Legjenda e Hollivudit Bruce Lee mund të ketë vdekur nga pirja e tepërt e ujit, kanë pohuar shkencëtarët pothuajse 50 vjet pasi ylli i Kung Fu-së ndërroi jetë.
Eksperti i arteve marciale dhe ikona e Hollivudit vdiq në Hong Kong në vitin 1973, në moshën 32-vjeçare. Një autopsi në atë kohë zbuloi se shkaku i vdekjes së Bruce ishte enjtja e trurit, për të cilën mjekët fajësuan efektet e një qetësuesi.
Megjithatë, shkencëtarët tani mendojnë se mund të ketë një shpjegim tjetër. Studiuesit kanë zbuluar se aktori mund të ketë vdekur nga hiponatremia, e cila bën që natriumi në trup të hollohet nga pirja e shumë ujit.
Një çekuilibër bën që qelizat në trup të fryhen, duke përfshirë ato në tru. "Me fjalë të tjera, ne supozojmë që paaftësia e veshkave për të nxjerrë ujin e tepërt vrau Bruce Lee," shkruajtën mjekët në "Clinical Kidney Journal".
Studimi pretendon se Bruce kishte faktorë të shumtë rreziku për hiponatriemi, duke përfshirë pirjen e shumë lëngjeve, përdorimin e kanabisit, i cili mund të shkaktojë dehidratim, si dhe stimulues të tjerë që mund të dobësojnë veshkat, të tilla si ilaçet me recetë dhe alkooli, shkruan Mirror.
Matthew Polly, i cili shkroi biografinë "Bruce Lee, A Life", e cila u publikua në vitin 2018 – iu referua gjithashtu një gëlltitje të madhe të ujit në mbrëmjen e vdekjes së aktorit.
Studimi i "The Clinical Kidney Journal" arriti në përfundimin: "Ne hipotezojmë se Bruce Lee vdiq nga një formë specifike e mosfunksionimit të veshkave: pamundësia për të nxjerrë ujë të mjaftueshëm për të mbajtur homeostazën e ujit, e cila është kryesisht një funksion tubular. Kjo mund të çojë në hiponatriemi, edemë cerebrale (enjtje të trurit) dhe vdekje brenda disa orësh nëse marrja e tepërt e ujit nuk përputhet me nxjerrjen e ujit në urinë, që është në përputhje me afatin kohor të vdekjes së Lee."
Vdekja e aktorit u mbulua me mister në vitin 1973, me thashethemet se Bruce ishte vrarë nga gangsterët kinezë, ishte helmuar nga një dashnor xheloz, apo edhe ishte viktimë e një mallkimi./Liberale.al