Kryesore

Pasionanti Rama?

               Publikuar në : 09:55 - 17/10/20 liberale

Klementin Mile

‘Unë jam pasionant’, deklaroi Rama përballë analistëve në “Opinion”, ‘dhe unë këtë vend do ta pastroj doni ju s’doni ju’. Më shumë se një tipar të karakterit të tij, çka është çështje personale dhe pa ndonjë rëndësi publike, Rama theksoi motivin që, sipas fjalëve të tij, e shtynte në politikë. Motivi është çështje thelbësore, pasi është kusht i domosdoshëm i lëvizjes së gjërave politike. Në mungesë të motivit, pra të lëvizjes, politikanët nuk do mund të ekzistonin, ose do të ekzistonin në gjendje vegjetative. Prandaj rëndësia e motivit nuk mund të theksohet sa duhet.

Interesat dhe pasionet

Por motivet mund të jenë të ndryshme. Të gjithë ata që marrin pjesë në politikë – si kandidatë, deputetë, ministra, anëtarë partie, militantë, votues, aktivistë kauzash publike, apo qytetarë me të drejta dhe detyrime – i formojnë preferencat e tyre dhe i përftojnë motivet në njërën nga gjashtë mënyrat që njohim. Mënyra më e zakonshme në shoqëritë bashkëkohore është ndjekja e interesave vetjake. Analistët e prezumojnë këtë si bazën e vetme, ose të paktën si bazën më të zakonshme të konfliktit dhe të motivit për veprim. Gjithashtu analistët besojnë që këta interesa janë kryesisht, në mos ekskluzivisht, të natyrës materiale ose monetare dhe prandaj mund të ndiqen racionalisht ashtu sikundër mund të blihen mallrat dhe shërbimet në treg.

Në zanafillën e tij, mendimi politik i dha prioritet pasioneve, pra një nxitjeje të brendshme për të vepruar në përgjigje ose të sensit të personit për veten ose në përgjigje të të kuptuarit personal të normave sociale dhe etike të ndonjë grupi të popullsisë. Nderi, lavdia, drejtësia, respekti dhe identiteti shfaqen kudo në këto vepra pasionante, por kryesorja ka qenë gjithmonë dëshira për pushtet. Njerëzit, që prej mendimeve politike më të hershme të regjistruara, janë konsideruar gjithmonë se kanë një pasion të brendshëm për të dominuar të tjerët, duke marrë edhe kënaqësi të veçantë nga kjo gjë.

Bindjet dhe besnikëria

Së treti, janë bindjet. Historikisht, këto lidheshin zakonisht me besimet fetare. Më vonë, në shoqëritë më të shekullarizuara, elementi kyç i motivimit është bërë ideologjia, pra një sistem konceptesh që u jep agjentëve politikë një kuptim gjithëpërfshirës të ambientit të tyre dhe të pozicionit që zënë në të, si edhe një set angazhimesh drejt një qëllimi kulturor, ekonomik, politik ose social. Sigurisht, interesat dhe pasionet zakonisht gjenden të mishëruara diku në këto sisteme besimi, por motivi për veprim vjen më shumë nga konsiderata e tjetrit sesa e vetes dhe orientohet drejt sistemit politik në tërësi. Me shfaqjen e partive politike si agjentë të rëndësishëm konkurrues ose revolucionarë (edhe atëherë kur revolucioni i jep fund konkurrencës), apeli i tyre ndaj anëtarëve, votuesve, ose “popullit” ishte, të paktën fillimisht, i bazuar te ideologjitë që kombinonin elementë të ndryshëm të bindjes fetare, etnike ose klasore.

Së katërti është besnikëria. Ajo mund të diskutohet duke iu referuar pasivitetit të njerëzve përballë një situate ku ekziston mundësia për të vepruar. Por njerëzit mund të veprojnë gjithashtu edhe prej besnikërisë që kanë kundrejt njerëzve të tjerë – një lideri, një grupi informal, ose një institucioni formal. Në këto kushte ata nuk kanë nevojë të kenë ndonjë bindje ndaj kauzës ose ndonjë besim që t’i motivojë ndaj atyre për të cilët ndiejnë besnikëri. Për njerëzit në marrëdhënie të qëndrueshme, besnikëria mund të farkëtojë një lidhje edhe më të fortë se bindja. Për të vepruar, këta njerëz nuk kërkojnë besime ose arsye, të cilat mund të sfidohen nga argumente të reja, informacion i ri, ose situata të reja, por kanë nevojë vetëm për identifikim me individë të tjerë ose me bashkësi ku ndiejnë përkatësi. Motivimit të tyre mund t’i mungojë edhe pasioni i rrënjosur në kuptimin personal të normave sociale dhe etike të grupit; mjafton vetëm të jesh pjesë e grupit pa besuar domosdo fuqimisht në vlerat që promovon. Motivi është thjesht të mbetesh i idetifikuar me të tjerët.

Zakoni dhe frika

Së pesti, njerëzit – madje edhe qytetarët në demokraci – mund të veprojnë politikisht as qëllimisht, as me përgjegjësi, as emocionalisht, as prej besnikërisë, por thjesht prej zakonit. Ata socializohen për t’iu konformuar rregullave dhe normave që janë zgjedhur ose zhvilluar në rrethana të tjera në të shkuarën, por janë ngurtësuar dhe vlerësuar në mënyrë që të aplikohen në të tashmen. Ata vëzhgojnë sjelljen e të tjerëve që mund të jenë të motivuar në mënyrë më të vetëdijshme dhe më kritike dhe instinktivisht imitojnë çka bëjnë këta “të tjerë relevantë”. Votimi mund të jetë një shembull i përshtatshëm i këtij fenomeni. Shumica e votuesve potencialë nuk kanë interes për të marrë pjesë pasi kontributi individual i tyre për rezultatin është minimal – përveç rastit kur pritet që gara të jetë shumë e ngushtë. As nuk janë gjasat që ata të jenë pasionantë për një veprim të tillë – përveçse po të jenë veçanërisht të joshur nga personaliteti i kandidatit ose i pozicionit politik, ose sepse nuk e durojnë dot kandidatin tjetër dhe shkojnë për ta votuar kundër me pasion. Bindja ka gjasa të luajë rol vetëm nëse rezultati i zgjedhjeve është shumë i rëndësishëm ose nëse ndonjë grup social e lidh votimin me përkatësinë në grup. E megjithatë, shumë votues marrin pjesë edhe në mungesë të ndjenjave të besnikërisë ndaj partisë ose kandidatit. Në fakt shumë votues duket se votojnë prej zakonit. Ata e kanë bërë këtë më parë, fqinjët e tyre po e bëjnë, normat e qytetarisë duket se e kërkojnë. Fatkeqësisht, ky zakon po vjen duke u zbehur në thuajse të gjitha demokratitë e reja ekzistuese kudo në botë. Abstenuesit vijnë duke u rritur nga njëra zgjedhje në tjetrën. Shumica e njerëzve nuk jetojnë as për politikën as nga politika. Shumë njerëz preferojnë të jetojnë pa politikën. Thënë këtë, zakonet politike kanë përmbajtje reale dhe variojnë mjaft në kohë dhe hapësirë. Siç e ka theksuar filozofi italian Gramshi, ato përfshijnë çka merret si “sens komun” dhe formojnë një komponent thelbësor të çdo hegjemonie funksionuese. Pra, krijimi, riprodhimi dhe transformimi i zakoneve politike është një projekt politik i klasit të parë.

Së fundi, është prania e gjithkundshme e frikës. Pavarësisht se kush janë agjentët politikë dhe për çfarë regjimi bëhet fjalë, politika është në analizë të fundit shtrëngim dhe, për të qenë efektive, ajo duhet të shoqërohet me kërcënimin ose aplikimin e sanksioneve të mjaftueshme për të ngjallur frikë. Në demokracitë e konsoliduara shumica e qytetarëve e pranojnë këtë si legjitime, pra si një kusht të domosdoshëm dhe të parashikueshëm për zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe për shpërndarjen e pranueshme të të mirave publike. Dikush duhet t’i policojë rregullat dhe përpjekjet e tyre për ta bërë këtë ka gjasa të jenë më legjitime nëse ata që i aplikojnë mund të bëhen të japin llogari për veprimet e tyre. /Gazeta Liberale

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back