Nëse Kina mban anën e Vladimir Putinit në Ukrainë, Lufta e Tretë Botërore mund të ketë filluar, ka paralajmëruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Pekini mohoi pretendimet se po shqyrton mundësinë e dhënie së “ndihmave vdekjeprurëse” për Rusinë, ose armatimeve, pasi sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të shtunën paralajmëroi diplomatin e lartë kinez Wang Yi mbi pasojat e mundshme nëse vendi i tij përfshihet më tej, në konflikt. Blinken tha në një intervistë pas takimit të të dyve se Uashingtoni ishte i shqetësuar se Pekini po shqyrtonte furnizimin me armë për Moskën, përpara një takimi të planifikuar midis Yi dhe presidentit rus të hënën. “Për ne është e rëndësishme që Kina të mos e mbështesë Federatën Ruse në këtë luftë”, tha Zelensky për të përditshmen gjermane Die Welt. “Në fakt, do të doja që ajo të ishte në anën tonë. Për momentin, megjithatë, nuk mendoj se është e mundur” – shtoi ai. – “Por shoh një mundësi që Kina të bëjë një vlerësim pragmatik të asaj që po ndodh këtu”, u shpreh presidenti ukrainas. “Sepse nëse Kina bëhet aleate me Rusinë, do të ketë një luftë botërore dhe unë mendoj se Kina është e vetëdijshme për këtë.” Zelensky gjithashtu i tha Die Welt se Ukraina i kishte kaluar presidentes moldave Maia Sandu informacionin se Rusia po komplotonte një grusht shteti në Moldavi. “Maia Sandu nuk më kërkoi kurrë ndihmë, por ajo më falënderoi për informacionin. Ajo e di situatën tonë. Ukraina do të jetë gjithmonë e gatshme të ndihmojë Moldavinë”, shtoi ai. Kremlini tha të hënën se marrëdhëniet e Rusisë me Moldavinë ishin shumë të tensionuara dhe akuzoi liderët moldavë për ndjekjen e një axhende anti-ruse, një javë pasi Kishinau tha se kishte penguar një përpjekje ruse për grusht shteti.
Paralajmërimi i Zelensky për Luftën e Tretë Botërore erdhi në ditën kur presidenti amerikan Joe Biden bëri një vizitë të papritur në Ukrainë, e organizuar në fshehtësi të rreptë. Biden premtoi 500 milionë dollarë dërgesa të reja armësh dhe mbështetje ‘të palëkundur’ amerikane përpara përvjetorit të parë të pushtimit të Putinit. Vizita e tij u krye përpara takimit të pritshëm të Putinit me Wang Yi, ndërsa Pekini sulmoi SHBA-në mbi arsyen pse ngriti dyshime se mund të furnizonte Rusinë me armë. – “Janë Shtetet e Bashkuara dhe jo Kina që po dërgojnë pafund armë në fushën e betejës”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës, Wang Wenbin. “Ne i nxisim Shtetet e Bashkuara të reflektojnë me zell për veprimet e veta dhe të bëjnë më shumë për të zbutur situatën, për të promovuar paqen dhe dialogun dhe për të ndaluar hedhjen e fajit dhe përhapjen e informacionit të rremë”, tha ai në një konferencë.
Vizita e Biden vjen në një moment vendimtar, teksa presidenti i SHBA-ve po përpiqet t’i mbajë aleatët të unifikuar në mbështetje të Ukrainës, pasi lufta pritet të intensifikohet me ofensivat pranverore. Kurse Zelensky po ushtron presion ndaj aleatëve për të përshpejtuar shpërndarjen e sistemeve të premtuara të armëve dhe i bën thirrje Perëndimit të sigurojë avionë luftarakë – diçka që Biden ka refuzuar ta bëjë. Forcat e Kievit po përgatiten të mbrohen kundër një sulmi rus që mund të përbëhet nga 400 avionë luftarakë, 300 helikopterë, 1,800 tanke të reja dhe 3,950 automjete të blinduara.
Ukraina deri më tani ka penguar çdo përparim të madh rus në lindje të vendit që kur ushtritë e Kievit i zmbrapsën ato me dy kundërofensiva në veri dhe jug në nëntor. Që atëherë, linjat e betejës kanë mbetur kryesisht të njëjta. Ministria e Mbrojtjes së Britanisë raportoi javën e kaluar se më shumë se 800 ushtarë rusë vriteshin çdo ditë. Megjithatë, tani ka shqetësime serioze në Perëndim se Ukraina po i mbaron municionet jetike, për të mbajtur nën kontroll sulmin e mundshëm rus. Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping i ka qëndruar përkrah Putinit, duke i rezistuar presionit perëndimor për të izoluar Rusinë. Tregtia kinezo-ruse është rritur që nga pushtimi i Ukrainës dhe Rusia u ka shitur fuqive aziatike, përfshirë Kinën, vëllime më të mëdha nafte. Vizita e Biden ishte edhe një mesazh i qartë ndaj presidentit rus Vladimir Putin, i cili kishte shpresuar se ushtria e tij do të pushtonte me shpejtësi Kievin brenda disa ditësh. Presidenti amerikan kujtoi se kishte folur me Zelensky natën e pushtimit, duke thënë: “Atë natë të errët, një vit më parë, bota fjalë për fjalë po përgatitej për rënien e Kievit. Ndoshta edhe për fundin e Ukrainës.’
Sirenat e sulmit ajror ranë në të gjithë kryeqytetin në një moment, ndërsa Biden ecte përkrah Zelenskyt gjatë asaj, që ishte vizita e parë historike e presidentit amerikan në Kiev që pad pushtimit nga trupat ruse më 24 shkurt 2022. “Një vit më vonë, Kievi qëndron në këmbë. Dhe Ukraina qëndron. Demokracia qëndron”, tha Biden, duke folur së bashku me Zelensky në rezidencën zyrtare të presidentit ukrainas, Pallatin Mariinsky. “Mendova duhet të mos kishte asnjë dyshim, asnjë lloj dyshimi, për mbështetjen e SHBA-së mbi Ukrainën në luftë”, vazhdoi ai. “Putini mendonte se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi ishte i ndarë. Ai mendoi se mund të na e kalonte. Ai thjesht ka gabuar,” tha Biden, duke shtuar: “Lufta pushtuese e Putinit po dështon”. Ishte vizita e parë e një presidenti amerikan në Ukrainë që nga viti 2008 – e cila u organizua në kushte të fshehta e të rrepta. Biden u largua nga Forcat Ajrore Andrews në orët e para të së dielës.
Pas dorëzimit të pajisjeve të tyre, gazetarët u njoftuan për praninë e tij në Air Force One vetëm 15 minuta para se avioni të nisej. Shtëpia e Bardhë nuk raportoi se si ai arriti Biden në Ukrainë. Udhëheqës të tjerë të huaj kanë udhëtuar në Kiev me tren nga Polonia. Gjatë udhëtimit, Biden premtoi 500 milionë dollarë shtesë (468 milionë euro) dërgesa armësh për Ukrainën, duke përmendur në veçanti municionet e artilerisë, obuset dhe raketat antitank Javelin. Ukraina vlerësohet të djegë mijëra predha më tepër çdo muaj nga sa është në gjendje të prodhojë aktualisht industria e mbrojtjes e BE-së. Edhe Bashkimi Evropian po peshon planet për të përshpejtuar prodhimin dhe dërgimin e municioneve shumë të nevojshme, për të ndihmuar luftën e Kievit.
/Përgatiti: Liberale.al/