Aktualitet

PD mbështet SPAK dhe e inkurajon atë të hetojë dhe të çojë para drejtësisë këdo qe ka abuzuar me pasuritë e shqiptarëve

Shkruar nga Liberale
PD mbështet SPAK dhe e inkurajon atë të hetojë dhe të

Nga Roland Bejko

Halli i Sali Berishes nuk është dhe nuk duhet të jetë më halli i demokratëve, as i shqiptarëve. Kriza e Sali Berishës, nuk mund të jetë edhe kriza e PD, as e demokracisë shqiptare.

Qysh prej ditës së parë kur ai vendosi të kthehej me foltoret e tij, e kemi thënë se Berisha për hallin e vet e çoi në shkatërim PD duke e përdorur atë si një kullë ngujimi nga frëngjitë e së cilës qëlloi qysh atëherë, edhe sot akoma, me gjylet e gënjeshtarve këdo që është kundër tij; sa nga Lul Basha te SHBA-të. Sa nga ambasadorja amerikane, tek ai i Britanisë së Madhe.

Përsëri dhe sot si çdo të premte, Berisha vazhdoi avazin e vjetër në një situatë të re, me gjuhën e shpifjeve dhe mashtrimit për të inkurajuar militantët dhe mbështetësit e vet të rënë moralisht e besimthyer, drejt marrëzisë së rradhës duke i ftuar ata për të njëqindën herë t'i bashkohen të ashtuquajturit "revolucionit final"...

Gënjeshtra e tij e rradhës sot për militantët dhe opinionin publik kishte të bënte me një aleancë imagjinare midis Lul Bashës dhe Edi Ramës pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Sipas tij Basha i kishte dërguar emisarë që i "kërkuan uratën (bekimin) Berishës, për bashkqeverisje me Ramën...". E, nëse Berisha, do ta pranonte atë kontratë, sot ai nuk do ishte non grata, dhe as dhëndëri i tij nuk do ishte në burg.

Por, pas kësaj deklarate të Berishës, kushdo që i ka ndjekur prononcimet e tij që nga foltoret e deri te konferencat e shtypit, ka dëgjuar jo një herë, por mijëra herë se ai nuk dinte gjë për vendimet që merrte Lulzim Basha si kryetar i PD-së.

Berisha ka thënë se "Lul Pengu" nuk e ka pyetur për asnjë nga vendimarrjet e mëdha, as për mospjesëmarrjen në reformën territoriale, as për reformën në drejtësi, as për marrëveshjen e 17 majit, as për djegien e mandateve, as për mosfutjen në zgjedhjet lokale të 2019, as për hartimin e listave të deputetëve, pra, për asgjë fare, sepse me demek, ai, Sali Berisha, nuk kishte pikën e influencës mbi vendimmarrjet e Lulit.

Luli vendimet për PD, sipas Berishës së foltores, i merrte nën ndikimin e Edi Ramës si "pengu i tij".

Por, befasisht, sot, gjatë deklaratës së Berishës, na doli që Lul Basha, i paskësh dërguar emisarë atij për t'i marrë leje të futej në kualicion qeverisës me Ramën...

Pikërisht këtu na lindin disa pyetje:

(i) Ndërkohë që Lul Basha nuk e ka pas pyetur më parë për asgjë Berishën, përse do t'ia merrte mendimin për t'u futur në bashkqeverisje me Ramën?!

(ii) Ndërkohë që Edi Rama kish siguruar mazhorancën i vetëm me Tom Doshin, atëherë përse do t'i duhej Lul Basha në qeverisje?!

(iii) Ndërkohë që Berisha ishte në dijeni të këtyre "piruetave" të Lul Bashës të cilin e akuzon prej dy vjetësh si shitës të interesave të demokratëve, atëherë përse nuk kërkoi dorheqjen e tij pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit 2021, por vazhdoi t'i jepte mbështetje duke e votuar më pas edhe për kryetar të PD-së?!

Pra, sot Sali Berisha, më në fund e ka pranuar me gojën e vet se ai ka qenë "de fakto" gjithmonë pronari i vërtetë i Partisë Demokratike dhe asgjë nuk bëhej pa lejen, dijeninë dhe bekimin e tij.

Kjo në fakt nuk është e re si për shqiptarët, ashtu dhe për ndërkombëtarët.

Prandaj ata ia vunë festen në kokë siç e meritonte duke e dizenjuar non grata si pengues i demokracisë, minues i reformës në drejtësi dhe favorizues i korrupsionit për njerëzit e tij të afërt e bashkëpunëtorët.

Ndaj, në vend të gënjeshtrave kaq të trasha që shpërndan duke e helmuar edhe më shumë mendjen e demokratëve që i kanë besuar, Sali Berisha duhet të shkojë para drejtësisë dhe të provojë pafajësinë e tij. Këtë ua ka borxh të gjithë atyre që e kanë mbështetur për 32 vite me rradhë.

Ai s'mund t'u hedhe më hi syve demokratëve dhe shqiptarëve me përralla të dala boje, me akuza që koha tregoi se ishin veç mashtrime për hallin e tij.

Kulla 64 katëshe në zemër të Tiranës na dëshmoi se ditën e ka të programuar për të sulmuar Edi Ramën që po vret demokracinë, ndërsa natën merr prej tij leje ndërtimi për oborrtarët e vet.

Në fakt, aleanca e kullava është aleanca më okulte që ka dëmtuar rëndë jo vetëm PD-në, por edhe Shqipërinë dhe shqiptarët, që me korrupsionin masiv dhe kriminalizimin e ekonomisë, u kanë marrë peng të arthmen e fëmijëve të tyre.

Hallin e tij S. Berisha, nuk mund ta bëjë më tej hallin e demokratëve. Malin e shpifjeve dhe të gënjeshtrave demokratët e shqiptarët bashkë, nuk mund ta lejojnë që të bëhet edhe më i lartë se vet kulla sa një mal në mes të Tiranës.

Mashtrimet se Lulzim Basha nga njëra anë, dhe Edi Rama nga ana tjetër, me demek, nuk donin të beheshin kryeministra, por donin të bashkqeverisnin duke "vrarë pluralizmin dhe demokracinë", nuk ka idiot që i beson.

Si çdo marrëzi, dhe marrëzia e Sali Berishës e ka një fund. Pyetja është, me çfarë kosto?!

Partia Demokratike është plotësisht në mbështetje të SPAK dhe institucioneve të drejtësisë duke i inkurajuar ato në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet e ndaj kujtdo që ka qenë dje, dhe është i përfshirë sot në këto afera.

Partia Demokratike e ka bërë zgjedhjen e saj tashmë, duke u ndarë qartësisht nga e shkuara, e duke projektuar të ardhmen e duhur për demokratët dhe shqiptarët që besojnë te programi dhe vizioni i qartë pro perëndimor i saj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH