit të hartave topografike/gjeodezike, si pasojë e densitetit dhe saktësisë së lartë të të dhënave gjeo-hapësinore të gjeo-referencuara.

Po pse të zgjedhim LiDAR? Cilat janë përparësitë e kësaj teknologjie krahasuar me metodat e tjera tradicionale të mbledhjes së të dhënave?

Teknologjia ajrore dhe tokësore e skanimit është një nga zhvillimet e viteve të fundit e cila ka lehtësuar punën në terren në shumë drejtime që unë i rendita dhe më sipër.

Nëse metodat e tjera tradicionale kërkojnë një periudhë të gjatë kohore si për fazën përgatitore, për procesin e matjes në terren, e më pas përpunimin, (procedura që mund të arrijnë edhe në muaj), me teknologjinë LiDAR mundëson kryerjen e të gjitha këtyre proceseve në një kohë shumë të shkurtër, me një saktësi më të lartë, me informacion të plotë të terrenit si dhe ofron siguri në punë.

Kostoja është një element tjetër i rëndësishëm që duhet përmendur sepse krahasuar me metodat e tjera është relativisht e ulët për rendimentin dhe saktësinë e lartë të punës që ofron.

Sa është implementuar në Shqipëri teknologjia LiDAR?

LiDAR është një risi në Shqipëri dhe duke njohur vështirësitë e tregut, ka qenë një sfidë e vërtetë për mua si menaxher i kompanisë ALB-MATRIX GROUP dhe për ekipin tim. Pavarësisht sfidave unë e them me plot bindje që implementimi i teknologjisë LiDAR ka qenë një arritje dhe sukses i madh për ne, si një kompani që në fokus ka inovacionin.

Projekti në të cilin u implementua teknologjia LiDAR ishte “Projektimi i linjës së tensionit 400 kv, Shqipëri - Maqedoni (Fier-Elbasan-Qafë Thanë)”.

Për herë të parë ne mundësuam mbledhjen e të dhënave gjeo-hapësinore me një lartësi fluturimi 400m mbi nivelin e tokës, me frekuencë skanimi 1.2 milion pika/sec dhe shpejtësi fluturimi 200 km/h, që përfshin dy itinerare me gjatësi rreth 140 km, duke realizuar kështu një produkt me dendësi 70 pika/m2 dhe një saktësi +/- 3 cm në plan dhe në lartësi.

Deri në momentin që jemi duke folur, ky projekt ka qenë i pari aplikim i kësaj teknologjie në Shqipëri, nga një kompani private, dhe jam i bindur që nuk do të jetë i vetmi, por do ti hapë rrugën një zhvillimi të ri në fushën e gjerë të inxhinierisë.

Marrëdhënia e vazhdueshme me KPT, jo vetëm si pjesë e stafit akademik por dhe falë marrëveshjes së bashkëpunimit biznes-ial më lehtëson aplikimin e kësaj teknologjie dhe jo vetëm, në praktikën që studentët zhvillojnë. Në këtë formë studentët pajisen me njohuri inovatore përpara se të dalin në tregun e punës dhe madje përpara se dhe tregu vetë të njihet me to.

Çfarë do të sjellë e ardhmja për LiDAR dhe Emilianon?

Teknologjia është gjithnjë në zhvillim, dhe shpesh herë e shohim të lëvizë me hapa të paimagjinueshëm. Rast i ngjashëm është dhe ky i LiDAR.

Sot në botë kjo teknologji përdoret gjerësisht dhe jo vetëm në fushën e gjeo-informacionit. Kompanitë prestigjioze botërore janë duke e përdorur LiDAR edhe për qëllime të jetës së përditshme, siç është rasti i makinës autopilot nga TESLA apo dhe produkti i fundit i kompanisë Apple.

Si përfundim, duke parë gamën e gjerë të implementimit, do ta cilësoja LiDAR si teknologjia e së ardhmes.

E ndërsa për Emilianon, besojmë që e ardhmja do të sjellë projekte të tjera me LiDAR.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH