Globi

Pas arrestimit, kreu i veteranëve të UÇK-së dërgohet në Hagë

Shkruar nga Liberale
Pas arrestimit, kreu i veteranëve të UÇK-së dërgohet

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, është vënë në pranga këtë të premten. Arrestimi i Gucatit është bërë në zyrat e organizatës që ai drejton nga pjesëtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX).

Kamerat kanë fokusuar Gucatin me pranga në duar teksa del i shoqëruar nga forca të shumta të EULEX nga zyrat e OVL të UÇK-së dhe duke hyrë në një makinë.

“Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së është nisur për në Hagë", ka deklaruar Metush Kryeziu pjesëtar i organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK. Ai tha se për këtë lajm janë njoftuar nga familjarët e Gucatit.

“Iu bëjmë thirrjeve institucioneve tona të reagojnë dhe mos të rëndohet situata”, tha ai.

Deri më tani ende nuk dihen arsyet që qëndrojnë pas arrestimit të Gucatit. Në vendin e ngjarjes janë parë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Kujtojmë se një ditë më parë u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar Salih Mustafa, një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.

Ndërkohë ashtu siç bëri bujë në media, Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo “mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve”. Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga.

Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike, apo kopje.

Të martën, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH