Globi

Pamje shokuese/ Punëtorët lidhen me zinxhirë dhe torturohen për orë tëra, kërkuan pagën e plotë

Shkruar nga Liberale
Pamje shokuese/ Punëtorët lidhen me zinxhirë dhe torturohen

Të zhveshur, të lidhur me zinxhirë, të torturuar e poshtëruar për orë të tëra nga punëdhënësi dhe bashkëpunëtorët e tij, vetëm sepse guxuan të kërkonin një rrogë më të përshtatshme për punën e tyre. Historia e tmerrshme vjen nga Libani, ku doli në dritë vetëm falë një videoje të publikuar në rrjetet sociale dhe më pas në mediat lokale, duke sjellë arrestimin e punëdhënësit të bashkëpunëtorëve të tij.

Videoja e tmerrshme daton më 20 qershorin e kaluar dhe tregon sipërmarrësin vendas Charbel Tarabey dhe katër nga bashkëpunëtorët e tij duke rrahur, fyer dhe tallur gjashtëmbëdhjetë punëtorë bujqësie, përfshirë disa të mitur.

Videoja tregon viktimat me të brendshme, të rreshtuar në këmbë përpara një muri, të lidhur me zinxhirë, secili me një patate të ngulur në gojë si shenjë talljeje. Më pas dëgjohen britmat e Tarabeut dhe bashkëpunëtorëve të tij, të gjithë tashmë të arrestuar, duke u bërtitur punëtorëve teksa i rrahin dhe ofendojnë vazhdimisht.

Sipas asaj që u rindërtua nga policia libaneze, ngjarjet kanë ndodhur në zonën Akura, në veri-lindje të Bejrutit, ku viktimat punonin për të mbledhur qershi. Ishin kërkesat legjitime ekonomike nga ana e punëtorëve, trembëdhjetë prej të cilëve sirianë dhe tre libanezë, të cilat shkaktuan reagimin mizor të punëdhënësit. Sipas avokatit të viktimave, pas 17 ditësh punë të palodhur, Tarabay kishte paguar më pak se tetë ditë punë.

Sipas rrëfimit të viktimave, ata u akuzuan për vjedhje dhe më pas u torturuan për orë të tëra me tela elektrikë, çekiç, shkopinj dhe goditje elektrike. Sprova do të vazhdonte nga mëngjesi herët deri rreth orës 15:00, domethënë për gati nëntë orë.

Tashmë biznesmeni ndodhet në paraburgim me bashkëpunëtorët e tij me akuzën e “rrëmbimit, torturës, kanosjes dhe përdorimit të armëve”. “Ata rrezikojnë vetëm një dënim minimal prej tre vjetësh”, paralajmëroi avokati i viktimave. Historia u raportua gjerësisht në vend dhe, siç shkruan L'Orient-Le Jour, nxiti ndërhyrjen e vetë ministrit të brendshëm libanez, Bassam Mawlawi dhe shefit të policisë Imad Osman./Përshtati Liberale.al

[gallery columns="1" size="full" jnewsslider="true" ids="1251379,1251376,1251377,1251378"]

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH