Aktualitet

Pandemia/ Bizneset kërkojnë të shmanget një karantinë e dytë

Shkruar nga Liberale
Pandemia/ Bizneset kërkojnë të shmanget një karantinë e

Në Tiranë, qarqet e biznesit i bënë thirrje qeverisë që të bëjnë përpjekje maksimale për të shmangur një mbyllje të dytë për shkak të pandemisë Covid-19.

Përfaqësues të bizneseve pohojnë se ende nuk e kanë marrë veten nga karantina e pranverës, që u la pas një faturë humbjesh shumë të lartë.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha se bizneset i kanë kërkuar qeverisë një seri lehtësirash masash mbrojtëse për të mbijetuar në këto kohë të vështira.

Vala e parë e pandemisë la pasoja tepër të rënda mbi shpinë të bizneseve shqiptare, sidomos në turizëm, transport dhe shërbime, të cilat regjistruan edhe humbjet më të mëdha.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për Tiranën, Nikolin Jaka, thotë se nga ana tjetër rimbursimet e këtyre dëmeve prej karantinës së parë ishin sporadike, kryesisht sa i takon pagave të punonjësve.

Prandaj qeveria duhet të bëjë gjithë përpjekjet për të mos patur një mbyllje të dytë, ndërkohë që ende nuk janë shëruar plagët e mbylljes së parë dhe kur autoritetet janë të pafuqishme për të bërë kompensime, rimbursime apo garanci sovrane.

Ajo që kërkojmë sot pas mungesës së një pakete tjetër ndihme, të paktën të rritim disiplinën dhe masat mbrojtëse nga biznesi dhe nga ana tjetër të mos kemi një mbyllje të plotë, e cila do të ishte një katastrofë për sipërmarrjen, kur qeveria është në pamundësi për të kompensuar dëmet e shkaktuara” - thotë zoti Jaka.

Fatura e dëmit ndaj bizneseve që shkaktoi mbyllja e parë është tepër e rëndë, sipas drejtuesit të Dhomës së Tregtisë, dhe kjo duket sapo raportohet në buxhetin e shtetit mungesa e të ardhurave të parashikuara.

Zoti Jaka thotë se shteti ka humbur 26 për qind nga mbledhja e të ardhurave ndërsa ¾ tjetër është humbja e bizneseve prej karantinës së plotë të pranverës, ndaj një përsëritje do të ishte një goditje tepër e rëndë.

“Aktualisht qeveria mbledh në formën e të ardhurave 26 për qind të GDP-së, dhe nëse qeverisë i mungojnë sot këto 26 për qind, atëherë pjesa tjetër deri te 100 përqindshi i mungon sipërmarrjes private. Mungesa në buxhetin e qeverisë shumëzohet minimalisht me 4 dhe del mungesa që i është shkaktuar bizneseve private” - tha zoti Jaka.

Qarqet e biznesit vazhdojnë të përsëritin të njëjtat kërkesa ndaj autoriteteve për ndihmë dhe lehtësira, pjesa dërrmuese e të cilave as dëgjohen as plotësohen.

Aleanca e Forumit Ekonomik Mbarëshqiptar u krijua nga bizneset dhe Unioni i Dhomave të tregtisë, që kërkuan por nuk panë një paketë të ringjalljes së sipërmarrjes private nga vala e parë dhe janë ende të traumatizuar dhe të pambështetur as atëherë as tani, thotë zoti jaka.

Ai kërkon që qeveria duhet të paktën të kompensojë raportet mjekësore të punonjësve që kalojnë Covidin.

“Shumë kompani kanë punonjës të infektuar, që shkëputen për 14 ditë nga puna dhe nga qeveria shqiptare nuk ka asnjë lloj rimbursimi për këtë trajtim mjekësor lidhur me pagën. Nëse një punëtor del i infektuar me Covid, atëherë minimalisht qeveria duhet të marrë përsipër kompensimin e pagës së tij dhe të mos ia lërë këtë barrë sipërmarrjes private” - tha zoti Jaka.

Sigurimet shëndetësore paguajnë rimbursime mbi 14 ditë, ndërsa 14 ditët e para u ka mbetur ta paguajnë bizneset, ndaj heqja e kësaj nga qeveria, njëlloj si rimbursimi i ilaeceve të covidit, do të ishte një ndihmë e madhe në këtë dimër të vështirë.

Bizneset ka kërkuar heqjen e parapagimit të tvsh -së për importin për lëndët e para të kompanive prodhuese, të pezullohet parapagimi i tatim-fitimit për këtë vit, rimbursimi i tvsh-ve të prapambetura, institucionet shtetërore qendrore e vendore duhet të shlyejnë detyrimet e prapambetura nga bizneseve private dhe të mos krijojnë borxhe të reja ndaj tyre.

Ato kërkuan të shtyhen taksat dhe tarifat për pushtetin vendor, të ulet cmimi i energjisë elektrike, të ulet taksa e pasurive, sidomos për bizneset prodhuese, ndërkohë që edhe garancitë sovrane nuk funksionuan sepse sistemi bankar krijoi shumë probleme, duke kërkuar dorëzani dhe garanci shtesë, që praktikisht frenuan ndihmën ndaj bizneseve në këto kohë të vështira./VOA

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH