Kryesore

Pastaj erdhi mëngjesi dhe ajo nuk ishte më…

               Publikuar në : 09:28 - 09/09/19 Preç Zogaj

-Romani “Tre shokët” i  shkrimtarit gjerman Erih Maria Remark-

Preç Zogaj

Nuk mund ta  di  sot si do  të  kishte qenë  rinia  e  lexuesve dhe krijuesve të brezit tim  pa romanin “Tre shokët”, të  shkrimtarit gjerman Erih Maria Remark. Të njëjtën  gjë mund të themi për  disa autorë dhe libra të  rrallë,  që shënuan formimin e vështirë, plot kundërthënie, të  vetëdijes sonë estetike. Por “Tre shokët”, ishte  më  i  veçanti i të  veçantëve,  një  libër tjetër, një libër që lexohej e dëgjohej njëkohësisht,  një libër  intim që  kishte intonacionin  e një fjale  veshi  nga ato që i pëshpëriten njeriut në orët e vetmisë së tij me të thellë duke i përcjellë gjuhën  dhe horizontin e një botë tjetër, që hapet atje ku mbyllet e  përditshmja.  “Tre shokët ” ishte shoku i ngushtë e sekreteve. Ma merr mendja se çdo  lexues  përfundonte shoku i katërt i tre personazheve të librit, i Robit, Otos dhe Lencit; çdo lexues  jetonte,  gëzonte,  vuante, ndante me ta  ngashënjimin  dhe hidhësinë e një  brezi të humbur.

Në të vërtetë  “Tre shokët” ishte   libri që sikur ishte shkruar enkas  për një brez pa busull, të cilin retorika dhe demagogjia politike  në rutinë e fillimit e fundit të viteve shtatëdhjetë  dhe fillimeve të viteve tetëdhjetë  rrekej ta mbante  akoma  në binarët e  utopisë,  ndërkohë që ishte kuptuar  qartë  se nuk do të kishte  mbërritje në asnjë  destinacion të shpallur. Në  këto kushte, me vetëdijen e  turbullt të  të qenit brezi i humbur, të rinjtë dhe të rejat shqiptare të asaj  kohe  përpiqeshin  të kapeshin  pas diçkaje tjetër, më  humane;   të  zbulonin lidhje shpirtërore  në gjera të vogla e të thjeshta,  të shpiknin një lloj alegrie kontraverse  duke  mbuluar me një shtresë të hollë humori dhe shakaje  kushtëzimet  dhe mjerimin,  të prireshin drejt një  romantizmi erotik të  zbukuruar me ndjenjat  e palumturisë dhe sakrificës për të dashurën apo të dashurin.  Me fjalë të tjeta përpiqeshin të kapeshin pas asaj fryme, gjendjeje dhe filozofie disi fataliste, por kritike  në thelb që  përshkon  romanin  “Tre shokët”.

Ky roman ishte botuar për herë të parë në vitet gjashtëdhjetë në përkthimin e  Robert Shvarcit,  në  periudhën e një pranvere të vogël letrare kulturore në Shqipërinë komuniste të kohës, kur shtëpia botuese “Naim Frashëri”, me drejtor Drago Siliqin dhe shef të përkthimeve Nasho Jorgaqin, kishte autorizuar dhe botuar disa kryevepra  të letërsisë  moderne, që pak më vonë do të tërhiqeshin nga qarkullimi apo do të liheshin në harresë si vepra të dëmshme për  moralin  dogmatik të kohës.  “Tre shokët” erdhi në  shqip në këtë “pranverë” dhe  shëtiti  nëpër duart e  brezave përgjatë  me shumë se dy dekadave,  si një libër “ i harruar”, për të mos  thënë  i ndaluar. Pa qenë nevoja të kishe në dorë ndonjë vendim për ndalimin e  tij, çdo lexues i ri  e kuptonte menjëherë, se ky roman, ishte  si mish i huaj në  menynë zyrtare të  përkthimeve dhe leximeve të kohës. E megjithatë  ka gjasa, të ketë qenë një nga librat me të lexuar të kohës. Unë nuk kam njohur ndonjë poet, prozator apo intelektual libërdashës  me  një talent mbi mesataren që të mos kishte lexuare adhuruar romanin “Tre shokët”. Titulli, personazhet apo ndonjë fragment i këtij  romani ishin si me thënë shenja e njohjes  së intelektualëve të “brezit të humbur” shqiptar.

I ndërtuar  si një rrëfim në veten e parë nga njëri  prej tre shokëve, nga Robert Lokamp, romani  zhvillohej në dy linja komplementare me njëra tjetrën,  në linjën e   shpalosjes përmes  episodeve të  ndryshme të një  miqësie  jashtëzakonisht të pastër  e të sinqertë  të tre  shokëve,  Robertit,  Oto Kaslerit dhe Gotfrid Lencit dhe në linjën e një dashurie  nga më të bukurat dhe më prekëset  që  është ajo e Robertit me Patris Holmanin,  apo e Robit me Patin.

Tre shokët  janë  tre tridhjetëvjeçarë  gjermanë që  kanë shpëtuar gjallë nga   lufta e parë botërore. Ishin njohur në llogoret  e vdekjes  kur nuk ishim me shumë se tetëmbëdhjetë vjeçare, kishin parë moshatarët dhe miqtë  e tyre të vriteshin, vetë ishin plagosur disa herë, por fati i kishte lënë të jetonin paqen që  do të vinte me hidhërimin e  zhgënjimeve dhe kotësisë për të cilën ishin sakrifikuar kaq shumë jetë.  Këta janë shokët e lidhur në mbijetesë, thënë ndryshe në një jetë të dytë, shokë të  zemrave të pastra dhe të  dëshpërimit njëkohësisht. Qenë kthyer nga lufta porsi minatorët që dalin  nga një galeri e shembur. Kishin dashur  të marshonim kundër gënjeshtrës, egozimit, lakmisë, plogështisë së zemrave, të cilat ishin fajtore për gjithë ato mundime që kishin hequr  e lënë. Por gjithçka ishte  shkatërruar, harruar,  falsifikuar. Koha e njerëzve të mëdhenj dhe ëndrrave të mëdha kishte vdekur. Po triumfonin afaristët, korrupsioni, mizerja.  Tre shokëve dhe brezit të cilit i përkisnin u kishte mbetur  ndjenja  e dëshpërimit, e moskokëçarjes dhe pija. Dhe një lidhje e shenjtë në miqësi, që nuk i gjendet shoqja.

Banaku i barit Internacional ku mblidheshin pas punës dhe në fundjava  ishte “vendkomanda e jetës”, sipas  Robit.  Rrëfimi i tij  shpaloste në çdo episod dhe detaj  atmosferën  jetës në  Gjermaninë midis dy luftërave. Ndërkaq një katalog i pijeve të  njohura e të panjohura për ne, farfurinte nga njëra faqe e librit në tjetrën, konjaku që rridhte si i florinjtë, xhini që vezullonte  si akuamarin, rumi që ishte si vete jeta, martini,  kalvadosi  dhe shtajnhengermi,  një pije gjermane si raki dëllinje. Tre shokët  kishin një servis makinash dhe një   pikë karburantesh, siç mund ta themi në fjalorin e sotëm.  Manovrat dhe marifetet e tyre për të shitur e fituar porosi pune  i jepnin romanit dritën e një humori të çiltër e të gëzueshëm. Kudo rreth e rrotull tyre gjallon Gjermania e lodhur, në krizë dhe në depresion, si parathënie e nazizmit.

Faqet më të bukura  dhe më  prekëse  të romanit janë  ato  të dashurisë së Robit me Patin. Më ka mbetur si mbresë  e pashlyeshme kujtimi  i lartësimit të kësaj dashurie,  më fjalë dhe gjeste të thjeshta, por shumë prekëse, që të ngrinin shpirtin përpjetë. Pati është një vajzë jashtëzakonisht e bukur,  e dashur, e brishtë,  e çiltër, e  mençur, fatkeqe.  Ajo përfshihet  natyrshëm në atmosferën e  miqësisë  mes tre shokëve , është e dashura e Robit, e ndërkaq është si motra e Otos dhe Godfrid Lencit. Por si çdo gjë e rrallë, ajo i ka ditët e numëruara. Mushkëritë e saj janë  copë. Robi do të  informohet e ndërgjegjësohet vonë për  sëmundjen e saj. Do të bëjë çmos ta shpëtojë, do t’i qëndrojë pranë deri në fund si një luftëtar  dhe hero i madh i dashurisë.

Janë disa episode që nuk harrohen  kurrë, episode të një solidariteti dhe vetmohimi të rrallë për shokun dhe mikun, si përshembull  nisja e Oto Keslerit nëpër natë  me makinë  e tij legjendare për të  transportuar, duke e gënjyer,   mjekun e Patit gjashtëqind kilometra larg,  atje ku vajzën  e kanë zenë krizat e sëmundjes ndërsa ka qenë me pushime me Robin. Një episod shumë prekës, i përshkruar me mjeshtëri të lartë nga  shkrimtari është ai i vrasjes së Gotfrid Lencit  nga fanatikë të së djathtës ektreme dhe i përçatjeve të shokëve të tij për t’i marrë hakun. Lidhja e thellë shpirtërore dhe miqësia pa kushte e personazheve  të Remarkut  është realiteti paralel që ky shkrimtar krijon  me realitetin e  ashpër të  përplasjeve  dhe egoizmit në shoqërinë  ku jetoi.

“Tre shokët”  do të përfundojë si një tragjedi në kreshendo, kur në grupin e miqve të ngushtë, të cilëve u është shtuar Pati dhe në të cilin bën pjesë edhe makina legjendare me emrin “Karli” fillon rrallimi, shkatërrimi.  Vritet Godfridi flokëverdhë,  falimenton servisi, shtrohet në sanatorium Pati, Otoja shet “Karlin” për t’i mundësuar Robit qëndrimin pranë së dashurës  dhe së fundi vjen vdekja e Patit.

“Ajo vdiq në orët e fundit të natës para se të agonte. Hoqi shumë dhe vdiq me mundime të mëdha dhe askush s’mundi ta ndihmonte….Ia lava pastaj gjakun. Isha si një copë dru. Ia kreha  flokët. Ajo filloi të ftohej…Pastaj erdhi mëngjesi dhe ajo nuk ishte më”.

Sa herë më ka ndodhur më vonë  të zë  me dorë  romanin “Tre shokët” mendja ime   ka përsëritur   paragrafët e fundit  tragjik të Patit dhe zemra me  është kredhur  në zinë  e egër për këtë vajzë  gjermane,  njëlloj si herën e parë kur ma pati dhënë për ta lexuar Remzi Lani.  Remziu kishte qejf të citonte batuta nga  katologu i  sharjeve të Robit, si përshembull: “varreze ambulante biftekësh”,  apo sentenca ironike  të tipit, “në  ditët kur bie shi dhe fryn erë nuk është keq të shkosh në kinema apo në muze të marrësh pak kulturë”, që gjendeshin me shumicë në  këtë roman. Por kur  përmendej fundi, edhe Remziu  mbetej pa fjalë dhe na dukej se çdo  mëngjes   vinte për të na kujtuar se Pati  nuk ishte më,kaq i fortë ishte emocioni që përcillte tragjedia e saj.  Pas kësaj nuk kishte kuptim të dinim me shumë për dy të  mbeturit, Robin dhe Oton. Ata  ishin vetëm në  botë./Gazeta Liberale

(Visited 138 times, 1 visits today)

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *