Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Pagat nuk i rritën as në muajin Maj, ndodhi ajo që pritej, rritet mbi 10 për qind çmimet e ushqimeve

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

E ndërsa pagat nuk u rritën as në muajin maj, çmimet e ushqimeve vepruan më me shpejtësi dhe pësuan një rritje prej 10 për qind. Kështu, në kohë krize, në një ekonomi e cila e ka të pamundur që të gjejë zgjidhje, për rritjen e saj, të pagave e të të ardhurave për qytetarët, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të gënjejë veten, duke i rritur ato krahas me çmimet.

Sipas shifrave më të fundit të INSTAT, publikuar gjatë ditës së sotme, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Maj 2023 është 4,7 %, kurse një vit më parë ky ndryshim ishte 6,7 %. Sakaq, ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Maj 2023, krahasuar me Prill 2023 është - 0,3 %, çka do të thotë se, “i trembur nga rritja e pagave” që u deklarua muajin e fundit, ndryshe nga trendi i BE-së prej nga ku importojmë mbi gjysmën e mallrave dhe të shërbimeve, inflacioni në Shqipëri ka pësuar rritje. Me rritjen graduale të pagave të cilat nuk bazohen mbi asnjë analizë produktiviteti, çmimet pritet të rriten derisa të bëjnë “nul” rritjen reale të tyre. Por zinxhiri shkon më tej dhe ndikon për keq tek ata të cilët nuk përfitojnë nga rritja e pagave.

Për të shmangur rritjen e inflacionit më pasoja të rënda në ekonomi, qeveria ka alternativa të tjera si për shembull, mund të marrë sërish borxh në tregjet e huaja, ashtu sikurse mund ta mbulojë një pjesë të faturës përmes politikave fiskale. Gjithsesi, reformë reale pagash pa u bazuar te puna dhe produktiviteti nuk ka shpikur deri më sot asnjë vend u zhvilluar, ose që kërkon të zhvillohet.

Inflacioni sipas INSTAT është shkaktuar thuajse nga rritja e të gjitha çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, që ka shkuar në nivelin 3.58%, të cilat përbëjnë gati gjysmën e shpenzimeve mujore për shumicën e qytetarëve.

Rritje pothuajse 0.5% kanë pësuar edhe çmimet e mobiljeve dhe pajisjeve shtëpiake. Ndërkohë grupi i transportit, që vitin e kaluar udhëhoqi rritjen e inflacionit për shkak të çmimeve të naftës, këtë muaj ka shënuar vlera negative me 0.82%. Shifrat e Instat tregojnë se perimet janë rritur deri në 20%, bulmeti me 14.3% frutat dhe mishi respektivisht nga 12%. Edhe çmimet e vajrave dhe yndyrave kanë shënuar vlera negative në muajin maj, ndërsa edhe për drithërat rritja nuk është ndalur, por shtrenjtimi është ngadalësuar.

Si krahasim inflacioni i shportës bazë të ushqimeve ndryshe nga çfarë ka ndodhur në vendin tonë, ra në Eurozonë në 12.5% për muajin Maj, nga 13.5% që ishte në muajin Prill, sipas të dhënave të Eurostat. Inflacioni i përgjithshëm në eurozonë ra në 6.1 për qind në muajin Maj nga 7 për qind që ishte në muajin Prill, tha zyra europiane e statistikave (BE).

Nga ana tjetër, rënia drastike e euros ka vënë në presion prodhuesit në vendin tonë, të cilët eksportojnë produktet e tyre jashtë. Banka e Shqipërisë parashikon uljen e inflacionit në nivelin 3% gjatë mesit të vitit të ardhshëm, por parashikon sërish rritjen e normës bazë duke dhënë sinjale se presioni i çmimeve vjen piëkrisht nga tregu i brendshëm dhe jo i ndikuar nga importi, siç edhe ka ndodhur gjatë gjithë vitit.

Ndryshimet e çmimeve për muajin maj 2023, sipas INSTAT:  

“Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me +3,58 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,47 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,41 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,22 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,18 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Maj 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 10,0 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 6,9 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,5 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,0 %, “Veshje dhe këpucë” me 4,2 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 4,0 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,7 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbimi arsimor” me 2,2 % secili, “Shëndeti” me 1,4 % dhe “Komunikimi” me 1,2 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënoi ulje me 12,3 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 18,3 %, pasuar nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 14,3 %, “mish” me 12,1 %, “fruta” me 12,0 %, “peshk” me 9,2 %, “bukë dhe drithra” me 4,5 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4,1 %, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Prill 2023, çmimet e grupeve “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Transporti” u ulën më 1,2 % secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 1,2 %, pasuar nga “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,9 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,5 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,4 % secili, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,3 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,2 % dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1 %.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH