Globi

Osmani: Askush nuk e ndryshon dot historinë e Kosovës

Shkruar nga Liberale
Osmani: Askush nuk e ndryshon dot historinë e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të shtunën se mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur ndërsa i cilësoi të kota përpjekjet serbe për të ndryshuar faktet historike.

Presidentja Osmani i bëri këto komente nëpërmjet një reagimi ndaj ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, i cili e cilësoi gënjeshtër masakrën e Reçakut, të vitit 1999, kur forcat serbe vranë mbi 45 civilë shqiptarë.

“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit (Slobodan) Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vullinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”, thuhet në reagimin e presidentes Osmani, në të cilin theksohet se “përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vullini si një besnik i tij. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”.

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimjes, në jug të Prishtinës. Ata hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre. Të nesërmen, ish drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat dhe e quajti aktin një masakër dhe krim kundër njerëzimit, të kryer nga forcat serbe.

Masakra shënoi fillimin e një fushate të re diplomatike në përpjekje për t'i dhënë fund luftës dhe një muaj më vonë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Në mars të atij viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk u nënshkrua nga Beogradi dhe NATO-ja filloi fushatën 78ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Autoritetet serbe përfshirë edhe presidenti aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë luftës në Kosovë, kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb, shpesh e kanë theksuar se masakra e Reçakut është fabrikuar për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

“Por, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera, NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”, shkroi të shtunën në reagimin e saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Të shtunën, ambasada amerikane në Prishtinë, tha se “mizoritë që ndodhën në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë. Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjell dhimbje për të mbijetuarit, nuk nderon viktimat dhe përjetëson ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe përparimin për Ballkanin Perëndimor”.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u bëri thirrje të shtunën serbëve të Kosovës, “që të distancohen nga gjuha e urrejtjes ndëretnike dhe nga secili person që mundohet t'i rikthejë në të kaluarën”.

Në një postim në rrjetet sociale ai shkroi se “Kosova u ndërtua me shumë vuajtje, dhembje e sakrifica. Pas luftës së përgjakshme, ajo gjeti forcën dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar konsolidoi demokracinë dhe krijoi një ambient ku shqiptarët dhe komunitetet pakicë, të jetojnë bashkë në paqe e harmoni”.

Por, shkroi, ai “fatkeqësisht, investimin shumëvjeçar në Kosovë, kohë pas kohe janë munduar ta cenojnë personazhe të shumtë me gjuhë të urrejtjes, siç është rasti i fundit i ministrit serb Vulin. Në Kosovë, ne ju kemi dhënë përgjigjen e duhur zërave të tillë. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në vitin 2019, kam shkarkuar ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq dhe zv.ministren e Drejtësisë Vesna Mikiq, për shkak të gjuhës së tyre që ishte në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e demokraci”.

Të dy ata kishin mohuar masakrën e Reçakut.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 20 vjet më pas, nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave./VOA

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH