Krye

Pandemia/ KOKSH dhe UET në forumin “Shëndeti mendor në sport”

               Publikuar në : 09:11 - 12/10/20 liberale

Pas një karantinimi intensiv dhe nën trysninë e një pandemie botërore, shëndeti mendor tashmë është kthyer në kryefjalën e muajve të fundit dhe kur më mirë të flitet rreth shëndetit mendor se sa gjatë javës së dedikuar posaçërisht atij. Në kuadër të kësaj, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, në vazhdimësi të bashkëpunimit me Departamentin e Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve në UET, ka zhvilluar ditën e premte me datë 9 tetor forumin “Shëndeti Mendor në Sport”, ku theksi u vendos mbi rolin e shëndetit mendor në zhvillimin e individit dhe sporteve në veçanti. Eventi u mbajt në ambientet e UET, ku sportistëve elitarë ju dha mundësia të diskutonin dhe pyesnin profesionistë të fushës lidhur me shëndetin mendor.

Fjalën hapëse e morri Sekretari i Përgjithshëm i KOKSH, Stavri Bello, i cili falenderoi Universitetin Europian të Tiranës për bashkëpunimin. Forumi u mbajt në formën e një bashkëbisedimi midis panelit të përbërë nga tre doktoret e shkencave psikologjike, Aljona Jonuzi, Blerina Aliaj dhe Elsida Sinaj, dhe të ftuarve ku bënin pjesë sportistë, zëvendës kampionë, studentë e specialistë të fushës. Pyetjet që u shtruan lidheshin me ndikimin e shëndetit mendor në sport, përballimit të emocioneve të garës si dhe ushtrimeve për të qëndruar mendërisht të shëndetshëm.

Diskutimi u hap nga znj.Aliaj e cila bëri një prezantim të shkurtër mbi ndikimin e gjendjes emocionale në sport dhe anasjelltas. Ajo preku emocionet kryesore që ndienin sportistët para një ndeshjeje, që përkatësisht ishin akthi dhe stresi, ku u bë dhe dallimi midis ankthit si gjendje dhe ankthit si tipar. Gjithashtu u fol mbi burimet e stresit dhe ankthit tek sportistët, ku ndër më të rëndësishmit u klasifikuan situata konkurruese, frika nga dështimi apo suksesei, rëndësia e eventit si dhe pritshmëritë.

Gjatë kësaj pjese dhe deri në përfundim të diskutimit u vu theksi tek rëndësia që ka trajneri në menaxhimin e emocioneve, ku trajnerët që ishin prezentë në sallë u shprehën se 4-5 vitet e fundit e kanë ndjerë të nevojshme praninë e një psikologu si për ata vetë ashtu dhe për anëtarët e skuadrës. Komunikimi si me trajnerin ashtu dhe me psikologun, u cilësua si çelësi i zgjidhjes së problemeve emocionale që mund të kenë sportistët.

Në vazhdimësi të forumit, znj.Sinaj diskutoi mbi rëndësinë e stopimit të garimit në një moment të caktuar të jetës, për shkak të rrethanave të ndryshme si gjendja e rëndë fizike apo mendore. Sportistëve të pranishëm në sallë ju shtrua pyetja nëse ishin gjendur ndonjëherë në pikën e ndalimit të garimit dhe si janë përpjekur ta përballojnë një fenomen të tillë. Qendra kryesore e diskutimit ishte postkarriera sportiste e sportistëve elitarë, ku u fol mbi traumën që mund ti shkaktohet sportistit në çastin që ai ndodhet i papërgatitur paraprakisht ndaj një stopimi të papritur dhe rëndësia psikologjike që kjo ka në shëndetin e tij. Kriza e identitetit u evidentua si një nga pasojat më të shpeshta që shkaktohen nga një fenomen i tillë.

Në përfundim të forumit, znj. Jonuzi i drejtoi të pranishëmve pyetjen: “Si e menaxhoni pjesën e energjisë?” si dhe u interesua mbi vetëbesimin që krijonin sportistët e rinj. Disa nga të ftuarit u përgjigjën se këtë gjë e realizonin nëpërmjet vendosjes së objektivave të qartë dhe studentët e sporteve në UET u shprehën se nëpërmjet përvojës arrinin të përkujdeseshin për vetëbesimin e tyre. Ajo gjithashtu nxiti të ftuarit të ndërmerrnin një ushtrim praktik, i cili konsistonte në diagnostifkimin e energjisë, pas të cilit të gjithë të pranishmit u ndjenë më të relaksuar dhe më në harmoni me ndjenjat dhe emocionet e tyre.

Një pikë tjetër shumë interesante e bashkëbisedimit ishin dy pyetjet që u ngritën në lidhje idenë që tashmë ka ardhur koha ku nuk duhet sportisti të shkojë tek psikologu , por duhet psikologu të vijë te sportisti si dhe krijimin e një profilizimi të veçantë për psikologët sportivë. Ky propozim u morr në konsideratë nga pedagogët e UET që ishin pjesë e eventit dhe shpresojmë se mund të kthehet në realitet  në një të ardhme jo shumë të largët. /Gazeta Liberale

 

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back