Dossier

Paga minimale dhe rritja ekonomike

               Publikuar në : 10:37 - 24/07/21 liberale

Kolana UETPRESS- 15 vjet

Titulli: Efektet e rritjes së pagës minimale në ekonominë shqiptare

Autor: Arbi Agalliu

Prof. Dr. Engjëll Pere

Punimi i përgatitur nga Arbi Agalliu trajton një çështje mjaft sensitive, si në fushën ekonomike ashtu edhe në atë sociale: rritjen e pagës minimale në vendin tonë. Pavarësisht nga qëllimi dhe strukturimi i punimit, ai ka në sfond një prej politikave ekonomike mjaft të rëndësishme, sikurse është ajo e pagave. Pikërisht këtu mendoj se qëndron edhe një nga kontributet kryesore të punimit të paraqitur. Ndërsa janë të njohura analizat rreth politikave të tilla si ajo fiskale dhe monetare, si në rrafshin teorik ashtu edhe në atë praktik, pak punime dhe analiza konkrete ka në vendin tonë rreth politikës së pagave, parë kjo si një instrument i rëndësishëm i ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Në përgjithësi punime apo diskutime rreth pagave dhe nevojës së rritjes së tyre, synojnë ta trajtojnë këtë element kryesisht në aspektin social apo të mirëqenies ekonomike midis shtresave të ndryshme të popullsisë. Punimi i paraqitur e analizon dhe e trajton këtë aspekt në një fokus të ri, duke e parë pagën si një instrument specifik të politikave ekonomike dhe për më tepër në funksion të qëllimit kryesor të tyre: rritjes ekonomike.

Megjithëse punimi lidhet më shumë me pagën minimale, është e qartë se rritja e këtij niveli do të sjellë strukturimin dhe rritjen e të gjitha niveleve të pagave. Si rezultat spektri i punimit realisht është mjaft i gjerë, ai përfshin jo vetëm pagën minimale, por edhe tregun e punës në tërësi, koston, çmimet etj. Më tej është e qartë se paga, qoftë edhe ajo minimale, nuk është vetëm një kategori e rëndësishme ekonomike, por lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien dhe aspekte të rëndësishme sociale. Në këtë këndvështrim fokusi i kësaj tematike është mjaft i gjerë, duke e konsideruar këtë politikë realisht si më “prekësen” në aspektin social–ekonomik. Prandaj ndoshta kjo politikë konsiderohet edhe si më e vështira, si rezultat edhe më pak e “prekshmja” ndër politikat e tjera. Në këtë kompleksitet, punimi i paraqitur kufizohet kryesisht në një element të rëndësishëm: lidhjen midis pagës minimale dhe rritjes ekonomike.

Objekti kryesor i analizës është argumentimi i idesë se rritja e pagës minimale do të ndikojë pozitivisht edhe në rritjen ekonomike. Për trajtimin e këtij qëllimi autori ka ndërtuar një strukturë organike të punimit, e cila ndjek mirë një metodologji argumentuese. Në këtë këndvështrim materiali dhe kapitujt paraqiten realisht në tri pjesë kryesore. Fillimisht autori ka trajtuar në mënyrë të qartë objektin e studimit, organizimin e tij, metodologjinë e ndjekur, strukturën etj., më pas është trajtuar gjerësisht literatura përkatëse, e cila analizon ndikimin e politikave të pagave si një instrument i rëndësishëm i stabilitetit dhe rritjes ekonomike, ndërsa në pjesën e tretë, që zë një vend të konsiderueshëm në përmbajtjen e punimit, trajtohet një model ekonometrik në studimin e lidhjes korrelative midis pagës minimale dhe rritjes ekonomike.

Në këtë parathënie të shkurtër të punimit, e shoh të nevojshme të theksoj se rritja ekonomike është parë në këndvështrimin e kërkesës, pasi paga minimale është parë si element i fondit të konsumit. Një komponent tjetër i pagës, duke qenë kjo si element i rëndësishëm i kostos, është edhe ai i ndikimit të saj në ofertën agregate të Produktit të Përgjithshëm Bruto, (GDP). Në këtë kuptim, autori është i vetëdijshëm për këtë limit të punimit dhe e lë të hapur aspektin tjetër të analizës, atë të ndikimit të pagave në ofertë e GDP-së.

Ekonomia shqiptare mbart tepër problematika, të cilat nuk e lejojnë atë të ketë ritmet e duhura të rritjes, të marrë formën dhe strukturën e një ekonomie të zhvilluar. Ndër problematikat kryesore mund të përmendim normën e lartë të papunësisë, trendin negativ inflacionist, informalitetin, mungesën e likuiditetit tek aktorët e ekonomisë, mungesën e kreditimit nga sistemi bankar, reduktimi i investimeve të huaja etj. Këto problematika shkaktohen nga faktorë të ndryshëm, si për shembull mungesa e reformave të duhura, paqëndrueshmëria fiskale, situata politike e tensionuar, paaftësia e administratës publike në disa nivele, korrupsioni në sistemin gjyqësor dhe administratë, problematikat në lidhje pronësie, çka ndikon drejtpërsëdrejti në uljen e investimeve etj. Te të gjithë këta faktorë mund të ndikohet për të minimizuar efektin e tyre negativ në ekonomi dhe kjo mund të bëhet duke ndjekur dhe zbatuar politikat e duhura.

Megjithatë, fokusi i këtij punimi nuk do të jetë tërësia e problematikave apo faktorëve të sipërpërmendur, por veç një prej tyre, paga minimale.

Paga minimale është një element tepër delikat, pasi prek disa faktorë në të njëjtën kohë dhe mund të ndikojë në prishjen e ekuilibrave të veçantë, sidomos në sistemin privat. Rritja e pagës është domosdoshmëri për shumë arsye, qofshin këto ekonomike apo dhe sociale. Në këtë këndvështrim ky punim do të fokusohet në teoritë që tregojnë se paga minimale duhet rritur e aq më tepër në ekonomi sikurse kjo e Shqipërisë, pavarësisht faktit se ajo minimalisht duhet të indeksohet me normën e inflacionit. Nga ana tjetër, studimi do të mbështetet edhe në një pyetësor të kryer me grupet përkatëse të interesit, në mënyrë që konkluzionet e nxjerra të jenë sa më reale dhe të besueshme. Në këtë punim do të evidentohen arsyet pse duhet rritur paga minimale dhe cili do të jetë ndikimi në ekonominë e vendit. Fillimisht do të hidhet një vështrim i përgjithshëm mbi situatën ekonomike të Shqipërisë dhe kjo për të kuptuar realitetin dhe shtratin ekonomik (kontekstin), për të cilin flasim. Kjo do të shërbejë për të zhvilluar analizën e duhur dhe për të mos abstraguar nga realiteti, por për ta përfshirë realisht në analizën që do të zhvillohet.

Më pas, do të bëhet një “shëtitje” në teoritë kryesore apo dhe studimet që evidentojnë dhe vërtetojnë domosdoshmërinë e rritjes së pagës minimale. Kjo do të shërbejë si një argument i fortë për të kërkuar rritjen e pagës minimale edhe në Shqipëri. Si përfundim, pyetësorët dhe anketat e zhvilluara do të ndihmojnë punimin që të ketë rezultate sa me realiste dhe të kuptohet qartë nevoja e rritjes së pagës minimale.

 Pjesë nga libri

Qëllimi kryesor i këtij punimi është të evidentojë domosdoshmërinë e rritjes së pagës minimale. Gjithashtu, ky punim ka si qëllim të japë rekomandime dhe argumente, të cilat do të shërbejnë si nxitëse te politikëbërësit për të kuptuar se rritja e pagës minimale brenda kufijve që lejon analiza ekonomike dhe arsyeja ndikon pozitivisht në ekonominë shqiptare. Për të arritur në fazën finale, pra në dhënien e rekomandimeve, ky punim ka disa synime të rëndësishme, ku mund të përmendim:

Evidentimin e problemeve dhe sfidave me të cilat përballen sot shtresat e shoqërisë, të cilët paguhen me pagë minimale. Grupimi dhe nxjerrja në pah e problemeve që ka kjo kategori bën të mundur krijimin e një “harte problemesh”, e cila do të ndihmojë të kuptohet qartë se çfarë ndikimi do të ketë nëse u rritet paga minimale.

Të analizohen politikat e ndjekura deri më tani ndaj kësaj shtrese për të parë nëse janë bërë përpjekje reale për rritjen e pagës minimale apo ndoshta është “abuzuar” duke mos u marrë në konsideratë.

Të evidentohet lidhja midis pagës reale dhe minimumit jetik duke bërë dhe krahasueshmërinë midis këtyre dy elementeve në vendet e zhvilluara.

Të shikohet nëse paga minimale duhet të jetë e njëjtë në të gjithë Republikën e Shqipërisë apo duhet të ketë nivele të ndryshme për qytete të ndryshme.

Pasi të jenë evidentuar dhe analizuar pikat e mësipërme, vetëm atëherë mund të jepen rekomandime të sakta dhe me vlerë, duke shpresuar në një rritje të pagës minimale dhe në një ndikim pozitiv në situatën aktuale ekonomike.

Përcaktimi i minimumit jetik dhe pagës minimale në përputhje me realitetin ekonomik të Shqipërisë është një domosdoshmëri, pasi ka ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë sistemin e pagave dhe shpërblimeve në sektorin privat, publik dhe në strukturën e shërbimit civil të administratës publike. Kjo, pasi vërehet se në administratën publike ka shumë pak punonjës që paguhen me pagë minimale, ndërsa në sektorin privat shumë më tepër, nxitur edhe nga informaliteti apo moszbatimi i ligjit.

Nga ana tjetër, të punësuarit e të dy sektorëve, si ai publik dhe ai privat, kanë një minimum jetik, i cili duhet reflektuar në pagën minimale. Nëse ekonomikisht nuk janë mundësitë për një rritje që do t’u siguronte përmirësimin e nivelit të jetesës minimalisht indeksimi me normën e inflacionit të deklaruar nga autoriteti përkatës, INSTAT në rastin konkret, duhet detyrimisht të bëhet. Kjo do të siguronte një nivel të qëndrueshëm të jetesës për këtë kategori punonjësish.

Ndër dy objektivat kryesorë të këtij punimi mund të përmendim: së pari, analiza e literaturës në lidhje me fushën kërkimore dhe me qëllimet e këtij punimi dhe së dyti, analiza e situatës reale. Pra, çfarë ndodh konkretisht me pagën minimale dhe çfarë filozofie po ndiqet.  Në këtë mënyrë, do të mund të kemi një tablo të plotë të problemeve me të cilat përballet ky kontingjent i popullatës, si dhe evidentohen arsyet e rritjes së pagës minimale.  ër sa i përket trajtimit të literaturës do të ketë një ndarje të tillë:

Do të analizohet literatura kombëtare dhe ndërkombëtare në lidhje me efektet e rritjes së pagës minimale në ekonomi.

Domosdoshmëria e rritjes së pagës minimale.

Në lidhje me trajtimin praktik do të ketë një ndarje të tillë:

Së pari, do të bëhet një përshkrim i shkurtër historik mbi rritjen e pagës minimale;

Së dyti, do të analizohet situata aktuale e ekonomisë së Shqipërisë;

Së treti, do të bëhet evidentimi i ndikimit që ka paga minimale në papunësi, konsum dhe varfëri;

Së katërti, do të evidentohen baza ligjore;

Së pesti, do të bëhet një analizë krahasimore midis pagës minimale në Shqipëri dhe pagave minimale të disa vendeve të tjera në zhvillim apo të zhvilluara. Kjo do të mundësojë të kuptojmë më mirë eficiensën dhe produktivitetin e politikave të përdorura;

Së gjashti, lidhjen midis pagës minimale dhe minimumit jetik;

Së shtati, analizimi i informacionit të mbledhur, qoftë ky sasior apo statistikor, në lidhje me fushën e studimit.

Si përfundim, objektivi kryesor është nxjerrja e përfundimeve dhe dhënia e rekomandimeve mbi problematikat e trajtuara, të cilat janë dhe objekt studimi.

Ky punim ngrihet mbi bazën e një hipoteze themelore, e cila është: “Rritja e pagës minimale ka ndikim pozitiv në rritjen ekonomike të Shqipërisë”

Përgjatë punimit do të analizohen dhe trajtohen ato çka janë përmendur te qëllimet dhe objektivat, të cilat do të na ndihmojnë në vërtetimin e hipotezës së ngritur të këtij punimi. Nga ana tjetër, edhe analiza statistikore e rezultateve të mbledhura nga pyetësori, por edhe të dhënat e tjera të marra nga burimet zyrtare, do të ndihmojnë në vërtetimin hipotezës.

Ky punim mendohet të ketë një rëndësi të veçantë, sepse, përveç faktit që trajton një temë, e cila është tepër sensitive, evidenton edhe efektin që ka rritja e pagës minimale në shoqërinë dhe ekonominë shqiptare.

Evidentimi i efekteve si ekonomike edhe sociale është tepër i rëndësishëm për politikëbërësit për të zbatuar politikat e duhura në favor të kësaj shtrese të shoqërisë. Kjo do të ndihmonte sadopak në përmirësimin e situatës ekonomike të punonjësve me pagë minimale, por edhe nga pikëpamja sociale absolutisht që ka ndikim pozitiv.

Njohja e këtyre efekteve është një kontribut i vlefshëm, i cili mund të shfrytëzohet mjaft mirë edhe nga grupet e interesit.

Ky punim mund t’u shërbejë drejtuesve të institucioneve përgjegjëse për pagën minimale, drejtuesve të kompanive private, si dhe menaxherëve të njësive të ndryshme. Kjo për të kuptuar rëndësinë e pagës minimale, si dhe ndikimin që ka ajo te punonjësit, si në sjelljen e tyre po ashtu dhe në motivim.

Gjithashtu, ky punim mund t’u shërbejë studiuesve të kësaj fushe studimore, akademikëve, studentëve që trajtojnë politikat ekonomike e publike, të cilët përveç përdorimit të këtij punimi për arsye studimore, mund ta përdorin edhe si një guidë të mirë për një tjetër punim të ngjashëm.

Si përfundim, ky punim mund të përdoret edhe nga individë të thjeshtë apo studiues të fushave të tjera për të marrë informacionin e nevojshëm rreth situatës së pagës minimale.

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back