Editorial

Pandemia: Një hierarki dhe një funeral

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Sa vjen dhe më shumë endem në jetën e gjallë lutem në një drejtim të pakuptimtë po me siguri ndaj vetvetes. Zot më ruaj nga vetvetja të mos jem kurrë arrogant, por dhe i butë  jo, se nuk e duroj. Është një përcaktim i ngjitur nga jeta e përditshme që më noton në sy si pjesë reklamash apo shëtitjesh në mënyrë të pavullnetshme e të paarsyetuar asnjëherë. Thjesht gjërat që pëlqejmë në kalim si padashtë.

Nuk e di pse, por ende nuk kam krijuar një raport të mirë e të zgjidhur me vdekjen; një lloj kufiri që zhbën vijën normale të një frymëmarrjeje mbi tokë, apo rrjedhën e një shtegtimi të ndërprerë keq e më keq, gjithnjë në kohën më të gabuar. Ka shumë thënie të mençura mbi vdekjen, që herë e zbusin këtë kufi të shëmtuar ndarës, ku në sipërmarrje të rrethantë qëndron pjesa e gjallë, ende e pakallur. Kështu që, për shkaqe krejt njerëzore njeriu është i prirë ta kamuflojë këtë kufi dhe ta supozojë si një ligjësi natyrale, por edhe si një përkorje, duke i dhënë të drejtë jetës si një vlerë e lexuar dhe një kontribut në optimizmin njerëzor; duke shpikur perspektiva të përjetësisë apo duke e menduar qenien si një kalesë, apo ndryshim forme në të shfaqur. Për një pjesë të njerëzisë, akti i vdekjes është një frikë e investuar për të trembur të gjallët, duke i lënë të mendojnë se gjithsesi është një nyje po aq jetësore e përsëritjes së qenies në shumë forma hyrëse e dalëse në të gjitha kategoritë e frikës, gjalljes dhe ringjalljes e shumë dhimbjeve mbi tokë.

Çdo gjë kishim provuar, por ja që njeriu është kalvar i qenies së përshtatshme dhe i ka dhuruar njerëzimit shembuj e qëndrime nga më të llojtat në një shumë skenash e ndarjesh nga më të papërsëriturat, si në shkëlqim përcjellës dhe në forma të sofistikuara për të smusuar këtë ngërç natyror, që, në fakt, është një kalim i përkohshëm i dukjes mbi dhe, por në një shenjë të veçantë gjurme, e ndonjëherë pa asnjë shenjë në ikjen e madhe njerëzore.

Por interesante është se edhe vetë koncepti i vdekjes merr formë në gjëra të rralla të natyrës, apo të agresivitetit të qenies, se si sillet me jetën apo fenomenet, apo se si bëhet pjesë integrale e kalimit shpirtëror në shumë forma, nga më të pangjashmet.

Kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme e pandemisë u detyrova të ndërroja të gjithë kursin e sjelljes në organizimin e ditëve, ndaj dhe zgjodha orët e vona të natës, për t’i mbushur me shkrimësi dhe të tjera zgjedhje në lloj, si për të gjetur një lloj normaliteti, rindërtuar brenda ngujesës time.

Ishin orët e vona të natës dhe nën një trysni të zgjatur lajmesh mbi pandeminë kapa në kalim online se kish ndërruar jetë aktori Rikard Ljarja. Shtanga për një moment, ngaqë e dija në jehonë disi të largët se ishte në momente të vështira me shëndetin, kështu që rrallazi shkëmbeheshim me ndonjë telefonatë, ku me një zë basi si nga nëntoka më pyeste në një shkodranishte me hundë, duke britur: Xak hej, “Si je, simpatik?” Shkëmbenim batuta të tipit “po kur je, mor naho” e shumë grimca mes miqsh.

Ishte një kohë që i ishte kthyer pikturës, duke iu nënshtruar një terapie të zgjedhur për të kaluar krizën e burrit në zbritje të famës publike. Argëtimi i zgjatur, duke iu drejtuar mediumeve të tjera, që i kishte zëra të një talenti të fshehur, e shpërlanin të gjithë atë rëndesë frike në ndërgjegje dhe i dukej se nuk ishte në kohët më të mira të tij. Por, gjithsesi, me inteligjencë u rrinte disa lidhjeve të çuditshme në zgjedhje, nga ku kuptohej se shpesh ulej në një profil bazik, ende në një teknikalitet të fshehur, për të vjelur kështu zëra me zakonin e hershëm e të mallkuar të aktorit.

Në qarqe të ngushtë nuk e kuptoje kurrë se ishte normal apo në rol, pasi rolet i kishte të lindura nga një ego natyrore. Ishte një sekret që ia kishim zbuluar njëri-tjetrit dhe notonim lirshëm ndër batuta hidh e prit në një rrjedhë që po ta dëgjoje nga jashtë dukej si ligjërim i kodifikuar njerëzish në gjuhë rruge. Ishte argëtuese, sepse mund të lundroje, si çdo artist race, që të linte të bëje qejf në situata informale apo irracionale, si në një tokë të papunuar simpatish mes dy njerëzve që arrinin të konturonin një lidhje në zë të lartë e të hapur në publik.

Hiq këtu ato të ndenjat me pije, ku e ngacmoja dhe i pohohesha se e njihja shumë më mirë nga sa mendonte, përmes subjekteve të buta që kishin radhur në kalesën e një beqarie të zgjatur të të dyve, si dema në një fushë të minuar. Aty dorëzohej dhe mendonte se kushedi se nga ç ‘pus Shkodre apo lagje Tirane merrja informacion, nga ato të portofoleve të mbyllura, te meshkuj që dikur ishin në modë e në harbim të lirë.

Fakti që vdiq në një kohë të pazakontë e të ishulluar në karantinë, ma shtoi edhe më shumë trishtimin dhe mërzinë. Si natyrë refraktare që jam, për një moment desh e shava, jo për pakujdesin, por për kohën që zgjodhi të krijonte një aksident të ndarjes së tij nga kjo botë. Dhe sa herë më ndodh që, në vend që të përsqullem, fillova të ecja përkundër i irrituar në inat, sepse si natyrë ishte shumë i butë e njerëzor. Por, për instinkt njeriu ripërcaktohet si refleks ndaj një detyrimi që ndien për të qenë në ndjeshmëri për shkak të një lajmi shumë të rëndë ndarës. Vdekjet u bënë  pa ngjyrën e lajmit , bile kufiri mes jetës dhe vdekjes, për nga shifrat, ishte kthyer ftohtazi në një lojë numrash që përditësohej si me konkurrencë mes mediave. Në njëfarë mënyre vdekja kish humbur atë lloj solemniteti ku i jepet kohë dhimbjes. Të gjithë sy e veshë për nga mjetet e informimit me kuriozitetin e lartë se si ndodh dhe si do sillemi në një fashë kohe ku armiku më i madh ishte afria si prani njerëzore. Mos me mujt’ me dasht’ e me qenë afër një gjëje që në miqësi të jepte kolpo gëzimi dhe humori elegant.

Kështu filluan reagimet e para publike dhe në distancë, duke e ngjyruar të gjithë kalvarin mediatik në skema të stërpërdorura në të tilla ndodhi. I vetmi lajm që nuk u vu re ishte se në funeralin e Rikard Ljarjes, përveç amanetit për vendin e varrimit, merrnin pjesë fare pak njerëz, mes të cilëve edhe çifti Anagnosti. Të gjithë ishim të mbështjellë nën trysninë e prishjes së rregullit dhe dëgjonim lajmet pa pra.

Të gjithë frikën dhe stuhinë e panikut e frenoi një gjest i thjeshtë njerëzor në kohën më të pamundur. Dhimitri dhe Roza bënë një thyerje të rregullit, por në një mënyrë të lartë e të distancuar nga e gjithë ajo histeri kolektive që kish mbështjellë njerëzinë dhe botën e frikës. Thyen karantinën dhe ishin të pranishëm në një funeral të pazakontë, bërë me dhimbje e pamundësi

Ky lajm më zbythi në një qoshk si një njeri të rreshtuar, duke nxjerrë në pah një gjest të madh njerëzor, të ndierë, ku na u dha sinjali se jeta duhej jetuar duke e sfiduar frikën.

Në simbolikën e sjelljes  mes miqsh, ky është akti më i lartë ku një njeri merr vlerën e një institucioni të lartë mbi të zakonshmit, që e humbin fillin e të sjellurit e një respekti të ndierë, siç ngjau me funeralin e Rikard  Ljarjes.

Kjo e papritur mori përmasë edhe për faktin se Anagnosti nuk se shquhej aq shumë si  deklarativ apo trim i çartur, përkundrazi: njihet si një njeri introvers, pikant në jetën kulturore shqiptare dhe si një nga ata burra që nuk u fsheh kurrë në të vërtetat e talentin e tij për të qenë një sojli apo burrë – le ta themi shqip – nga më të veçantët. Statusi i tij ishte një mesazh njerëzor, tepër burrëror, jo për të hedhur baltë mbi një dhimbje të afërt që mund t’i ndodhë në familje, por në një akt të tejkaluar që të kujton thellë një marrëdhënie të shëndetshme njerëzore, respekt të lartë me kulturën e sjelljes si një artist dinjitoz e në korniza të qarta sjelljeje.

Disa ditë përpara se Rikardi të ndahej nga jeta, ime shoqe më pyeti se çfarë po shkruan kësaj radhe. I thashë për Anangnostët, dhe mbeti disi e çuditur, ngaqë sipas saj nuk i kisha folur ndonjëherë për këta njerëz. Në fakt, të gjitha subjektet që kam në vëmendje, jo vetëm për shkaqe miqësore, por shumë herë edhe për atë se çfarë i afrojnë shoqërisë, më mbillen në ndërgjegje në një fashë të shtruar kohe, në një vrojtim që nuk shfaqet si befasi e asaj çfarë konservoj, por si ritual i mirëpritur që më bën të shkoj drejt shkrimit.

E kam takuar këtë njeri tre herë në jetën time, dhe gjithnjë në një stimë të lartë ndaj tij, bashkë me frikën e një posture shumë të rrahur në publik, si dhe për një shkak të fshehtë njerëzor, pasi disa personazhe kur kryenin një kalvar të konsideruar moshe më tingëllonte një marrëdhënie e hapur dhe e përsëritur, që shumë nga qëndrimet tona vijnë pas vdekjes. Kështu, sa herë ulesha që ta shkruaja më dukej sikur po parandieja një largim të beftë të personazhit nga jeta, gjë që më trishtonte, dhe e shtyja gjithnjë për më vonë, që në shumë raste shkrimi të mos vinte si një akt nekrologjie në kujtesë, por si një tjetër rrjedhë që e sfidonte këtë paragjykim timin. Tentova nja dy a tri herë që ta telefonoj dhe të bëj një bisedë për të zgjeruar atë njollë që unë – tashmë – e kisha në kokë për ta rrëfyer. Më kapte paniku se mos më prishej ajo përshtypje e limituar, sidomos tani që ishte ndërtuar brenda meje. Por, sërish e lija të pakryer këtë takim. Kjo edhe si pasojë e asaj që udhëtimet e mendjes për figura interesante të ruajnë një lloj befasie që nuk kish një kusht njohës. Një lloj teknike apo qejfi udhëtues për ta zbuluar gjënë në një distancë që më nevojitej.

Diku në vitet 1983-84. Një mik i imi në fakultetin e artit skenik më thotë se “sot kemi një takim të veçantë me Taqo Anagnostin, kështu që mos e humb. Do jetë diçka e pazakontë, pasi do mbajë një leksion të hapur për fjalën artistike dhe eksperiencat e tij në sheshin e xhirimit. Ishte një kohë që rrija shumë me djemtë e vajzat e artit skenik, pasi më dukej sikur shkëputesha me gjithsej nga një botë në ego të fshehur, siç ishte bota e piktorëve, që herë pas herë më mërzisnin me pasiguritë apo siguritë e tepruara të tyre. Në fakt, në shkollimin tonë ishte shumë e rëndësishme të përfliteshin figura jo shumë të shfaqura si kontribute. Jashtë skene kishte një thashethemnajë për figura të ndryshme, për aftësitë dhe dritëhijet e karrierës së tyre, por edhe për një ndasi esenciale që vinte nga poshtë-lart në diferencimin nën zë të talentit të tyre. Taqo Anagnosti ishte një ndër ata që përflitej si një talent skrupurloz e me histori interesante, që për ne studentët ishte një dritare për t’u lëshuar në një ëndërrim fame e për të bërë të mundura grimasa të shfaqura publike të këtyre personazheve, për të përgatitur të ardhmen e një të papriture që të jep popullariteti dhe mënyra se si mund të sillesh më vonë. Qe edhe një arsye për të kuptuar një lojë aktrimi të hapur të atyre personazheve që ideonin ekranin magjik dhe zotëronin e dominonin në interes të lartë urinë e një publiku që jetonte me ekranin. Takimi shoqërohej edhe me disa momente aktrimi në lidhje me fjalën artistike, si një lloj prove me tekstet letrare që qarkullonin në atë kohë, si Shekspiri, Çehovi  dhe ndonjë autor i yni.

Plateja ku ishin grumbulluar studentët ishte në një pritje të ethshme për t’u konfrontuar me një nga të përfolurit e shumtë të kinemasë, siç qe Anagnosti. Ndihej pak i emocionuar, por nëndheshëm e ndikonte audiencë me një lloj arrogance të padukshme që ia lejonte etja studentëve që sikur donin ta përpinin këtë dalje të tij. Foli gjatë e në një diksion të prerë, që të krijonte idenë se ishte i viktimizuar përballë një pune kolosale për të qenë në një moment kyç, si një narrator i përkryer i një kurioziteti të lartë, që tashmë i duhej ta zgjidhte si babai i dominimit një histori të aksidentuar, ku shpesh ndodh të dalësh për një gjë e të përfundosh duke trajtuar një gjë tjetër. Në fakt, shkëlqeu atë natë jo thjesht e për kuriozitetin e lartë të grumbulluar, por edhe për një shkëndijë gjuhësh trupi që i dha fjalës së tij peshën e duhur dhe sekretet e një të vërtete që ndërtohej mbi ligjësinë e besimit të krijuesit për të tentuar e për të qenë në vendin dhe në kohën e duhur. Ishte nga ato takime që i jepte jetë fantazisë studentore, si jetëshkrim apo rrëfenjë e një karriere me ndikim.

Takimi i dytë me Anagnostët ishte diku rreth viteve 1988-89 në shtëpinë e Ramës, te prindërit e tij. Më tha se sonte je i ftuar nga ne për darkë, te Neta. U rrudha pak duke i thënë se nuk i përballoj dot darkat familjare, kështu që nuk do vij. – Duhet të vish, se vjen ustai. – Kush? – e pyeta gjithë kuriozitet. – Vjen Anagnosti dhe disa miq që do të të pëlqejnë. Megjithëse u tundova, “jo” ia ktheva sërish. Gëzohu, i thashë, se kam një tjetër plan në fundjavë. Atëherë më telefonoi Kristaqi dhe më tha se nuk duhet të mungosh sonte, pasi Edi do të mërzitej nëse nuk vjen. Po mirë, i thashë, do vij,  ja sa të ormisem. Darka qe kompozuar për dymbëdhjetë vetë në një ambient tmerrësisht të ngushtë. Gjithsesi, i thashë vetes, duro, do kalojë, bëj të heshturin dhe vijo. Më të largëtit nga barku familjar isha unë dhe Gaz Leka, të tjerët ishin miq të ngushtë të familjes Rama, si dhe trëndafili mbi gotë, e dashura e re e Edit, Matilda Makoçi. Pas vorbullës së bisedave mes të gjithëve, dalëngadalë mori peshë qendrore biseda mbi artin, ku më të spikaturit si qendër e tavolinës u kthyen Taqo Anagnosti dhe Gaz Leka, kjo për shkak të veprës së tyre dhe një protagonizmi të lartë në qendrën e filmit: njëri për një seri të mrekullueshme vizatimesh mbi eposin dhe tjetri si një guru i imazhit konkretist e të qëruar të filmit. Në fakt, Taqo ishte shumë i tërhequr për të risjellë biseda profesioni, por i detyruar nga një lloj qasjeje në ngjashmëri të ndryshueshme me Gaz Lekën ruanin ekuilibrat e mjeshtrit në avantskenën e zgjeruar të sekreteve të krijimit, kështu që kishin një materie të bollshme për t’u zgjeruar, duke përfshirë edhe ne të tjerët. Edhe në këtë takim mora përshtypjen e një njeriu të kursyer e fjalëpakë, ku të gjithës i qasesha më shumë me intuitë dhe instinkt sesa me dije. Herë pas here ndieja në krah Edin, që më shtynte të përqendrohesha duke më bërë të ditur si gjithherë se kishim të pranishëm dikë që për të ishte një alterego, dhe po kryente procesionin nën një lëkurë të zakontë.

Takimi tjetër ishte në një tjetër kontekst, sepse kish ndodhur 90-ta dhe pozicionet kishin ndryshuar, si në pikëpamje ashtu dhe në pavarësinë e secilit.

Anagnosti sapo ishte emëruar ministër i kulturës. Me një grup artistësh i kërkuam një takim për çështjet e kulturës, një takim i ndërmjetësuar nga Gaz Leka, ku kërkonim përforcimin e statusit të artistit, diçka e tillë.

Sërish isha kurioz se si do sillej nga një pozicion i tillë prej pushtetari tashmë. Ashtu sqepak e i pamësuar me lëkurën e re, ruajti një normalitet në sjellje. Që takim të bëhej i pranueshëm për të, vuri vetëm një kusht: Rama të mos ishte i pranishëm aty. E pikasa menjëherë që për të ishte një pengesë karakteriale, që shkaktohej në ato raste kur ndihesh i sfiduar nga qëndrimet ekstreme e të papërputhura të Ramës në raport me atë çfarë mendonte ai rreth kulturës. Pavarësisht qëndrimit të tij refraktar, e mora si një gjest personal, duke e sfiduar si pjesë të një dialogu të pamundur të dy individëve që kishin të njëjtat rrënjë, por që donin t’i zhvillonin ndryshe.

Enturazhi i sjelljeve nga pozicione lidhjesh të hershme ishte një tjetër natyrshmëri kontradiktore e njerëzve të lirë, duke na bërë të kuptojmë se ishin në llogore vështrimi krejt të ndryshme e të papërputhura.

Do isha i lumtur sot të ndaja në një leksion debati shkarkesa konceptuale historike në art me Anagnostin .Ta ftoja në një audiencë dëgjimore e të shfaqnim një korrent interesant arti si lëvizja;’ Fluxus’ Një model qëndrimesh ku arti përthyhet në koncept dhe shfaqja e tij humbet autoritetin e mjeshtërisë që bën veprën dhe rikrijon një raport primar me rregulla të thyerjes së narrativës si një raport i purifikuar mes tingullit dhe interaksionit me tregimin e përthyer si kuntratregim. Për të kuptuar hapjen e një njeriu inteligjent që njeh mirë gjuhët veshjen dhe arkitekturën e re të mendimit si kundërregull që në pamje të parë ndjehet denigrues shkatërrimtar ndaj asaj që quajmë traditë më të hershme dhe i përmbushur nga idealet e lartë të ekranit të ëmbël. Dhe  e gjitha kjo për të ndarë intelektualisht një kufi të besimit të lojës së artit si kulturë libertare dhe e komunikimit mes njerëzish që besojnë ose jo te ndryshimi. Instalacionet marramendëse të kinezit Ai Weiëein apo barokun klasik në gjuhën e videoartit të Bill Violas. Apo dic më pranë gjuhës trashedentale të imazhit te : -regjisorit Francis Ford Coppola me {life Out of Balance}.Do na duhej dhe një jetë tjetër hua për ta rijetuar botën në një tjetër vështrim botëkuptimor.

Më pas, në staturën e Anagnostit ndodhi një shkëputje e gjatë nga jeta publike. Ai refuzoi një angazhim të zgjatur, duke zgjedhur një tjetër posturë të tërhequr në reflektime krejt të personalizuara, që e bën edhe më interesant në muzgun e ishulluar të tij.

Pasnëntëdhjeta rindërtoi një marrëdhënie të re, ku në të shumtë, si një përmbysje e rëndësishme pranë mijëvjeçarit të ri dha një tjetër strukturë shtrirëse, me personazhe që gjysmën e jetës e kishin investuar në këtë fashë jete, kurse gjysmën tjetër përpiqeshin ta meremetonin në një start të ri raportesh e ndryshimesh të rëndësishme. Ky rindërtim ishte i vështirë dhe rimarrja e së kaluarës si restaurim i pjesshëm jetësh të lëna në hepim e sipër për disa qe shkatërruese, ndërsa disa i mbarsi si të mbijetuar të sistemit të ri. Në këtë panoramë shndërruese pati zhvillime dhe forma viktimizimi të larta, për shkaqe karakteriale dhe formimi. Ata më inteligjentët, që ditën të orientoheshin, e pësuan më shumë nga kjo shkalisje historike.

Gjithsesi jeta afrohej me një tingëllimë joshëse mundësish, por edhe si një varr i madh pamundësish për të përqafuar ndryshimin në favor. Me shumë shanse kishin ata që ishin të rinj, të cilët u bënë burra që duhet të merrnin përgjegjësi. Kurse më të lumturit ishin ata që ishin investuar lehtësisht në parashikimin e një të ardhmeje, dhe kësisoj duhet të ishin të përgatitur, ku nocionin e kohës si një diktaturë e re ta transferonin në një luftë të ringrirur për t’u pastruar nga e kaluara, për t’u përshtatur kështu në një rend të ri gjërash.

Më të vjetrit, teknicienët fatlumë (pa harruar edhe talentin e tyre) u kthyen në një nostalgji e myshk ndërmjetës, për t’u ndierë në lëkurën e tyre në një vepër brenda një kanoni socrealist, duke u ushqyer ende me kontributet e fatalitetit historik; për t’u ndierë të mbijetuar dhe kontributorë të jetës së mëparshme.

Mbas një tjetër krize të rëndë e ekzistenciale të këtij lloj integriteti, ndodhi 97-ta, një tjetër traumë e ekuilibrave politikë, një lloj antagonizmi social. Në këtë shkarkesë ulje-ngritjesh personazhe të shumtë ndjenë fundin, të tjerët u ndjenë të kërcënuar nga një gjithë prani e rënies së shoqërisë. Kjo hartë lëvizëse e emocioneve të politikës ndikoi në një tjetër çekuilibrim vlerash, ngaqë politikat bënin punën e tyre dhe njësi të strukturuara kontributorësh të mendjes u ndjenë të përjashtuar, kështu që çakordimi social solli diferencime nga më të pabesueshmet për nga uritë e para dhe ndarjet e shumicës për ndryshim.

Të pamësuar me forma të tilla ulje-ngritjesh, edhe kultura u pa si pjesë e zgjedhjeve dhe preferencave të ngushta, jo më si një kontribut kombëtar me pavarësinë e vet. Liria kish reaguar herë si përjashtim vlerash, herë si një agresion i përkryer selektimesh në një skenë edhe më të zgjeruar krahasimesh në një rreth shumë më konkurrues se më parë. Në këtë ofensivë, arti i kinemasë, si një art kolektiv, u ndie i gjunjëzuar dhe pa një lider të mbi kaluar për të sjellë vizione në një garë të hapur me skenën jashtë, si një mision që duhej mirë menaxhuar. Kështu që, dy dekadat e lirisë shërbyen më së shumti për të mirë rregulluar mekanizma dhe rindërtuar një imazh të dëmtuar tashmë nga vetë ne, qoftë në planin financiar, qoftë në atë të burimeve njerëzore. Por, ja që nuk ndodhi, dhe shumë veta, të demotivuar u konvertuan në të kundërt të ëndrrës së tyre të parë, duke ravijëzuar pozicione disi të mefshta e të pafuqishme për të qenë protagonistë. Kjo është për të ardhur keq – një lloj sindrome që përfshiu të gjitha vendet e dala nga regjimet totalitare.

U fuqizuan ekonomitë dhe u shtua protagonizmi politik, por skena e artit u investua si e pjesshme, jashtë territoreve të origjinës, në emra të mëdhenj që sapo kishin hyrë në të tjera rrjedha interesi dhe industrish arti. Korniza e kinemasë kish ndaluar aty ku e lanë mjeshtrat dhe një numër i paktë regjisorësh. Por, gjithsesi ata lanë një posturë kohore, një kornizë apo një dialog të kryer me kohën e tyre në një afsh dijesh modeste, por në një komunikim të lartë të teknikës së komunikimit viziv. Lanë një traditë të përcaktuar e të adhurueshme në gjuhën e tyre të komunikimit. Mbyllën një epokë me dinjitet profesional dhe lanë emër në përzgjedhjen publike. Natyrisht lanë edhe paqartësi, skema dhe nivel kalimtar e të eksperimentuar.

Bota ka nevojë të investohet në mendje të larta.

Bota ka nevojë për t’i riparë kornizat e epokës në të cilën jetojmë, si një terren i mbushur me cytjen e dominimit në emër të kapitalit, që sjell ndryshime , por që ka nevojë t’i rrijë përkundër pjesa më e shëndetshme e lirive të shprehjes dhe artit të tyre si korrektim i mundshëm. Bota ka nevojë edhe për memorien e saj, njerëzit që shohin ndryshe e mbillen si në absurd si përjashtime.

Sa herë më del në takime të rastësishme në rrugë dyshja Anagnosti më radhën në kokë si një histori  krejt e ngjashme dhe e përputhur  në emra të shquar të kinemasë europiane apo dhe më afër me strukturat  konceptuale  në gjuhën e filmit të pellgut ballkanik .Regjisorë dhe editues të mirë të ekranizimit emra që ngjashmërisht bënë një epokë të artë të magjisë së filmit që nga Federico Fellini, Bernardo Bertolucci,Vitorio de Sicca, Pier Paolo Pazolini , e më vonë me Giuseppe Tornatore e të tjerë si Julien Duvivier, Jean Luc Godar, Luc Besson, Claude  Lelouche apo me regjisorë të ish republikës jugosllave si Slobodan Śijan, Emir Kusturica  me parërendës të rëndësishëm  dhe ndjehem i udhëtuar mirë me fatin se në të gjallë dikë ende do mund ta kesh në rrugë pranë si një artefakt frymor a dëshmitar I një epoke të kryer si epoka e ëndërrimit të magjisë së ëndërrt. Një fat për tu shkruar.

Në këtë gjendje pandemie, hierakët e mendjes dhe funeralet ekstra duhet ta bëjnë botën ta kthejë shikimin drejt atyre gjërave që na frymëzojnë të gjithëve.

E shoh herë pas here çiftin Anagnosti të kryejë ritualin e vet të përditshëm diku pranë Universitetit të Arteve: gjejnë ndonjë qoshk në kafenetë e zhurmshme me studentë dhe sikur ndalojnë në kohë. Një trishtim i lehtë më përshkon. Cytem t’i ndaloj e të shkëmbehem, por se si më duket, ndaj dhe them po i lë të qetë të shijojnë lavdinë e tyre të heshtur, ashtu thjesht, nën zë, hierarkë të përkorë të ekranit të ëmbël plot dritë yjesh brenda tyre. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH