Kryesore

Opozita, hetim zgjedhjeve

               Publikuar në : 10:27 - 01/05/21 liberale

Drejtuesja e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR thotë se do të shihet me vëmendje çdo ankim apo numërim gjatë ditëve që vijnë. Presidenti Meta bën thirrje për hetim të thellë të fletëve të votimit. Kreu i KQZ-së, gjithashtu sugjeron një analizë mbi fletët e pavlefshme para asgjësimit të tyre. PD denoncon çdo ditë nga selia mbi atë që e cilësojnë masakër zgjedhore dhe LSI ka bërë kallëzim në SPAK për manipulim të procesit. Kryeministri Rama e cilëson PS makineri elektorale dhe rezultatin vlerësim të sovranit, edhe pse vëzhguesit ndërkombëtarë kanë ngritur shqetësimin mbi ndarjen e paqartë mes partisë dhe shtetit

 Ndërsa opozita deklaroi dy ditë pas votimeve, se zgjedhjet e 25 prillit nuk ishin demokratike dhe denoncoi blerje industriale të votave nga maxhoranca, vëzhguesit e OSBE/ODIHR kanë ngritur një shqetësim që ata e konsiderojnë edhe më të madh.

Drejtuesja e misionit të vëzhguesve, ambasadorja Urszula Gacek theksoi në një intervistë keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore. Atë që ajo e cilësoi si qëndrim të turbullt të kufirit mes partisë dhe shtetit.

Edhe kandidati demokrat për qarkun e Fierit, Enkelejd Alibeaj fliste pak ditë më parë se opozita nuk ishte përballur me një kundërshtar politik, por me një regjim dhe me bandat e tij.

Alarmi qe ngritur më herët, gjatë fushatës nga Elbasani, ku PD denoncoi në polici se elementë të lidhur me PS ofronin para në këmbim të votës në mes të qytetit. Incidenti që rezultoi me një të vdekur dhe disa të plagosur, zbuloi edhe masat që PD kishte marrë për mbrojtjen e votës duke ngritur një strukturë të posaçme me vullnetarë, që vinin nga radhët e policisë si ish-efektivë.

Megjithëse ambasadorja amerikane fliste për struktura të tilla jo legjitime si pjesë e së shkuarës, ajo bënte thirrje SPAK për hetimin e krimeve zgjedhore.

Edhe pas përfundimit të procesit dhe daljes së rezultatit, jo vetëm Yuri Kim por edhe diplomatë të tjerë të huaj si ai gjerman apo ai britanik, krahas përgëzimit për fituesin e zgjedhjeve bënë thirrje për hetim mbi shkeljen e ligjit, lidhur me krimin zgjedhor.

Zonja Gacek do të thoshte se sipas burimeve të besueshme, kanë nisur 33 hetime për shitblerje votash. Këtë shifër do ta bënte të ditur Struktura e Posaçme AntiKorrupsion, ndërsa Alibeaj nga PD do të deklaronte se vetëm ky subjekt politik kishte bërë mbi 90 kallëzime në prokurori. Siç vë në dukje, Gacek, shitblerja e votës nuk i përket një partie të veçantë. Disa video që qarkulluan në rrjet, shfaqnin edhe elementë të lidhur me LSI-në.

“Dëmi që sjell shit-blerja e votës në perceptimin dhe besueshmërinë tek sistemi zgjedhor është i dyfishtë”, do të shprehej zonja Gacek duke shtuar se ODIHR ka bërë rekomandime në zgjedhjet e mëparshme lidhur me shit-blerjen e votës.

Megjithëse pohonte një rikthim të besimit në sistemin zgjedhor, drejtuesja e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR do të shprehej se do të shiheshin me vëmendje çdo ankim apo rinumërim në ditët që vijnë. Kjo për të vërtetuar nëse njerëzit mendojnë që shifrat janë reflektim i ndershëm i realitetit në kutitë e votimit.

Presidenti Meta, i cili fillimisht mbajti një qëndrim neutral pas zgjedhjeve, duke i njohur vetes meritën për mbarëvajtjen e procesit dhe pjesëmarrjen e madhe, do të bënte thirrje dje të mos prekej asnjë kuti apo fletë votimi para se t’i nënshtrohet një hetimi të thellë.

“Të numërohet gjithçka sepse filmimet janë atje. Është e lehtë për ta kuptuar nëse një fletë ka dy kryqe dhe nëse i ka bërë e njëjta dorë apo janë dy duar të ndryshme, pra dora e sovranit dhe dora e sekserit dhe atyre që administrojnë dhe që kanë pasur qëllim për të cenuar votën e sovranit”, deklaroi në konferencë kreu i shtetit duke shtuar se janë bërë marifete me fletët të dala të pavlefshme.

Meta u bëri thirrje KQZ-së, Kolegjit Zgjedhor, Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë që të jenë në gatishmëri të këtij procesi. “Asgjë nuk na nxiton, institucionet krijohen në shtator” tha presidenti, ndërsa maxhoranca ka bërë me dije se do të nisë procedurat në parlament për shkarkimin e presidentit.

Me mbi 83 mijë fletë votimi të pavlefshme, edhe kreu i KQZ-së Celibashi do të peshonte se kjo mund të kishte ardhur për shkak të modelit me numra dhe jo me emra.

“Tani nuk dua të bëj profetin megjithëse jemi post-factum, por nëse fleta e votimit do ishte me emra, ndoshta do ishte ndryshe. Por vendimmarrja e CAS-it dhe Kolegjit vlerësoi që informacioni mund të ishte më i thjeshtë për votuesit”, do të shprehej Ilirjan Celibashi i cili fillimisht propozoi një model me emrat e kandidatëve. Modeli u mbështet nga PD, por u refuzua nga PS me argumentin se bëhej e ngatërrueshme për votuesin, veçanërisht në qarqet me shumë kandidatë, si Tirana.

Celibashi do të sugjeronte që fletët e pavlefshme t’u nënshtroheshin një analize për të kuptuar më mirë shkaqet, para se KQZ t’i asgjësojë.

Edhe LSI e ka etiketuar procesin zgjedhor si një masakër, qëndrim ky i njëjtë me atë të Partisë Demokratike.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari u shpreh se është depozituar kallëzim në SPAK “për manipulime të rënda të procesit zgjedhor nga komisionerët dhe drejtorët e Rilindjes që manipulonin votat, duke bërë shënime dhe duke i bërë të pavlefshme”.

Ai tha gjithashtu se pas shpalljes së rezultatit përfundimtar nga KQZ, do të bëjnë edhe ankimim për zgjedhjet në qarkun e Gjirokastrës, në Berat dhe në qarkun e Durrësit.

Edhe nga selia e PD-së, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi ka publikuar sipas tij fakte mbi skemën e blerjes së votave nga maxhoranca. Sipas tij, ministrja Balluku ka legalizuar banesa në këmbim të votave.

Siç e ka bërë me dije edhe ish-kryeministri Berisha pak ditë më parë përmes një statusi në Facebook, PD është thënë se po përgatit një dosje të plotë të të gjithë shkeljeve dhe manipulimeve me procesin zgjedhor. Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso, përmes një letre drejtuar KQZ-së kërkon vënien në dispozicion të materialeve, pas dyshimeve për manipulim. Edhe kreu Celibashi, duke pohuar pretendimet dhe shqetësimet e disa kandidatëve gjatë procesit të numërimit, i ka bërë thirrje Prokurorisë të hetojë. Ai ka bërë të ditur se disponohen filmime të procesit të numërimit, që do të vihen në dispozicion të organit të hetimit.

“Çdo ditë dalin në pah fakte, prova dhe dëshmi të veprimeve të Ramës/Doshit dhe bandave të tyre për të vjedhur zgjedhjet”, ka deklaruar Bardhi.

I pyetur gjatë një emisioni televiziv mbi fletët e pavlefshme, kryeministri Rama tha se prej tyre PS kishte humbur tre mandate.

“E habitshme në fakt. U kemi kërkuar të gjithë tanëve që të mbajnë shënim gjithë votat që kanë dalë të pavlefshme. Kjo për t’i pasur të shënuara. Dhe është e habitshme, mijëra e mijëra vota kanë shënuar numrin 12. Madje mijëra mes tyre kishin votuar Ballën”, tha Rama duke iu referuar qarkut të Elbasanit. Këtë pretendim do ta nxirrte edhe Taulant Balla, duke marrë përsipër përgjegjësinë për vonesën që të dyja partitë shkaktuan në caktimin e modelit përfundimtar të fletës së votimit. Sipas Ballës shumë fletë të pavlefshme kishin të shënuar numrin 12, të Partisë Socialiste dhe numrin 8, që përkonte me emrin e tij, por në një rresht më poshtë. Megjithatë, kreu i grupit parlamentar të PS-së, arriti që në këto zgjedhje të mblidhte mbi 21 mijë vota preferenciale, duke dalë kështu kandidati më i votuar në të 12 qarqet.

Sipas kryeministrit Rama, nëse votat e pavlefshme do të ishin të vlefshme, atëherë PSt do të kishte fituar 77-78 mandate. Një parashikim që kreu i qeverisë do ta bënte që në ditët e para të fushatës, kur vendosi një rezultat dysheme jo më pak se 74 mandate dhe një maksimum prej 78 të tillë.

Ndërkohë që PD është zotuar të denoncojë çdo ditë me video dhe foto rreth manipulimit të procesit zgjedhor, vëzhguesit e OSBE/ODIHR – që e vunë në dukje shqetësimin mbi shitblerjen e votës një ditë pas votimeve- ka qenë keqpërdorimi i adminsitratës shtetësore dhe mosndarja me një vijë të dukshme të partisë në pushtet me shtetin.

Por sipas kryeministrit Rama, rezultati i 25 prillit është vlerësimi i sovranit, ndërsa e ka cilësuar Partinë Socialiste makineri elektorale, e që nuk duhet marrë lehtë.

I bindur edhe për një mandat të katërt, ndërsa i ka bërë ftesë kreut të PD-së për bashkëpunim sipas tij pa kufizime dhe tabu, kryeministri ka bërë një tjetër parashikim që e çon PS-në të marrë 850 mijë vota në zgjedhjet e 2025-s.

Ende pa u certifikuar rezultati përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Rama ka marrë urimet nga liderë të shteteve por edhe diplomatët e huaj brenda vendit, ndërsa shumë prej tyre kanë këshilluar për njohjen e rezultatit dhe të gjykimit të sovranit. Megjithatë, siç ka bërë të ditur SPAK, janë në proces 33 procedime penale të lidhura me krimin zgjedhor dhe partitë politike që denoncojnë çdo ditë dhe paralajmërojnë ankimim të rezultatit. Gjithaq edhe 30 kandidatë për deputetë, mes tyre edhe fitues që do të ulen në Parlament, janë në proces verifikimi dhe hetimi për dyshime të veprimtarive të tyre të lidhura me krimin. Ditët që vijnë do të tregojnë nëse këto do të jenë relevante për procesin, apo anësore dhe pa efekt në vulosjen përfundimtare të fitores së PS-së, e cila nga 9 shtatori do ta qeverisë vendin për një mandat të tretë.

Meta: Nga ky moment bëni shumë kujdes, mund të lëvizin shumë mandate!

Presidenti Ilir Meta tha se nuk do të japë dorëheqjen, pavarësisht se Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e 25 prillit, duke siguruar 74 mandate.

Në një deklaratë për media në mbyllje të procesit të numërimit të votave, Kreu i Shtetit tha para gazetarëve se konferencën e fundit në Presidencë do ta mbajë më 24 korrik 2022, ndërsa shtoi se tani vëmendja duhet të jetë vetëm te mbi 83 mijë votat e pavlefshme.

“Asnjë përgjigje për shashkat që duan të largojnë vëmendjen tuaj nga mbi 83 mijë vota të pavlefshme dhe që nga pamjet filmike duhet parë si janë bërë të pavlefshme, se nuk ka statistikë në botë që e justifikon këtë, kur e dini mirë që diferenca është shumë e ngushtë. Mund të lëvizin shumë mandate këtu. Ne duhet të mbajmë vëmendjen këtu. Po të ishte për këto histori, kishte ikur 100 herë Ilir Meta nga Presidenca, por më 24 korrik 2022 këtu do ta bëjmë konferencën e fundit. Mos u përqendroni as te dorëheqjen, as të tërheqjet, vetëm këtu, të respektohet çdo votë. Nga ky moment të kenë shumë kujdes, asnjë kuti të mos ndërrohet, asnjë përpjekje për të mbuluar krimet të mos bëhet”, ka deklaruar kreu i shtetit, i pyetur edhe rreth lëvizjeve të reja të maxhorancës për nisjen e procedurave për shkarkimin e tij.

Shitblerja e votës, Gacek rekomandon: Edukim i votuesve dhe ndjekje penale

Në intervistën dhënë për Deutsche Welle, ambasadorja Urszula Gacek, drejtuese e misionit të vëzhguesve ndërkombëtare të OSBE/ODIHR ka folur edhe mbi fenomenin e shitblerjes së votës dhe sesi janë bërë rekomandime për adresimin e tij, edhe më herët.

DW: A ka prekur shit-blerja e votës besueshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor?

Urszula Gacek: Ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shit-blerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit. Lidhur me shit-blerjen e votës, është një dukuri për të cilën në zgjedhjet e mëparshme janë bërë rekomandime sesi të trajtohet. Duhet vënë në dukje që shit-blerja e votës nuk i përket një partie të veçantë. Nëse i referohemi informacioneve të besueshme, kemi 33 hetime për shit-blerje votash, që janë hapur para ditës së votimit. Pra nuk ka vetëm një fajtor. Dëmi që sjell shit-blerja e votës në perceptimin dhe besueshmërinë tek sistemi zgjedhor është i dyfishtë. ODIHR ka bërë rekomandime në zgjedhjet e mëparshme lidhur me shit-blerjen e votës. Njëri prej tyre është edukimi i njerëzve që nuk duhet ta shesin votën e tyre. Kemi parë një përpjekje të madhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ) në këtë drejtim, komuniteti ndërkombëtar i pranishëm në Shqipëri, Këshilli i Europës, Ambasadat, shoqëria civile. Rekomandimi tjetër, është trajtimi i shkelësve të ligjit, që po e ndjekim me shumë vëmendje. Nëse dikush kapet që shet dhe blen votën ka rëndësi mënyra sesi e trajtojnë autoritetet rastin. Çdo rast duhet trajtuar me drejtësi dhe paanshmëri, që në të ardhmen njerëzit mos ta bëjnë këtë. Nuk është një dukuri që mund të zhduket vetëm në një proces zgjedhor, pra ka dy elemente: edukimin e votuesve dhe ndjekjen penale.

DW: Ambasador Gacek, më lejoni të rikthehem tek shqetësimi për keqpërdorimin e burimeve të administratës publike nga forca politike qeverisëse. A mund të ketë ndikuar në besueshmërinë dhe integritetin e procesit?

Urszula Gacek:Kur një forcë politike është në pushtet, ka gjithmonë një sërë avantazhesh natyrore, pasi mund ta tregojë veten më shumë. Nga ndjekja e fushatës në 12 qarqet e Shqipërisë me vëzhguesit tanë ndërkombëtarë kemi konstatuar që të gjithë aktorët politikë mbanin fjalime. Nisur nga përmbajtja e tyre, askush nuk mund të hedhë poshtë që biznesi i qeverisë vazhdoi psh. kur dikush shkon hap spitale apo përuron shkolla. Ka pastur vizita inspektuese, të shpeshta nga ministra në objekte të caktuara dhe përdorur ato për fushatë elektorale. Media shqiptare, nga vëzhgimet tona, e ka parë këtë si pjesë të fushatës zgjedhore të partisë në pushtet. Por kur ke logon e partisë në maskën anti-Covid , nëse je duke mbajtur fjalim dhe thua “Më votoni” atëherë kjo nuk është e lejueshme, e kapërcen kufirin e së lejueshmes. Pra, është fakt që partia në pushtet ka disa avantazhe. Çështja është nëse mund ta përmbash, kufizosh veten që t’i përdorësh këto avantazhe brenda kufirit të lejueshëm. Misioni ynë po analizon pikërisht këtë, nëse ligji zgjedhor e ndalon këtë praktikë, pasi ligji është më strikt sesa rregulloret dhe udhëzimet. Ka paqartësi në ligjin e ri zgjedhor që do t’i shikojmë në detaje./Gazeta Liberale

Tags: , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back