Aktualitet

Raporti i "World Prison Population”, Partia e Lirisë: Me Edi Ramën rritet vetëm varfëria dhe burgosja

Shkruar nga Liberale
Raporti i "World Prison Population”, Partia e Lirisë: Me Edi

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka akuzuar qeverinë se është kujdesur që në 10 vite në pushtet, ta kthejë Shqipërinë në një vend ku shtohet vetëm varfëria dhe numri i të burgosurve.

Duke iu referuar një raporti të organizatës prestigjioze "World Prison Population”, Blushi tha në një deklaratë për mediat se është tepër shqetësues fakti që Shqipëria kryeson mbi vendet e rajonit, si shtetit me më shumë të burgosur për numrin e popullsisë.

"Në dhjetë vite në pushtet Qeverisja e korruptuar dhe e inkriminuar e Edi Ramës e ka kthyer Shqipërinë në vendin e parë në rajon dhe në Europë për: Nivelin më të lartë të varfërisë; nivelin më lartë të korrupsionit; për numrin më të lartë të azilkërkuesve në vendet e BE; nivelit më të lartë të kriminalitetit dhe trafiqeve; për dhunimin e lirisë së medias.

Por një tjetër rekord i zi, tepër tronditës dhe i paimagjinueshëm është që Shqipëria radhitet e para në rajon për numrin e të burgosurve në raport me popullatën.

Lajmi bëhet i ditur nga organizata prestigjioze “Ëorld Prison Population” edicioni i 13, e cila e radhit Shqipërinë me 179 pikë, ndërkohë që të gjithë vendet e rajonit janë poshtë kësaj shifre tronditëse dhe konkretisht: Mali i Zi me 139 pikë; Maqedoni e Veriut me 103 pikë; Kosova me 93 pikë; Bosnja dhe Hercegovina me 83 pikë.

Ky tregues kaq kritik është prova më e qartë se në Shqipëri në vend që të hapen vende pune, shtohen personat në burgjet”, u shpreh Blushi në deklaratën për mediat.

Sipas tij, në vend që Shqipëria të kthehet në vendin e shpresës, është kthyer në një burg të madh.

“Shkaku kryesor dhe i pakundërshtueshëm i kësaj situate është vetëm varfëria, humbja e shpresës për shkak se vendi qeveriset nga një Qeveri hajdute që grabit miliarda me inceneratorët, koncensione, tendera e që praktikisht vjedh në çdo gjë. Ky fakt provon se në Shqipëri, me Qeverinë e Edi Ramës rritet vetëm varfëria dhe burgosja. Në vendin me kriminalitetin më të lartë në rajon, Qeveria i mbush burgjet me hallexhinjtë dhe jo me kokat e vërteta të korrupsionit, të krimit të organizuar, trafikantëve dhe pastruesve të parave”, thotë Blushi.

Më tej, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë shprehet se, vetëm lufta e hapur dhe pa kompromis kundër korrupsionit parandalon falimentimin e Shqipërisë dhe rikthen shpresën tek qytetarët, që në masë po detyrohen të braktisin Atdheun.

“Çlirimi i Shqipërisë nga korrupsioni dhe kapja e shtetit është sot interesi dhe prioriteti ynë vendimtar!”, përfundoi ai. /Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH