Aktualitet

Paqe/armëpushim në hapësirën kibernetike

               Publikuar në : 20:33 - 24/10/20 liberale

Nga Prof. Kristo Muzaka

Paqja dhe lufta janë në simbiozë të pandashme nga njëra tjetra dhe historia e njerëzimit dëshmon se pas kohës së paqes pritet luftë dhe e kundërta. Gjatë dekadave të fundit duket se qasja e shteteve dhe politikat e jashtme të tyre janë prirur drejt “paqes”.

Normat  e pa derogueshme, të patjetërsueshme  dhe të mire pranuara nga  çdo shtet modern e demokrati janë liria e popujve për vetëvendosje,  të drejtat e njeriut dhe në veçanti  parimi i njohur prej shekujsh që nga koha e latinëve   “pacta sunt servanda” ( marrëveshjet duhet të respektohen).

Po çfarë po ndodh në 2020 dhe përse disa shtete , edhe pse e pranojnë zyrtarisht parimin pacta sunt servanda,  de facto  i shkelin këto marrëveshje të nënshkruara me fuqi të plotë e vullnet politik????

Në kulmin e investigimeve mbi helmimin e oponentit politik të regjimit autokratik putinian Alexei Navalny dhe dakordësisë së vendeve evropiane për sanksione shtesë ndaj këtij regjimi, presidenti rus Vladimir Putin duket se ka gjetur risinë e radhës me qëllim për të zhvendosur vëmendjen nga ky helmim: ofertë ndaj SHBA për ‘armëpushim’ kibernetik.

Më 25 shtator, Putin ka propozuar një marrëveshje lidhur me hapësirën kibernetike. Ai ka prezantuar një plan prej rreth 4 pikash që në pamje të parë janë thirrje për koordinim institucional, dialog të nivelit të lartë, parandalim të incidenteve lidhur me sigurinë e informacionit dhe garanci për mos-ndërhyrje në punët e brendshme të njëri-tjetrit, procese elektorale, etj. Vladimir Putin e reklamoi projektin e paqëtimit kibernetik një ditë pasi Facebook njoftoi mbylljen e rrjeteve, llogarive dhe faqeve online që synonin informacion mbi çështje sensitive gjeopolitike dhe që ishin të lidhur me shërbimin e inteligjencës ushtarake të Rusisë dhe të shume njohurën IRA – Internet Research Agency, kompania ruse e angazhuar në operacione të influencës për interesa të biznesit dhe politikës së Rusisë.

Propozimi mbi mosndërhyrjen në çështjet e brendshme të vendeve që e firmosën, është tashmë i përcaktuar edhe në Aktin Final të Helsinkit. Një ndër propozuesit e saj ishte vetë lideri sovjetik Leonid Brezhnjev, i cili më pas e shkeli atë në mënyrë të përsëritur dhe me përpikëri kur i volitej, qoftë në aspektin e dhunimit të të drejtave të njeriut, ashtu edhe në ndërhyrjen në politikën e brendshme të vendeve të tjera. Pasardhës i epokës sovjetike në të gjitha kuptimet është edhe ish-oficeri i KGB-së së famshme ruse, Vladimir Putin, i cili shkel në përditshmëri dhe injoron çdo nen të marrëveshjes së Helsinkit dhe angazhim tjetër ndërkombëtar.

Është e çuditshme kur një propozim i tillë vjen pikërisht nga një regjim që ka përdorur në mënyrë të vazhdueshme dhe pa hezitim kapacitetet e veta kibernetike, për të cenuar dhe trazuar sigurinë e shteteve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare. Shembujt e ndërhyrjeve kibernetike të Rusisë, në mënyrë agresive dhe malinje, për qëllime të grumbullimit dhe cenimit të informacionit janë të qenësishme dhe më se të njohura.

Ndër to përmenden: sulmi ndaj Bundestagut gjerman apo ndaj agjencisë botërore antidoping; shënjestrimi i infrastrukturës elektorale për qëllime aksesimi të paautorizuar; fushatat e njohura si “spear-phishing”, etj.

Vladimir Putin në mënyrë të pamoralshme e ka mohuar përfshirjen e regjimit të tij në operacionet malinje kibernetike, duke i argumentuar ato si veprime të pavarura të “patriotëve” rus. Pavarësisht dëshirës së madhe të Putin dhe kastës së tij drejtuese, për të mohuar implikimin në sjellje të tilla të papajtueshme ndërkombëtarisht, siç ndodhi edhe në rastin Navalny, kjo është tregues i pamundësisë së regjimit për të mbajtur nën kontroll çfarë ndodh brenda territorit.

Veprime të ngjashme mohuese nuk janë pjesë të një strategjie të mirëmenduar nga ana e lidershipit rus. E thënë ndryshe, në kushtet e paaftësisë së regjimit rus për të kontrolluar dhe investiguar me eficencë çfarë ndodh brenda kufijve të saj, paraqiten të vakëta dhe thuajse të pabesueshme garancitë se Rusia do të respektojë marrëveshjen e ofruar nga Putin për armëpushim kibernetik.

Për më tepër, thirrja e Putin për marrëveshje bilaterale dhe kërkesa për mosndërhyrje në politikën e brendshme të njëri-tjetrit, nuk është gjë tjetër veçse vijim i qasjes së Stalinit në Jaltë në vitin 1945, për krijim të zonave të influencës sipas interesit të Rusisë. Presidenti rus i ka qëndruar stoik propozimit të hershëm të tij për një Jaltë të Re. Kjo korrespondon plotësisht me synimin e tij strategjik për të rifituar dhe zgjeruar sferat represive të influencës së perandorisë sovjetike, pa ndërhyrjen e partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare. Domethënës është fjalimi që Putin mbajti në vitin 2014, duke kërkuar një Jaltë të re të dytë dhe menjëherë më pas duke aneksuar Krimenë.

Është e pamundur t’i besohet një regjimi që në mënyrë sistematike dhe të paskrupullt shkel çdolloj të drejte të popullit të tij dhe detyrimeve ndërkombëtare. Në këtë tollovi intrigash putiniane, e sigurtë është se Vladimir Putin do të vijojë përpjekjet për të mohuar implikimet dhe veprimet e qeverisë së tij dhe oferta për marrëveshje bilaterale e dëshmon këtë gjë më së miri.

Shpresojmë që në të ardhmen  shtetet që nënshkruajnë marrëveshje ti zbatojnë ato pasi parimet bazë të drejtës ndërkombëtare si pacta sunt servanda janë parimet bazë për të patur qetësi, paqe e marrëdhënie të mira ndërmjet popujve, shteteve.

E mbarë bota njëzëri kërkon paqe, stabilitet, prosperitet  dhe se lufta nuk është zgjidhje, kaosi nuk është opsion. Vendi ynë edhe pse vend i vogël i ka respektuar marrëveshjet e nënshkruara pavarësisht se kush qeveri ka marrë pjesë në negocimet:  pacta sunt servanda dhe askush nuk mund ti shkelë ato në mënyrë arbitrare.

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back