Kryesore

PD, tre grupe dhe Berisha

               Publikuar në : 09:29 - 14/09/21 liberale

PD paraqiti 44 deputetë në grupin e saj parlamentar duke lënë Berishën jashtë. Ish-kryeministri depozitoi një shkresë duke u  vetëdeklaruar anëtar i Grupit demokrat. Ndërsa zëri i demokratëve dhe aleatëve do të ndahet në tre grupe këtë legjislaturë, zëra brenda PD-së e shohin si jostatutore dhe jo të fundme përjashtimin e Berishës. Ky i fundit ka lajmëruar hapa të mëtejshëm që shenjestrojnë  kryedemokratin

Suadela Balliu

Deklaratën e para pak ditëve për përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar, kreu i PD-së Basha e bëri fakt të kryer, ndërsa regjistroi 44 deputetë.

Edhe ish-kryeministri e bëri zyrtar pretendimin e tij se është ende anëtar i grupit të demokratëve në Kuvend, duke depozituar dje një shkresë vetëdeklarimi.

Ky qëndrim i zotit Berisha vjen pasi e cilësoi nul vendimin e kryedemokratit dhe u shpreh se shkonte kundër statutit të brendshëm të Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, vetë Basha e mori përsipër si kosto personale përjashtimin e zotit Berisha, duke mos e hedhur në votim brenda Kryesisë së partisë, anëtarët e së cilës e kundërshtuan fort.

Ish-kryetari i selisë blu iu bëri thirrje demokratëve të bashkoheshin për rikthimin e Partisë Demokratike  në periudhën para zotit Basha, ndërsa këtë të fundit e akuzoi si vegël në duart e kryeministrit Rama.

Kreu i PD-së, i cili u shpreh me dhimbje mbi akuzat e ish-liderit, i qetësoi demokratët se nuk do të ketë kurrfarë bashkëpunimi me qeverinë dhe se lufta e tij mbetet ajo ndaj të ashtuquajturit regjim. Për këtë ai përdori dy ditë më parë figurën e Azem Hajdarit, si simbolikë bashkimi dhe po ashtu, në seancën e parë parlamentare u dha porosi të tijve të grisnin në mënyrë demonstrative fletët e votimit për Kryetaren e Kuvendit.

Edhe dje, kreu Basha do të dilte nga salla e Kuvendit, ndërsa ka replikuar me kryeparlamentaren Nikolla. “Ti je një manekinë që merr urdhra nga dikush që nuk duhet të ishte këtu”, është shprehur Basha me kundërshti për rendin e ditës, duke braktisur sallën i ndjekur jo vetëm nga deputetët e grupit të tij parlamentar por edhe nga zoti Berisha.

Por ndërsa Berisha vijon të pretendojë se grupi parlamentar demokrat është i tij, Basha regjistroi në Grupin e PD-së më pak deputetë sesa fitoi nga zgjedhjet e 25 Prillit.

Pasi zoti Basha i vendosi aleatët e tij të partive të vogla në pozicione të favorshme në listat zgjedhore, tashmë u ka kaluar edhe deputetë që këta të fundit të krijojnë grupe parlamentare.

Shtatë anëtarë nga lista e PD janë bërë  pjesë e grupit të PR dhe shtatë  të tjerë janë pjesë e listës së PDIU, duke e çuar numrin në 58. Në këto lista zgjedhore, partitë aleate të Bashës patën nga një kandidat, që përkoi të ishin edhe kryetarë si Mediu, Idrizi, Duka, Dule dhe Shehi. Ndërkohë aleatja e PD-së, veçanërisht pas djegies së mandateve, LSI nuk i ka numrat për të krijuar grupin e saj parlamentar e që ka pësuar një tkurrje të madhe në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 2017-s. Kjo lëvizje e zotit Basha vjen në një kohë kur ai u bën thirrje demokratëve të mos përçahen e të bashkohen mes tyre.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj, shpjegoi dje para mediave arsyet pse kreu  Basha e akuzoi zonjën Nikolla për shkelje të rregullores. Sipas tij, rregullorja u shkel duke zvogëluar hapësirën e përfaqësimit të opozitës së Kuvend.

“Nuk mundet dhe nuk do ta bëjnë që të zvogëlojnë zërin e opozitës në Komisionet Parlamentare. Detyra jonë është të marrim pjesë atje, të ngremë zërin e qytetarëve dhe të bëjmë opozitën”, është shprehur zoti Rushaj, ndërsa demokratët nga tani do të kenë tre grupe parlamentare, megjithëse në zgjedhje koalicioni PD-AN pati një listë të vetme kandidatësh, ndërsa LSI zgjodhi të garojë e vetme dhe nënshkroi me Partinë Demokratike një koalicion paszgjedhor.

Ky mund të jetë një hap i zotit Basha për të përforcuar zërin opozitar përmes një hapësire më të madhe që marrin grupet parlamentare, por edhe një akt besimi tek aleatët -disa prej tyre bashkëpunëtorë të dikurshëm të maxhorancës së sotme -ndërsa  dy vjet më parë ishin vetë deputetë të dalë nga listat e PD-së ata që dolën kundër vendimit të kryetarit për djegien e mandateve dhe krijuan opozitën e re.

Deputeti i PD-së, pjesë e grupit Parlamentar, Tritan Shehu në një intervistë televizive do të shprehej se opozita ishte sot më e dobët se ajo e para dy viteve, duke folur për një moment të vështirë që duhet kaluar pasi të rregullohen gabimet nga brenda.

Ndërsa vetë Shehu shprehej pak kohë më parë se brenda Partisë Demokratike nuk kishte krisje dhe ishte një kundërshtar i tezave të deputetit të tërhequr Mark Marku mbi nevojën për rithemelim të saj, ka ndarë të njëjtin qëndrim me zotin Berisha mbi vendimin e fundit të kryetarit Basha. Sipas Shehut, Berisha është pjesë e grupit të PD-së pasi nuk ka pasur një vendim nga Këshilli Kombëtar apo anëtarësia.

“Këtu kemi një masë ndëshkimore që duhet të kalojë instancat e PD për tu quajtur legale. Pra në këtë mënyrë mendoj që u nisëm me këmbën e gabuar”, është shprehur Shehu, i cili ka kritikuar gjithashtu edhe djegien e mandateve parlamentare. “Përsëritja e këtij veprimi, për një qëndrim kaq madhor, mua më duket një gjë e gabuar, që duhet nuk qëndron. Janë shkelur konceptet e bashkëpunimit të një partie demokratike”, ka thënë ai.  Sipas Shehut, që megjithëse u shfaq në krah të zotit Berisha ditën e parë të legjislaturës së re, ndoqi sugjerimet e kryetarit Basha për grisjen e fletëve të votimit, vendimi për përjashtimin e Berishës nga  Grupi nuk është finalizuar.

Vetë ish- kryeministri ka lajmëruar hapa të mëtejshëm që sipas tij do të shërbejnë për rikthimin e sovranitetit të partisë, të cilën ia mori zoti Basha me vendimin për ta përjashtuar nga grupi parlamentar. “Çdo aksion që është në të mirë të PD,  nuk e dobëson atë. PD ka nevojë t’u tregojë shqiptarëve se  do të respektojë rregullat e brendshme. Për  këtë ka nevojë PD”, është shprehur Shehu.

Ndërsa Basha po përpiqet të maksimizojë zërin opozitar – duke ndarë edhe deputetët e tij në tre grupe të ndryshme parlamentare – një pol i katërt, si ai i zotit Berisha, që flet ende për një ndikim të madh brenda Partisë Demokratike, jo vetëm që është i pranishëm në Parlament, por ka lajmëruar një betejë ndaj kreut, duke mos i kursyer akuzat dhe pretendimet se po bashkëpunon me kryeministrin Rama.

Gjekmarkaj: Basha nuk kishte mundësi tjetër, ishte i vetmi shteg për të kaluar

Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka komentuar sërish vendimin e kreut të demokratëve, Lulzim Basha për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar. Ky vendim erdhi pasi Berisha u shpall non-grata nga SHBA-të.“Nuk ka pyetje të gabuara, por ka diçka të impostuar në pyetjen tuaj. Nuk shtrohet pyeta ishte vendim i gabuar apo ë padrejtë. Nuk kishte mundësi tjetër Lulzim Basha apo PD-ja. Duket se ishte shtegu i vetëm për të kaluar. E kam thënë dhe në një media se Sali Berisha është personalitet i madh politik, beteja për statut që mund të bëjë ai, nuk janë beteja për të, pasi janë të një kalibri të vogël.”, tha ai për mediat pak pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar.

Grupet  dhe Komisionet Parlamentare

 

1- Grupi i PS do përbëhet me 74 deputetë, kryetar Taulant Balla

 

2- Grupi i PD me 44 deputetë, kryetar Alfred Rushaj

 

3-Grupi Parlamentar i Aleancës për Ndryshim do ketë 7 deputetë, kryetar Fatmir Mediun

 

4-Grupi Parlamentar i Demokraci dhe Integrim do ketë 7 deputetë, kryetare Mesila Doda

PDIU dhe aleatët u ndihmuan me deputetë ‘borxh’ nga Basha, ndërsa Berisha mbeti zyrtarisht jashtë grupit parlamentar të PD-së. Edhe LSI mbeti pa grup parlamentar pasi ka vetëm 4 deputet nga 7 që duhet të ketë një grup.

Kuvendi miratoi sot edhe drejtuesit e Komisioneve të Përhershme Parlamentare.

 

-Nasip Naço kreu i Komisionit të Sigurisë (PS)

 

-Mimi Kodheli kryetare e Komisionit të Jashtëm (PS)

 

-Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit të Ekonomisë (PS)

 

-Arben Pëllumbi, kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese (PS)

 

-Klotilda Bushka  kryetare e Komisionit për çështjet ligjore (PS)

 

-Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për Integrimin Europian (PD)

 

-Albana Vokshi, kryetare e Komisionit për Shëndetësinë (PD)

 

-Agron Gjekmarkaj, kryetar i Komisionit për Edukimin dhe Median (PD)  /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back