Globi

Pas Covid-19, Bill Gates i përqendron të gjitha forcat në një tjetër sëmundje

Shkruar nga Liberale
Pas Covid-19, Bill Gates i përqendron të gjitha forcat në

Bill Gates ka deklaruar se objektivi i tij numër 1 është të zhdukë poliomielitin nga faqja e dheut. Në një intervistë për “The Telegraph”, miliarderi i shndërruar në filantrop, i cili punon prej dy dekadash kundër kësaj sëmundjeje, tha se poliomielitit i kanë mbetur vetëm dy “fortesa” që duhen shembur, në Afganistan dhe Pakistan.

“Të them të drejtën, do të bëja gjithçka për të ndihmuar në fushatën kundër polios, është prioriteti kryesor për fondacionin tonë”, tha Gates. Ai shtoi se partnerët e fondacionit të tij kanë arritur të takohen me Talebanët në Katar, por situata për të ndërhyrë atje është e ndërlikuar, për shkak të sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara. Por Gates u shpreh i lumtur që Talebanët kishin mbajtur në detyrë ministrin e Shëndetësisë që shërbente para marrjes së pushtetit nga ata. Ndërsa në Pakistan, pengesa më e madhe po bëhen përmbytjet.

Përveç këtyre dy shteteve, raste me poliomielit janë shfaqur në Malavi dhe Mozambik, por edhe në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. “Kjo tregon se mund të na kthehet kudo në botë”, tha Gates. “Nëse dorëzohemi, do të përhapet sërish masivisht dhe do të kemi 100 mijë fëmijë të paralizuar çdo vit. Kështu që, në këndvështrimin tim, na duhet këmbëngulje që të kemi sukses”.

Këtë fundjavë, nisi në Berlin Samiti Botëror i Shëndetësisë, ku do të kërkohet të sigurohet një fond prej 4,8 miliardë dollarësh për katër vitet e ardhshme, vetëm për Nismën e Zhdukjes Globale të Poliomielitit. Të dielën, Gates premtoi se fondacioni i tij do të sigurojë 1,2 miliardë dollarë. Që prej vitit 2007, ai ka dhuruar thuajse 5 miliardë dollarë për këtë nismë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH