Aktualitet

Paradokse dhe dilema në kohë pandemie...

Shkruar nga Liberale
Paradokse dhe dilema në kohë pandemie...

Kristaq Xharo*

Pandemia në këto momente ka prekur të gjitha vendet e botës duke i paralizuar plotësisht.  Të infektuar  janë rreth 4 milionë dhe mbi 270 mijë jetë të humbura. Virusi aq sa ka turbulluar mendimin shkencor, të cilët ende janë pa përfundim, por edhe e politikën botërore.  Teori nga më të habitshme hidhen përditë,  shtuar edhe ato konspirative. E ndërsa teoritë  bien e ngrihen,  kjo periudhë po shihet edhe kohë paradoksesh e  dilema të mëdha.  Në këtë shkrim synimi është për të afruar debatin dhe jo për të shteruar problemin.

Në labirintet e paradokseve. Tre paradokse: së pari përdorimi i termit ‘luftë’, ndryshe nga koncepti teorik.  Përveç presidentit gjerman Steinmeier, që përballjen me pandeminë e quajti ‘rezistencë - qëndresë’, gjithë liderët e tjerë botëror përdorën termin ‘luftë’. Nuk bëjnë dallim Jinping në Kinë, Macron në Francë, Jonson në Britani.  Edhe presidenti Trump e ri-modifikoi veten si  "president i kohës së luftës". Përveç kurbës së përhapjes që i ngjan një mësymje ‘blitzkrieg’ gjithçka tjetër shfaq diçka të panjohur më parë. Përveç sensibilitetit që të jep termin për vëmendje dhe sensibilizim kjo nuk është një luftë që  bota ka luftuar ndonjëherë.  Metaforat e luftës bëjnë thirrje për mobilizim, për veprim, për sakrificë a për të bërë diçka," thotë Veronika Koller, e Universitetit Lancaster në Angli. Në këtë pandemi, po ju kërkojmë popullatës të bëjnë të kundërtën: të heqin dorë nga rutina normale dhe të shmangin daljen jashtë, ose më thjesht, për të mos bërë asgjë.

Së dyti është ‘devijanca’ e termit nga kontekstet që njohim deri në këtë kohë. Themeluesi i strategjisë moderne, Klausevitz në librin e tij On War,  shprehet se “ ...  lufta është vazhdimi i politikës  me mjetet e tjera…” Kështu ka qenë gjithmonë, që në kohën që njeriu u shfaq në ‘tufë’. Duket se corona e përmbysi ligjin Klausevitz.  Coronavirus nuk është ‘mjete të tjera të politikës’, por  vetë kuptimi i luftës.  Corona nuk paraqet ‘përleshje të armatosur’ lufta nuk ka kuptim pa atë. Dhe nëse vetë korona është forma më e armatosur,  për qëllimin e vet, forcat përballë, personeli mjekësor, simbolizon forcat më humane të shoqërisë. Ndërsa vetë forcat e armatosura, apo të rendit, shërbimet e inteligjencës, që çdo shtet i konsideron instrumente të fuqisë, janë ‘ushtarë në rezervë’ dhe në   vetëm në role ndihmëse.  Në luftë krijohen fronte, vija, thellësi e prapavijë, dhe spitalet janë ende më larg. Corona i injoroi të gjitha kriteret dhe ligjet e mëparshme   dhe mbërriti në dyert e spitaleve duke i kthyer këto në kështjellat e fundit dhe personelin mjekësor në mbrojtës kombëtar.

Së treti, raportet midis kërcënimit  global dhe mbrojtjes kombëtare. konteksti në të cilën është vendosur përballja me pandeminë është tërësisht paradoksal. Të gjithë e pranojnë që ‘armiku’ është global, që domosdoshmërish kërkon koordinim global. Luftërat e mëparshme kanë treguar se shtetet përballë një kërcënimi të tillë krijojnë aleanca dhe fronte, më së paku deri në mposhtjen e armikut të përbashkët. Përndryshe edhe nëse luftërat nacionale, në secilin shtet,  do të ishin të suksesshme,  fitorja do të ishte e pjesshme, për pasojë e përkohshme, sepse në çdo cep, që të jenë  ky virus apo pjesëtarë të familjes së tij,  do të rishfaqen edhe më rrezikshëm. Valës së pandemisë ju deshën vetëm  100 ditë për të mbërritur në çdo cep të globit. Kombet, madje edhe më të fuqishmit, nëse do të jenë të suksesshme në një kohë, nuk do të jenë në gjendje të ngrenë mure mjaftueshëm  të lartë për tu siguruar në të ardhmen.

Në mjegullën e dilemave. Tre dilema: Sigurisht që koha e pandemisë ka qenë mjaft frutdhënëse edhe në prodhimin e dilemave, të cilat ngrihen në sens vertikal dhe horizontal. Midis tyre le të përmendim vetëm tre prej tyre : a është kjo një luftë apo një betejë; nëse është një luftë, kur do të mbarojë dhe si do të jemi pas mbarimit të luftës.

Së pari a është fundi i kësaj  pandemie fundi i një luftë apo betejë? Vijnë mjaft lajme që ky virus është vetëm pararoja e gjeneratës që do pasojë. Fakti që edhe shkencëtarët janë të dyzuar e thellon dilemën. Nëse valë të tjera priten më pas,  atëherë kjo është vetëm drama e një betejë dhe jo një lufte. Fitorja e të gjitha betejave do të na çojë në fitoren e luftës. Kjo nuk e zbeh aspak rolin e fitores së parë në luftë. Ndryshe nga beteja, lufta ka nevojë për pakt të gjerë jo vetëm sensibilitet, por për planifikim burimesh e rezervash, për gjenerim forcash, për skalionim dhe për ide të reja, ku  integrohen  jo vetëm kapacitete kombëtare të fuqisë shëndetësore, por edhe ekonomike, sociale, mjedisore, dhe ushtarake pse jo. Plani ‘a’; ‘b’; ‘c’ duhet të jetë në tavolinë edhe për publikun ku menaxhimi i suksesshëm shmang panikun.

Së dyti, pak më shumë optimizëm. Një ditë edhe kjo luftë do të mbarojë, por si do të jemi pas kësaj dite? Mendimtarët më të mëdhenj botëror nuk i janë shmangur përgjegjësisë për të bërë parashikime. Të gjithë mendojnë se lufta kundër koronavirus do të fitohet, por,  bota që do të shfaqet atë ditë do të jetë shumë më e ndryshme.  Dilema më e madhe shprehen ata është se njerëzit në shumicën e tyre janë të prirur për kthimin te jeta para pandemisë. Nën vrullin që e nesërmja do të jetë vazhdimin i lënë në mes nga e djeshmja duket se njerëzit janë tërësisht të papërgatitur për të menduar tërësisht ndryshe. Dhe nëse do të jetë ndryshe si mund të jetë? Ndihet e çuditshme - shkruan Simon Mair i BBC – që  javët e kaluara kanë ekspozuar faktin se gjërat më të mëdha mund të ndryshojnë përgjithmonë, në minutë. Nuk po shohim një film: jo, ne jemi pjesë e tij,  së bashku, dhe deri në fund.

Së treti, dilema lidhet me mënyrën e menaxhimit të situatës. Përfaqësuesit më të shquar japin parashikime dhe skenarë nga më  të vështirët,  që përfshijnë jo vetëm shëndetin, por ekonominë, politikën, fuqinë dhe mënyrën e re të komunikimit në një botë të ri-globalizuar. The Economist shprehet se për momentin, bota është ende në emergjencë krize dhe shtetet mbeten të fokusuara në kontrollin e pandemisë. Por, ndërkohë, trendet dhe zhvillimet po reflektojnë atë që mendohet si e ardhmja. Kjo luftë shumë shpejt  do të rendis fituesit dhe humbësit. Fuqitë e mëdha e kanë të vështirë për të dështuar ndërsa të vegjlit do të ndodhen në  sfidën e mbijetesës, ose edhe më keq ..do të dështojnë.

Në të njëjtën sfidë ndodhet edhe kombi ynë. Sigurisht që  në sfidën e mbijetesës mund të ndihmojë sadopak eksperienca e përballimit të betejës aktuale. Mësimi më i madh i kësaj periudhe ndoshta është suksesi i lidhur me mendimin intelektual të ekspertëve - solidaritetin kombëtar – dhe dinamikën  e institucioneve. Edhe sfidat e të nesërmes, që duket se po i përjetojmë do të duhet të reflektojnë këtë eksperiencë. Në një mision të vetëm, elitat politike dhe intelektuale kanë shansin  të debatojnë dhe gjejnë zgjidhje për të nesërmen që ka ardhur dhe jo për të sotmen që ka perënduar. Komisioni i Reformës Zgjedhore apo opinionet e ‘gjithologëve’ vështirë të afrojë ndonjë zgjidhje. Ata më shumë të kujtojnë Lizën në botën e çudirave kur thotë nuk ka rëndësi çfarë rruge zgjedh kur nuk e di se ku do të shkosh.

*Kristaq Xharo : Lektor në UET  për Çështjet e Sigurisë dhe Strategjisë

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH