Aktualitet

Pedagogia: Testi i maturës i përkthyer, Shahini ta pranojë problemin

Shkruar nga Liberale
Pedagogia: Testi i maturës i përkthyer, Shahini ta pranojë

Linda Mëniku, pedagoge e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, i ka dhënë të drejtë maturantëve në pretendimet se provimi gjuhë-letërsisë “kishte probleme”, ndërsa ngarkoi me përgjegjësi direkte hartuesit e testit dhe Ministrinë e Arsimit.

Sipas saj, ministria ka miratuar “një test plagjaturë të paaplikueshëm për gjuhën shqipe”.

“Nga 14 paragrafë të shkurtër që kishte testi i Gjuhës Shqipe, 13 ishin të përkthyera nga gjuhë të huaja dhe vetëm 1 paragraf i referohej një teksti të marrë nga profesor Eqerm Çabej për Fan Nolin. Nëse hartuesit e dinë se një test të përafërt e kanë bërë Kembrixhi apo Oksfordi, ata mbrojnë veten dhe thonë jemi bazuar këtu, ndërkohë që kjo nuk ka lidhje me gjuhën shqipe, sepse maturantët po testohen se sa e kuptojnë ata një tekst të gjuhës shqipe, ndërkohë që ata i referohen një teksti ndërkombëtar,”  tha pedagogia Mëniku.

E pyetur se kujt i takon përgjegjësia në këtë rast, Ministrisë së Arsimit, apo vetë hartuesve, Mëniku tha se përgjegjësia është “individuale e hartuesve”, por edhe e Ministrisë, e cila “e ka aprovuar këtë test”.

Nuk e kuptoj këtë qëndrim të Ministrisë për të thënë se nuk ka gabime. Ministrja vetë duhet të ndryshojë mënyrën se si komunikon, se si i kumton mendimet e saj në gjuhën shqipe dhe duhet të kuptojë se këta kanë një shqetësim dhe minimalisht duhet të thuhet ‘Po! Ka një problem, hajde ta diskutojmë!’ Po kështu ka dhe një problem financiar, grupi i punës të mos punësohet më sepse këta njerëz janë paguar nga taksapaguesit shqiptarë,” – tha Mëniku teksa shtoi se në diskutim vihet e ardhmja e 31 mijë nxënësve.

“Këtu nuk mban askush përgjegjësi për asgjë, por prindërit e këtyre 31 mijë nxënësve a do t'ia falin ndonjëherë dëmin që u kanë shkaktuar fëmijëve të tyre, kjo është pyetja që duhet të shtrohet për këtë proces,” - theksoi Mëniku.

Pedagogia e Filologjikut hodhi poshtë idenë e ritestimit apo rivlerësimit dhe sugjeroi si zgjidhje vetëm uljen e pragut të notave. Ajo argumentoi se dëmi që mund t’u ndodhë maturantëve nga ky testim mund të ndikojë në një rreth të mbyllur “ku një dëm që i bëhet sot shoqërisë shqiptare, reflektohet nesër”.

“Nxënësit më të mirë nuk do të shkojnë në degët që do të duan, dhe ne nesër do të kemi një brez të rinjsh që kanë studiuar për një degë që nuk e kanë dashur dhe nuk do jenë profesionistë të mirë. Këto nuk janë dëme të momentit dhe nuk janë politike këtu nuk duhet të jenë qytetarët përballë shtetit, por shteti në funksion të qytetarëve të tyre,” – shtoi më tej pedagogia Mëniku.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH