Aktualitet

Orgesa Zaimi: Koha do tregojë se kush do mbetet e kush do të kujtohet!

Shkruar nga Liberale

Nga Albana Cenaj

Ajo njihet dhe preferohet si një nga artistet më të talentuara të vendit tonë dhe më gjerë në të gjitha trevat shqipfolëse. Vokali, talenti, por mbi të gjitha vlerat artistike që përcjell janë ato të cilat veçojnë pak artistë të vërtetë sot në Shqipërisë. Mes tyre spikat edhe Orgesa Zaimi. Në rrugëtimin e saj muzikor këngëtarja thotë se nuk ka hasur kurrë dilema, pasi ajo ka qenë e apasionuar dhe e përkushtuar ndaj muzikës dhe këngës. Në ndjekjen e ëndrrës për t’u bërë një këngëtare profesioniste, Orgesa përveçse besimit të palëkundur ndaj vetes, ka qenë gjithnjë e gatshme për të mësuar dhe punuar shumë. Përmes talentit në atë që gjithkush dëshiron të arrijë, duke mos hequr dorë nga të mësuarit dhe të punuarit, dhe duke besuar në vlerat njerëzore, është ky mesazhi që Orgesa Zaimi, në një intervistë për revistën “Liberale” jep për të rinjtë dhe adhuruesit e shumtë të muzikës.

“Kur kthehem pas në kohë dhe në mendime kujtoj që muzika ka qenë prezente shumë herët tek unë, kështu që projektimi apo ëndrra ime ka qenë gjithmonë aty, kjo edhe prej nxitjes së vazhdueshme të babait tim që më ka mbështetur e mësuar vazhdimisht. Por kam punuar shumë dhe jam ushtruar pa fund që të arrija rezultate konkret”, thotë Orgesa.

“Tek unë nuk ka pasur dilema për sa i përket muzikës dhe këngës, sepse është diçka që ka lindur e ka jetuar ne harmoni me çdo gjë tjetër në jetën time, madje e kisha si diçka të sigurt tek e cila ndjehesha mirë. Unë kam pasur fatin që të kem një baba muzikant dhe gjithmonë një familje pro artit, dhe duke pasur këtë siguri e mbështetje, ka qenë shumë e lehtë rrjedhimisht të bëj një zgjedhje. Momenti i parë që hipa në një skenë për të kënduar ka qenë në moshën 5-vjeçare dhe kjo ka qenë sfida e parë përballë një publiku të madh. Fakti që pas asaj dalje fitova çmimin e parë në festivalin e fëmijëve patjetër që më dha zemër e kurajo”, thotë ajo.

Këngëtarja vazhdon të prodhojë muzikë dhe të sjellë projekte të ndryshme muzikore, duke bashkëpunuar me artistë të tjerë të njohur në Shqipëri dhe në rajon. Çfarë e inspiron më shumë Orgesën? Ajo thekson se është e rëndësishme për të mbajtur veten të motivuar, duke mos hequr dorë nga puna e vazhdueshme.

“Kam pasur dhe kam vazhdimisht frymëzime që nuk limitohen vetëm tek muzika, edhe pse pikë referimi janë gjithmonë artistë të ndryshëm botëror, karrierat e tyre aspak të lehta por me shumë sakrifica dhe sfida e vendosmëri”, shprehet Orgesa. – ‘Por gjithmonë kam menduar që muzika e mirë arti i kulluar do të mbërrijë atje ku do të pritet e vlerësohet. Prandaj kam ndërtuar për veten time një profil të bazuar tërësisht në talent dhe në aftësi në këtë profesion patjetër me referenca nga këngëtare apo grupe të mira në muzikë dhe që pas tyre fshihen njerëz që dëgjojnë dëgjohen dhe frymëzojnë me çfarë ata bëjnë”.

Komercializmi dhe fenomeni i rrjeteve sociale kanë pasur ndikimin e tyre në karrierën e çdo artisti gjatë dy dekadave të fundit. Orgesa shprehet se çdo përqasje që ka kaluar, lë gjurmën e vet dhe është munduar të përshtatet me ndryshimet e ndodhura. Gjithashtu ajo thekson se zgjedhjet që ka bërë ajo për rrugëtimin e saj në muzikë kanë qenë bindëse.

“Jam dëshmitare e shumë ndryshimeve: e lindur në mes të viteve 80 e rritur në tranzicionin e viteve 90 e shkolluar në vitet 2000 dhe rrjedhimisht e sprovuar në kohën me të madhe të ndryshimeve në epokën dixhitale e kulturës masive. Por çdo gjë te unë ka lënë gjurmë që mendoj kam ditur më së miri të përshtatem”, vijon Orgesa rrëfimin e saj për Liberale. - “Patjetër kam rezerva, apo edhe përqasje te ndryshme por secili lë gjurmën e vet, zgjedhjet i kam bërë si rrjedhë e çdo gjëje që më ka ardhur në atë moment, apo në atë kohë dhe nuk pendohem që kam zgjedhur muzikën apo radion apo një profil të kujdesshëm dhe jo bërtitës!"

Orgesa Zaimi është e njohur për vokalin e saj dhe performancën energjike në skenë. Ajo ka marrë pjesë në disa festivale muzikore në Shqipëri, si "Kënga Magjike" dhe "Top Fest", ku ka arritur të fitojë çmime si “Kënga më e bukur” dhe “Artistja më e mirë në skenë”.

“Përveç karrierës së saj si këngëtare, Orgesa Zaimi ka shkruar tekste për këngët e saj dhe për artistë të tjerë, duke treguar aftësinë e saj si tekst-shkruese. E pyetur nëse ajo do të përmirësonte tekstet, melodinë apo zërin në tregun muzikor, shprehu se secili e zhvillon atë në bazë të pritshmërive të veta dhe në shijen që do.

“Jam pjesë e tregut dhe për rrjedhojë me emrin tim sjell një stil ose një varietet: që në fillim të karrierës time kam sjellë tekste të mira, tematika subjekte që tregojnë dhe duan të dëgjohen, me zërin tim kam dashur të identifikohem, po ashtu edhe me tingujt apo eksperimentimet muzikore. Besoj se ata që dinë dhe kuptojnë kanë bërë zgjedhje, sepse muzika sot është një zgjedhje që secili e bën në përshtatje të shijeve dhe pritshmërive të veta. Personalisht, e ndryshoj ose e zhvilloj tregun me aq sa mundem, por nëse do ta kisha tërësisht unë në dorë, muzika do ishte me më shumë volum, kohëzgjatje, thellësi dhe cilësi".

Sipas këngëtares vendi ynë ka pësuar origjinalitet në lidhje me muzikën dhe vlerave artistike që nga koha e tranzicionit, kur muzika filloi të kalonte një sprovë të madhe, si çdo gjë tjetër.

“Mendoj që në morinë e influencave nga rajoni apo fqinjët tanë, ne kemi ditur të kemi një fije origjinaliteti dhe këtë e shoh rrallë por me cilësi. Patjetër që ka humbur nga identiteti, që në fakt ka qenë në udhëkryq që në vitet 90, në atë kohë tranzicioni kur muzika pësoi një ndryshim dhe sprovë shumë të madhe…me kalimin e viteve humbi thelbi, mendoj, i asaj çfarë ne jemi por ka edhe shembuj të mirë dhe absolutisht besoj se ka vend për korrigjim, apo edhe vend për t’u ndjerë krenarë për talentet e shumta në muzikë që ne kemi dhe aftësisë për të shkëlqyer", shton ajo.

E pyetur nëse nëse po ndodh që artistët në përgjithësi duhet të organizohen dhe të veçohen nga pjesa tjetër pseudo ajo shprehet se respekton të gjithë ata që janë pjesë e këtij rrugëtimi dhe nuk gjykon asnjë, gjithsesi i ngelet publikut për të cilësuar dhe vlerësuar më të mirët.

“Në çdo profil apo profesion ka grupime të cilat dalin më shumë në sipërfaqe. Unë kam hyrë vetëm në treg dhe rrjedhimisht vetëm po operoj, vetëm në kuptimin e një “label”-i, kompanie apo grupi prodhues. Dhe mendoj se ka qenë shumë sfiduese dhe e vështirë për mua që të dal më në pah apo të jem më shumë produktive; të kem 10 albume në vit për shembull. Gjithmonë kam respektuar të tjerët, sepse ka vend për të gjithë dhe nuk gjykoj dëshirën por gjykoj talentin me aq sa unë kam aftësi. Por prapë mendoj se dëgjuesit tanë ose publiku ka veshë dhe sy dhe ata gjykojnë më mirë… koha do e tregojë se kush do mbetet e kush do të kujtohet!".

Si ka ndikuar politika dhe media në tregun muzikor? Në rrëfimin e saj për Revistën “Liberale” Orgesa thotë se nuk ka qenë pjesë e asnjërës prej tyre dhe ka zgjedhur pavarësinë e saj në atë çfarë punon.

“Politika dhe media kanë patjetër favoritet e tyre edhe në muzikë dhe unë asnjëherë nuk kam dal haptazi si pronë apo pjesë e asnjërës, kjo sepse gjithmonë kam operuar si e lirë siç kam edhe një këngë të 2016 “Ngrije zërin” … unë nuk dua të jem pjesë e diçkaje që nuk është muzika për shembull, që është thirrja ime, apo ajo që di të bëj më mirë, kështu që kam zgjedhur gjithnjë pavarësinë time dhe çfarë më lidh mua me profilin tim”.

Nuk ka mbetur pa u përmendur dhe jeta familjare e këngëtares e cila shprehet se është mjaft e përkushtuar pavarësisht çdo vështirësie apo kohës së limituar në karrierë. Ajo shprehet se familja për të është një krenari dhe arritje.

“Mendoj që të qenit edhe këngëtare edhe familjare të sjell në një profil ku unë jam sot; të qetë pa shume polemika, ose të paktën unë nuk jam ndjerë e sulmuar apo e vënë në dyshim, kjo sepse profilin tim artistik e kam ushtruar në maksimum, por ama edhe jetën time private dhe familjare i jam dedikuar paralelisht me karrierën! Ka vështirësi por ku ke mbështetje bëhet më e lehtë!”, shpjegon Oregesa. - “Krenaria ime më e madhe është patjetër familja ime dhe dy fëmijët e mi Bora dhe Kroni, janë arritja më e madhe e imja në jetë dhe çdo gjë e vë në funksion për ta!”

Janë të shumtë ata që mendojnë ose planifikojnë të largohen nga Shqipëria, përfshirë dhe artistët. Sipas Orgesës Shqipëria është vendi ideal për të jetuar pasi merr një vlerësim të merituar nga ana profesionale për këtë. – “Unë e kam pasur mundësinë të jetoj jashtë, kam jetuar për një kohë të shkurtër në Zvicër në një nga vendet më të dëshiruara dhe me nivel jetese të mirë e cilësor; dhe prapë u ktheva sepse mendoj që në Shqipëri do mundem të shfaqem më tepër apo të kem një profil të vlerësuar, paçka se s'është asnjëherë fushe me lule dhe ka ditë kur zhgënjimi të bën të mendosh të largohesh, por e dua shumë Shqipërinë dhe besoj se ka një arsye pse Zoti më ka lindur në këtë vend!”, thotë më tej Orgesa.

Dhe në fund të rrëfimit të saj, këngëtarja Orgesa Zaimi zbulon projektet e afërta në karrierën e saj muzikore. – “Jam duke përgatitur një këngë te re për të cilën po punoj këto muaj dhe shpresoj të pëlqehet sepse ka një atmosferë festive dhe gjithë përfshirëse”. /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH