Editorial

Partia, lideri dhe dilemat organizacionale

Shkruar nga Liberale
Partia, lideri dhe dilemat organizacionale

Anjeza Xhaferaj Rreli

Në librin e tij të famshëm për partitë politike, Robert Michels ka një pasazh ku flet për raportin e Marksit dhe Engelsit me internacionalen socialiste (atë të vjetrën), të cilën ata (veçanërisht Marksi) e drejtonin me dorë të hekurt. Kjo bëri që të kishte një përplasje mes oligarkisë de jure të internacionales me monarkinë de facto. Këshilli i Përgjithshëm i Internacionales dhe veçanërisht Marksi u akuzuan se ishin…vini re…mohues të socializmit. Për shkak të makutërisë së tyre shkatërrimtare për pushtet, ata kishin futur parimet e autoritetit në politikën e punëtorëve dhe Marksi u abandonua prej shumicës së shokëve të tij të vjetër të cilët ndërtuan Internacionalen e Re pa ta, pra pa Marksin dhe Engelsin. Këta të dy në mënyrë të njëanshme e transferuan Këshillin e Përgjithshëm në New York, edhe pse për hir të së vërtetës, edhe vetë termi Këshill nuk kish më kuptim, përsa kohë që kishin mbetur vetëm . Si të thuash, partia ose partitë socialiste u ngritën kundër atyre që i konceptualizuan, i paisën me ide dhe platformë për aksion politik, në momentin kur ata, Etërit Themelues u bënë pengesë.

Ky shembull më pat bërë shumë përshtypje kur e lexova diku dhjetë vite më parë. Mosmirënjohja ishte fjala që më vinte në mendje. E megjithatë përfaqësuesit e partive socialiste zgjodhën t’i eleminonin etërit para se këta përmes metodave të tyre të vrisnin vetë lëvizjen. Dhe ngjarja ka rëndësi pikërisht për shkak të raportit të partisë me themeluesin e saj.

Kur kemi një mbivendosje të plotë të imazhit të liderit me identitetin e partisë kemi të bëjmë me ato që quhen parti karizmatike. Lideri themelues monopolizon kontrollin mbi partinë. Pasuesit njohin vetëm autoritetin e liderit, nuk mund dhe në fakt nuk përçahen në fraksione dhe besnikërinë e kanë ndaj liderit dhe jo ndaj partisë. Lideri shihet si ideuesi dhe interpretuesi i padiskutueshëm i një tërësie simbolesh politike që bëhen të pandashme nga ai vetë. Është e pamundur të perceptohet ekzistenca e partisë pa atë të liderit. Përqëndrimi i pushtetit pengon burokratizimin e partisë, me degë dhe nën-degë të forta në të gjithë territorin. Karizma dhe burokracia janë në antitetzë me njera-tjetrën. Në këtë kontekst, parti të tilla mbeten jo fort të institucionalizuara dhe jetëgjatësia e tyre varet prej asaj të liderit, pra nuk e kanë jetën e gjatë. Lideri i partisë nuk ka interesa të favorizojë forcimin organizativ të partisë sepse kjo e fundit pashmangshmërisht mund të çojë në një përpjekje të partisë për ‘emancipim’ –dorëheqje të partisë prej kontrolluesit/liderit të saj.

Konsiderata e dytë e rëndësishme ka të bëjë më natyrën e partive opozitare, të atyre që kanë mbetur gjatë në opozitë. Në rastin e Shqipërisë, gjatë mund të quhen edhe dy mandate, duke patur parasysh jetë-gjatësinë e shkurtër të sistemit partiak. Partitë opozitare duhet të kenë një strukturë të fortë organizacionale, sepse në ndryshim nga ato në pushtet, ato nuk mund të mbështeten në aparatin burokratik shtetëror në terma të burimeve njerëzore, dhe nga pikëpamja financiare sërisht nuk kanë burimet që ka partia në pushtet të cilës në mënyrë ‘të natyrshme’ i aviten grupet e ndryshme të interesit. Pra partia opozitare mund të mbështetet vetëm tek vetja. E vetmja mënyrë për t’i bërë ballë partisë në pushtet është të forcojë organizatën, ta bëjë të aftë të mobilizojë me efikasitet dhe vazhdimësi mbështetësit e partisë.

Çdo parti mbart me vete gjurmët e formimit të saj dhe të vendimeve politiko-administrative kryesore të marra nga themeluesit e saj, vendimet që kanë modeluar partinë. Partia Demokratike ndodhet para dilemash të cilave duhet t’u japë përgjigje në rast se do të ketë sukses. Asaj i duhet të përcaktojë një herë e mirë raportin me të shkuarën dhe me themeluesin e saj. A është partia lideri, apo partia është tërësia e anëtarëve të organizuar në degë e nën-degë në të gjithë territorin e vendit dhe që kanë ose jo të drejta të shprehin vullnetin e tyre, të marrin pjesë në hartimin e politikave dhe marrjen e vendimeve kryesore të partisë? A do të vazhdojë ta konsiderojë veten një parti ‘revolucionare’ që e gjen zgjidhjen tek mbushja e shesheve? A është sukses vazhdimësia e qëndrueshme në parlament, përfaqësimi i të gjithë të djathtës, rritja e elektoratit apo do e përkufizojë suksesin në terma të fitores elektorale dhe krijimit të qeverisë? Dilemat organizacionale edhe pse më pak të dukshme dhe jashtë retorikës politike të përditshme, janë ndoshta më të rëndësishmet dhe ato që përcaktojnë fatin e partisë, sepse në fund të fundit partitë duhen parë për atë që janë: organizata.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH