Sport

Partizani ‘kapitullon’ në shtëpi, shansi i artë i Tiranës për “arratisje”

Shkruar nga Liberale

Në “Kompleksin Partizani’, brenda në shtëpi, vendasit humbën 0-2 me Teutën, duke zhgënjyer tifozët dhe duke i zbehur ndjeshëm shanset e tyre për titullin kampion.

Partizani i Giovanni Colella për të tretën ndeshje nuk gjen dot fitoren. Duket se largimi i Skukës dhe Bitrit ka ndikuar në organikën e skuadrës. Të kuqtë që mbajnë vendin e dytë në klasifikim. Teuta kaloi në avantazh në minutën e 40-të me Albion Markun. Mbrojtësi lëvizi mirë në fashën e djathtë dhe lëshoi një "predhë" në drejtim të portës, duke mposhtur Alban Hoxhën. Në pjesën e dytë, teksa pritej reagimi i vendasve, "Djemtë e Detit" gjetën edhe golin e dytë me Sherif Kallakun në minutën e 64-ët. Nga pika e bardhë e penalltisë, fantazisti nuk gaboi dhe gjeti golin e dytë në dy ndeshje pas rikthimit te Teuta. Partizani pas humbjes, me 30 pikë, mban vendin e dytë në klasifikim, kurse Teuta me 21 pikë qëndron në vendin e shtatë duke u larguar nga zona e ftohtë.

Në ndeshjen tjetër, Kukësi ka marrë fitoren e parë për vitin 2023 dhe shumë jetike për objektivat e tij. Verilindorët ia dolën dhe fituan 1-2 me përmbysje kundër Egnatias në Rrogozhinë, ndonëse në minutën e ‘34 Fernando kaloi vendasit në avantazh. Në pjesën e dytë një autogol i Malotës riktheu barazimin. Golin e fitores e realizoi për miqtë në fund të ndeshjes, Delimedjac. Një fitore shprese për ekipin e Rrahman Hallaçit.

Në 19:00 në "Niko Dovana" luhet Erzeni-Tirana, ndeshje që do të mbyllë javën e 18-të të Kategorisë Superiore. Bardheblutë me 31 pikë kanë shansin e arratisjes nga rivalët e tyre, për të marshuar drejt titullit kampion.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH