Globi

Orban: Kosova provokoi serbët

Shkruar nga Liberale
Orban: Kosova provokoi serbët

Viktor Orban i Hungarisë konfirmoi edhe njëherë tjetër politikën e tij pro-serbe dhe të drejtuar kundër Kosovës, duke bërë përgjegjëse këtë fundit për tensionet e fundit.

Në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Spanjë, kryeministri hungarez tha se kërkesa e Prishtinës për sanksione ndaj Serbisë është qesharake dhe e pamundur.

“Serbët kanë vuajtur rregullisht provokime në dy vitet e fundit, ndaj duhet të kuptojmë se kosovarët duhet të sillen ndryshe. Mos provokoni serbët, provokimi të çon në përgjigje, që rezulton në destabilitet. Pa Serbinë nuk ka stabilitet në Ballkan, kështu që unë patjetër jam në favor të ndihmës së Serbisë në stabilizimin e rajonit”, tha Orban.

E teksa Beogradi ka siguruar një aleat të rëndësishëm brenda Bashkimit Europian, në rajon po ia vështirësojnë përpjekjet për të mos pranuar përgjegjësi mbi sulmin e 24 shtatorit në Kosovë, ku mbeti i vrarë një polic.

Kryeministri i Bosnje-Hercegovinës, Nermin Nikshiç hodhi poshtë pretendimet serbe se armët e gjetura nga autoritetet kosovare kanë origjinë boshnjake.

“Mund të kuptoj se Serbia ka qenë e ekspozuar gjatë ditëve të fundit ndaj presioneve dhe dënimeve të forta nga shtetet demokratike, por kjo nuk do të thotë se ata mund të kërkojnë alibi në Bosnje dhe Hercegovinë për veprimet e tyre. Armët e gjetura nga policia e Kosovës nuk janë prodhuar në Bosnje-Hercegovinë. Nga numrat serialë në armët e gjetura është e qartë se ato janë të prodhuara në fabrikat serbe”, u shpreh Nikshiç.

Kryeministri boshnjak thotë se Serbia po paraqet informacione të rreme dhe kërkon prej saj të nis hetimet për të treguar se kush urdhëroi sulmin terrorist në Kosovë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH