Aktualitet

Pedagogia e KPT-së: Gjenerata 5G po vjen! A jemi të rrezikuar?

Shkruar nga Liberale
Pedagogia e KPT-së: Gjenerata 5G po vjen! A jemi të rrezikuar?

Shqipëria i është bashkëngjitur nismës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrjetin e pastër, pjesë e së cilës janë 20 vende të NATS-s, të cilat refuzojnë kështu 5G nga Kina. Shumë teori kanë qarkulluar në lidhje me 5G dhe sa e sigurt është ajo, por asnjëherë kjo çështje nuk është shteruar plotësisht mbi impaktin që ka në shoqëritë e sotme.

Pedagogia e Inxhinierisë Elektronike në Kolegjin Profesional të Tiranës, Enxhisa Shurdha sqaron se 5G do të implementohet në Shqipëri në fund të këtij viti ose në fillim të viti 2021. Duke qenë se kjo lloj teknologjie kërkon më shumë antena, për rrjedhojë operatorët duhet të përmirësojnë infrastrukturën teknike.

E specializuar si Inxhiniere Elektronike nën titullin e masterit të shkencave në Universitetin Politeknik të Tiranës, me eksperiencë në fushën e elektronikës, telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit si dhe me përvojë në arsim-dhënie në UPT dhe Kolegjin Profesional të Tiranës, Shurdha tregon se kjo lloj teknologjie do të sjellë më shumë përmirësim të komunikimit, duke rritur shpejtësinë dhe efikasitetin. Por a ka efekte negative, ashtu siç aludohet shpesh në media?

Në këtë intervistë lektorja e KLP-së zbulon më tepër për 5G, duke dhënë edhe një mesazh për të gjithë ata që kanë këto pikëpyetje dhe lidhin këtë rrjet me pandeminë.

 Sipas jush, çfarë është ekzaktësisht teknologjia 5G dhe si e shihni ju implementimin e kësaj teknologjie në Shqipëri? A jemi realisht gati për të mirëpritur këtë risi? 

Si fillim dua t’ju tregoj se historiku i gjithë këtij evolucioni teknologjik të gjeneratave të ndryshme daton shumë herët, rreth viteve ‘80 kur fillimisht telefonat e gjeneratës së parë 1G u vunë në përdorim duke shfrytëzuar linjat telefonike me kabllo, të cilat ofronin vetëm shërbimin e thirrjeve telefonike. Më pas, nevoja për të rritur komunikimin, për të lidhur njerëzit me njeri-tjetrin duke dërguar mesazhe, foto, audio, video, email-e etj, bëri që fusha e telekomunikacionit të përmirësohej duke sjellë gjenerata të reja. Sot, këto shërbime multimediale janë qendra e interesit publik. Njerëzit mund të hapin njëkohësisht shumë faqe të ndryshme në pajisjet e tyre, të lundrojnë në internet, të kryejnë livestreaming në çdo moment, videokonferenca, të shkarkojnë apo ngarkojnë të dhënat e tyre në rrjet. E gjithë kjo teknologji që gëzojmë në ditët e sotme është falë evoluimit të gjeneratave 2G drejt 3G dhe më pas 4G. Sot diskutojmë mbi gjeneratën 5G që shumë shpejt do të jetë pjesë e telefonave tonë. Rrjetat 5G janë rrjeta mobile digjitale të cilat me anë të antenave transmetuese arrijnë të mbulojnë zona gjeografike që në gjuhën teknike i emërtojmë “qeliza”. Duhet pasur parasysh që gjeneratat evoluojnë me qëllim që të rrisin shpejtësinë, të ulin vonesat në komunikim si dhe të ofrojnë mbulim më të madh. Këtë do të sjellë edhe gjenerata 5G. Në SHBA kjo teknologji u implementua vitin e kaluar dhe më pas shumë vende të tjera të botës përqafuan këtë teknologji. E ardhmja e afërt e Shqipërisë po ashtu është drejt kësaj risie. Pritshmëritë për lançimin e 5G i referohen këtij fundviti, ndoshta fillimit të vitit 2021. Kjo për shkak se shumica e kompanive janë në fazat e para të testimit dhe një hap më afër finalizimit të instalimit të instrumenteve arkitekturorë. Shqipëria, si një shtet i vogël, është në zhvillim e sipër dhe normalisht, për fusha të ndryshme të ekonomisë dhe konsumit, jam e bindur që adaptimi sa më shpejt me teknologjinë e re është një domosdoshmëri.

Momentalisht në Shqipëri po operohet me teknologjinë 4G. Si mendohet ndryshimi që 5G do të sjellë në arkitekturën aktuale 4G?

Qëllimi i çdo teknologjie të re nuk është vetëm përmirësimi i shërbimeve por edhe kompatibiliteti me teknologjitë e mëparshme. Sistemi i ri në fakt nuk është totalisht i pajtueshëm me rrjetet 4G. Teknologjia 5G përdor shumë më shumë antena dhe mund të transmetojë frekuenca radioje shumë më të larta se 4G. Spektri i frekuencave fillon nga 1GHz dhe mund të rritet pafund ndërsa përhapja bëhet sipas tre brezave të frekuencave. Dallime do të ketë edhe në mbulim. Nëse 4G funksionon duke përhapur rrezatimin në një zonë të përcaktuar, por duke shpërdoruar atje ku askush nuk e përdor atë, një sinjal 5G është më i saktë pasi përdor teknika të përparuara të formimit të rrezeve për të komunikuar me një pajisjet destinacion. Të dhënat e marra në stacionet 5G po ashtu kanë nevojë për lidhje me fibrat optike.

Duke konsideruar këto informacione lind natyrshëm pyetja nëse do të ketë një lidhje midis teknologjisë WiFi dhe rrjetit 5G dhe çfarë nënkupton kjo për kompanitë që ofrojnë shërbimet e internetit?

Patjetër që ekziston një lidhje midis tyre. Rrjeti Heterogjen (HetNet) do të përfshijë një larmi të gjerë të qelizave të tilla si piko, femto, mikro, të vogla dhe madje WiFi. Pra, parashikohet që 5G dhe WiFi të bashkë-ekzistojnë si brenda dhe jashtë ambienteve. Përsa i takon kompanive ofruese të shërbimeve të internetit të cilat kërkojnë të implementojnë shërbime të 4G, mendoj që duhet të presin prezantimin e teknikave të reja që do të vijnë pasi stacionet operuese të reja do të duhet të implementojnë shumë fibra në qeliza të vogla dhe makro të cilat janë në përputhje me 4G dhe 5G.

Cilat janë këto risi që do të sjellë kjo teknologji ndryshe nga ajo çfarë përdorim sot?

Mendojeni rrjetin 5G si një qendër të madhe shërbimesh të cilat grupohen në tre kategori: zgjerimi i brezit, komunikimet masive të tipit-makinë dhe komunikimet ultra të besueshme me vonesë të ulët. Ne si përdorues të thjeshtë do të përjetojmë një rrjet më të shpejt, video apo dokumente që shkarkohen në çast, kualitet në ekranet UltraHD, cilësi më të lartë të zërit dhe videos 3D. Gjenerata e re është revolucionare dhe do të hapë opsione të reja për një larmi teknologjish, si robotika e kontrolluar në distancë, makinat autopilot, aplikime industriale, banesat dhe qytetet smart, zhvillimin e bujqësisë, internet of things IoT, operacionet kirurgjikale në distancë etj.

Është dëgjuar shpesh po ashtu të konspiracionohet mbi efektet e dëmshme që sjellin rrezatimet nga antenat telefonike. A keni një mendim për këtë çështje?

Kjo në fakt është ndër temat më të ndeshura, sidomos gjatë këtij viti me përhapjen e pandemisë e cila solli edhe një vërshim idesh konspiracionale sa i përket rrezatimit të dëmshëm nga antenat telefonike. Sigurisht që njerëzit janë të shqetësuar kur mendojnë se janë të ekspozuar ndaj këtyre valëve që mund të bëhen burim për shfaqjen e sëmundjeve kancerogjene duke qëndruar gjatë në pajisjen e tyre. Gjithsesi, personalisht mendoj që njerëzimi i ka kthyer sytë drejt antenave kohët e fundit, por nuk duhet të harrojmë që këto antena, këto teknologji të shpërndarjes së valëve në ajër kanë bashkë-ekzistuar me ne prej vitesh. Teknologjia e telefonave mobile nuk është e re, kemi mjaft vite që përdorim telefona pa tel të cilët ushqehen me valë. Është e vërtetë që rrezatimi i tepërt ka ndikimet e veta negative në shëndet, por për këtë do të tregohesha skeptike dhe do të thoja që transmetimet me antena janë të mirë-studiuara për pozicionimet në kodra, male apo mbi pallate dhe shkallën e rrezatimit me të cilat ato transmetojnë. Ndoshta do të lindte nevoja që grupe shkencore studimore të  ngriheshin dhe të kryenin një studim mbi atë që do ta quaja sëmundjet e shekullit të ri, por sërish do të doja të çmitizoja lidhjen e pandemisë me teknologjinë e re 5G. Le të përqafojmë këtë risi dhe ta shohim si një derë që hap mundësi të reja. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH