Aktualitet

PD: OSSH e Elbasanit abuzon me taksat e qytetraëve, paguan 1.77 miliardë lekë për roje

Shkruar nga Liberale
PD: OSSH e Elbasanit abuzon me taksat e qytetraëve, paguan 1.77

Zëdhënësja e PD-së Mirela Karabina dhe inxhinieri Azmer Duleviç, kanë dalë paraditen e kësaj të shtune në një deklaratë për media, ku kanë hedhur akuza dhe denoncime ndaj qeverisë Rama.

Karabina u shpreh se, Shqipëria sot renditet e fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe fuqinë blerëse sepse vjedhja dhe korrupsioni është në nivelet më të larta.

“Vjedhja dhe korrupsioni i qeverisjes së Edi Ramës çdo ditë po varfëron dhe vështirëson jetën e qytetarëve. Paratë e tenderave dhe koncensioneve korruptive përfundojnë në xhepat e matrapazëve të korrupsionit. Afera e inceneratorëve iu kushton shqiptarëve 430 milionë euro, sterilizimi i instrumenteve kirurgjikale 17 milionë euro, shërbimi i kontrollit shëndetësor “Check up” 120 milionë euro dhe shumë afera të tjera miliona e miliona euro, për zbardhjen e të cilave Partia Demokratike ka bërë një betejë publike, tashmë të faktuara si të drejta nga arrestimet dhe sekuestrimet e SPAK.

Pra, para ka por ato vidhen! Ndërkohë që Shqipëria sot renditet e fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe fuqinë blerëse sepse vjedhja dhe korrupsioni është në nivelet më të larta. Varfëria mbetet një realitet i dhimbshëm ku shumica e vendeve të punës ofrojnë paga të ulëta që nuk përballojnë as minimumin jetik të nevojave për një familje. Pothuajse 1/3 e shqiptarëve jetojnë me rreth 5 dollarë në ditë, këto familje nuk sigurojnë as ushqimin bazë për mbijetesë.

Studentët dhe të rinjtë braktisin vendin pasi jo vetëm nuk investohet për to, për arsimim cilësor të tyre, por nuk u sigurohet as punë e as pagë dinjitoze për të ndërtuar një jetë të mirë. Shqipëria bëhet një vend i mirë pasi ka potencial të jashtëzakonshëm, të cilat një qeveri e përgjegjshme i shndërron në mirëqenie për qytetarët. Ndaj, lufta kundër vjedhjes dhe korrupsionit, si një nga shkaktarët kryesorë të situatës së rëndë ekonomike në të cilën ndodhet vendi, është prioritet kryesor i Partisë Demokratike. Partia Demokratike për qytetarë dhe në krah të tyre do të denoncojë çdo veprim që cenon interesin qytetar dhe pengon zhvillimin e vendit”, tha Karabina.

Nga ana tjetër inxhinieri Duleviç denoncoi OSSH e Elbasani për abuzim me taksat e qytetarëve, duke thënë se ka “lidhur kontratë për Shërbim sigurie i ruajtjes fizike të ndërtesave, aseteve dhe njerëzve të Drejtorisë Rajonale të OSSH dhe FSHU Elbasan për roje dhe sisteme sigurie alarmi! Vlera totale përfundimtare e kontratës me gjithë TVSH është 177.561.198,52 Lekë për 3 vite”.

Ai gjithashtu u shpreh se në Elbasan ka mungesë të thelluar investimesh në sistemin e shpërndarjes dhe se ka zona kryesisht rurale që nuk janë ndërruar përcjellësit, ose telat elektrik.

“Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe OSSH-SHA/ Drejtoria Rajonale Elbasan vazhdon me abuzimet me taksat e qytetarëve shqiptar dhe kryesisht qytetarëve të Elbasanit.

Në datën 29.09.2023 ka lidhur kontratën për Shërbim sigurie i ruajtjes fizike të ndërtesave, aseteve dhe njerëzve të Drejtorisë Rajonale të OSSH dhe FSHU Elbasan për roje dhe sisteme sigurie alarmi!

Vlera totale përfundimtare e kontratës me gjithë TVSH është 177.561.198,52 Lekë për 3 vite. Thënë më thjeshtë për qytetarët, për roje Drejtoria e OSSH Elbasan do të paguajë 1 miliardë e 775.6 milionë lekë.

Se çfarë do të ruajë me 1.77 miliardë lekë OSSH e Elbasanit, hajde e mere vesh! Edhe po të vendosin nga një roje në çdo shtyllë elektrike, përsëri mbesin e teprojnë lekë në këtë abuzim. Nga ana tjetër kemi mungesë të thelluar të investimeve në qarkun e Elbasanit në sistemin e shpërndarjes. Kemi zona kryesisht rurale që nuk janë ndërruar përcjellësit, ose telat elektrik siç I njohin qytetarët sot e 38 vite. Kemi përcjellësa të arnuar, kabina elektrike të para viteve 90 që në shiun e parë që bie qytetarët rrinë me orë të tëra pa energji elektrike nga rrjeti i amortizuar!

Pas PPP të famshme, duket se është gjetur një formë tjetër për të grabitur lekët e shqiptarëve sepse të njëjtën procedurë po bën dhe OSSH Burrel që ka shpallur tenderit për roje me një vlerë 64.512.541 Lekë (645 milion lekë). Pra është e papranueshme dhe e papjustifikueshme që për ruajtjen e sigurisë fizike në këto ambiente, të bëhet fjalë për vlera të tilla, sepse nuk e justifikojnë aspak qëllimin për të cilat po kryhen.

Prandaj Partia Demokratike do të denoncojë çdo vjedhje dhe abuzim që i bëhet qytetarëve të elbasanit, të Burrelit dhe në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Qytetarët e Elbasanit dhe të Burrelit dhe të gjithë vendit duhet ta dinë që fokusi i kësaj qeveria nuk janë ata por xhepat e pushtetarëve të Edi Ramës.”, tha Duleviç.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH