Kryesore

Opozita e rinis nga Teatri

               Publikuar në : 09:30 - 19/05/20 liberale

Teatri është kauza, që i duhej opozitës për të rinisur. Qëndrueshmëria dhe përhapja në masë është vendimtare, nëse do të jetë një shans që do të zbehet me ardhjen e verës apo do të shënojë pikën e kthesës

Suadela Balliu

 E diela e shembjes së kompleksit të godinave të Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental, përkoi me datën kur Lulzim Basha ulej me Edi Ramën për të arritur ndaj të gdhirit të 18 majit marrëveshjen që e nxori opozitën nga çadra e protestës drejt zgjedhjeve parlamentare.

“Koha tregoi shumë shpejt se gabova”, do të shprehej kryedemokrati, një natë pasi e kishte zbardhur me grupimin e artistëve dhe aktivistëve në mjediset e teatrit dhe tre vite pasi PD humbi zgjedhjet për të kaluar edhe një katërvjeçar në opozitë.

Një vit pas djegies së mandateve parlamentare, protestave para Kryeministrisë dhe Parlamentit  për muaj me radhë, angazhimit për të përmbushur kushtet për çeljen e negociatave, motivimit të strukturave për zgjedhje të parakohshme dhe uljet në tryezën e Reformës Zgjedhore, opozita e gjen veten sërish në rrugë.

Kësaj here, pasi vetë kreu Basha do të deklaronte se opozita nuk do të qe më ajo që ulërinte dhe bërtiste në rrugë. Ajo opozitë nuk ekzistonte më, artikulonte i bindur kryeopozitari. Pohim që nuk  e bënte për herë të parë, në fund të prillit, por qysh prej vjeshtës së shkuar që ngulmonte se opozita ishte përtej grupimit që organizonte protesta një alternativë për shqiptarët.

Ndonëse deri më tani janë shprehur si mbështetës të protestave që do të organizohen nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar,  duke ua lënë protagonizmin qendrestarëve të 27 muajve kauzë, prania e Bashës dhe e Kryemadhit së pari në mjediset e teatrit e më pas ulur këmbëkryq në mes të rrugës, nuk mund të mos merrte dritën e prozhektorëve, duke e shndërruar  natyrshëm në politike.

Por përfshirja e Bashës në kauzën e Teatrit Kombëtar, nuk ishte e orëve të fundit.  Ai u gjend pranë komunitetit të artistëve qysh në ditët e para, kur nisi protesta. Por, atëkohë prania e politikanëve në revoltën e artistëve që  nuhatnin frikën e vjedhjes së pronës publike për afera korruptive, ishte ecje në terren të brishtë.

Me shpalosjen e planit të teatrit të ri, ligjit special për t’ia kaluar me koncesion pa garë ndërtimin kompanisë “Fusha”, Partia Demokratike u bë aktive në denoncimin e asaj që e cilësuan korrupsion qindra miliona eurosh të qeverisë me oligarkët, falë të cilëve mban pushtetin.

Basha madje do të organizonte edhe dëgjesa me anëtarët e asaj që mori emrin “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar” dhe do të shfaqej korrikun e 2019-s brenda sallës, ku mundën të hyjnë pas konfrontimit me policinë artistët dhe aktivistët që mblidheshin çdo mbrëmje në sheshin mes teatrove.

Kalimin e Teatrit Kombëtar -përmes  një VKM-je të miratuar e botuar  në fletoren zyrtare  brenda së njëjtës ditë – në pronësi të Bashkisë Tiranë, kreu i selisë blu e cilësoi si vijën e kuqe. Kalimi i saj, lajmëronte rikthimin tek protesta.

“Nëse ky pushtet do t’i shkojë deri në fund marrëzisë për të ndezur zjarrin te Teatri, le ta presin popullin dhe zjarrin nga Surreli tek qendrat tregtare dhe objektet luksoze të oligarkëve të lidhur me krimin e organizuar”, shprehej Basha vetëm pesë ditë më parë, duke shtuar se akti i luftës së nisur nga qeveria, do të merrte përgjigjen e merituar nga opozita.

Shembjen e  Teatrit Kombëtar, i cili prej mëngjesit të 17 majit nuk ekziston më, duke varrosur nën gërmadha më shumë se 80 vjet histori, Basha do ta cilësonte si aferën e një qeverie në ikje.

Për mëse një vit,  Basha dhe aleatët si Opozita e Bashkuar, kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare, si zgjidhjen definitive të krizës, që sipas tyre i kishte kapërcyer kufijtë e politikes dhe ishte po aq sociale dhe ekonomike.

Pas kushteve të panegociueshme, të artikuluara përmes dhjetë protestave kombëtare për largimin e kryeministrit Rama, opozita do të vijonte duke e vënë theksin tek qeveria kalimtare, në hapat para uljes në tryezën e Reformës Zgjedhore. Fillimisht përmes paketës prej pesë pikash për zgjidhjen e krizës e më pas në propozimet e dy përfaqësuesve opozitarë të Këshillit Politik, të cilët u ulën me Damian Gjiknurin dhe Rudina Hajdarin për  dakordësimin e një Kodi të ri Zgjedhor, si kusht i Këshillit Europian për çeljen e negociatave.

Ndërsa Këshilli i rimori mbledhjet pas shkëputjes dy mujore shkaktuar nga pandemia e koronavirusit jo pa debate, pas shembjes së godinës së Teatrit Basha deklaroi se nuk do të kishte Reformë Zgjedhore. Dje, Këshilli Politik që vendosi si afat për mbylljen e Kodit 30 majin e që ka si çështje mosdakordësie administrimin e zgjedhjeve dhe Kolegjin Zgjedhor, u mblodh pa përfaqësuesit e opozitës.

Nëse një javë më parë, si kreu Basha ashtu edhe përfaqësuesit Bylykbashi dhe Vasili, do të përgënjeshtronin maxhorancën dhe do t’i kthenin përgjigje ambasadorit të BE-së, se nuk e kishin braktisur tryezën dhe nëse maxhoranca do të tregonte vullnet politik, mund ta miratonin shumë përpara përfundimit të afatit të Komisionit për Reformën Zgjedhore.

Shembja e Teatrit Kombëtar, që solli edhe reagimin e ndërkombëtarëve ndër ta edhe të Soreca-s që kishte kërkuar dialog mes autoriteteve dhe artistëve, ishte edhe çasti i volitshëm për ndërrimin e kursit të opozitës.

Pamjet e Bashës dhe Kryemadhit, të ulur mes njerëzve këmbëkryq, nuk ishin aq të ndryshme nga ato të vitit të kaluar, pasi opozita dorëzoi mandatet si përfaqësues parlamentarë, por kauza e gjetur përtej lëvizjes politike, u jep alibinë e nevojshme për t’u rikthyer aty ku e nisën.

Jo vetëm denoncime të aferave korruptive, kryebashkiakëve me të kaluar kriminale, pushtetit të lidhur me oligarkët, nga foltorja e selisë pasi lëvizja në rrugë kishte nisur të mpakej pas dorëzimit të bashkive  që mbanin flamujt e PD dhe LSI deri në zgjedhjet e 30 qershorit. Me shembjen e Teatrit, opozita e rinis ku e la, duke i kthyer lëvizjes politike, dimensionin që e humbi rrugës, me protestën e fundit të 8 korrikut, vetëm pak ditë pasi PS kishte fituar  në zgjedhjet pa kundërshtarë të 61  bashkitë e vendit.

“Shkatërrimi nuk është fundi i Teatrit, i kulturës, i artit,  i guximit por fillimi i fundit të tiranisë dhe teatrit që Rama ka luajtur 7 vjet me shqiptarët me jetën e tyre, me institucionet, me Kushtetutën e vendit dhe ky fund do të  vijë shpejt dhe do të  jetë çlirimtar”, do të shprehej Basha, në përfundim të protestës së djeshme, ku u shfaq si mbështetës.

Njësoj siç kishte bërë më 2 mars, në tubimin e organizuar nga kreu i shtetit Ilir Meta, i cili i thirri qytetarët në bulevard me moton, në Mbrojtje të Kushtetutës.

I pranishëm ishte edhe ish-kryeministri Berisha, i cili prej kohësh është treguar më i ashpër se kryetari i PD-së në deklarata, duke bërë thirrje për protesta.

Me praninë e qytetarëve, pa flamuj partiakë dhe me ngulmimin e Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar për të vijuar me kauzën që nisën 27 muaj më parë, Basha gjen kështu jo vetëm terrenin, por edhe momentin për të kanalizuar pakënaqësinë popullore.

Shembja e Teatrit Kombëtar e pa Bashën të artikulohet si kryeministri i ardhshëm e ndoshta projektimin edhe të zgjedhjeve të parakohshme, që u dukën krejt të largëta për shkak të situatës së krijuar me pandeminë globale.

Aty ku ka qenë, siç ka qenë, u zotua Basha se do të ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar, në atë që në trashëgiminë kulturore dhe arkitekturë quhet falso storico  dhe çuarjen në burg të përgjegjësve

“Siç e patë sot, shpresa e Edi Ramës se me dhunë do të shuajë zërat e njerëzve të lirë e dëshirën e shqiptarëve për ndryshim ka marrë fund”, do të deklaronte Basha, ndërsa shembja e Teatrit e bëri të ndryshonte axhendën politike, duke ndërprerë takimet në terren me qytetarë apo sipërmarrës të vegjël, të dëmtuar rëndë ekonomikisht nga masat e izolimit.

Regjisori Robert Budina, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit lajmëroi protestën e radhës pasditen e së mërkurës dhe Basha do të shprehte mbështetjen totale ndaj tyre. “Siç ata e kanë kërkuar” , tha kryedemokrati, duke shfrytëzuar mundësinë për t’u bërë thirrje qytetarëve “ta konsiderojnë këtë një betejë kundër tiranisë, një betejë për rikthimin e demokracisë, për shporrjen e këtij hajduti ordiner dhe këtij krimineli dhe natyrisht nesër është fillimi dhe jo fundi i betejës”, tha ai.

Presidenti Meta, i cili dorëzoi padinë e dytë në Kushtetuese ndaj Vendimit të Këshillit të Ministrave, që i kaloi në pronësi Teatrin Kombëtar bashkisë, teksa bëri thirrje për hetim ndërkombëtar iu drejtua protestuesve që mos i përgjigjeshin dhunës me dhunë e të mos provokoheshin nga ata që, i quajti “talebanë”.

Edhe pse presidenti është shprehur në mbrojtje të Teatrit, duke kthyer dy herë ligjin special për ndërtimin e teatrit të ri dhe duke dorëzuar dy padi për çështjen në Kushtetuese, dje kishte qëndrim më të moderuar se ai i 2 marsit apo edhe ai i 8 qershorit të vitit të kaluar, kur rrezikut për përplasje civile në protestën e opozitës i doli para me dekretin që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit.

Nga protesta, aktorë të përfshirë në kauzë por edhe qytetarë, i kërkuan t’u bashkohej në protestë e të nxirrte dekret për shpërndarjen e parlamentit, thirrje këto që erdhën disa ditë pas zërave që qarkulluan për një marrëveshje mes tij dhe kryeministrit Rama. Zëra që i hodhi poshtë jo vetëm kreu i shtetit, por edhe kreu i qeverisë, duke deklaruar se nuk do të kishte  koalicion në zgjedhjet e 2021-shit me atë që e quajti “Partia e Presidentit”.

Kreu i PD-së Basha, do t’i përgjigjej aludimeve për marrëveshje të fshehtë me bindjen se asgjë nuk do ta përçante opozitën, sipas tij më të bashkuar se kurrë.

Po dje, pasi në anë të rrugës këmbësore “Murat Toptani”  fadromat shembnin godinat teatrore, Basha do të mblidhte aleatët në selinë blu, për të vendosur rreth lëvizjes së unifikuar të opozitës.

Teatri është kauza,  që i duhej opozitës për të rinisur. Qëndrueshmëria dhe përhapja në masë do të jetë vendimtare, nëse do të jetë një shans që do të zbehet me ardhjen e verës apo do të shënojë pikën e kthesës.

Berisha: Do t’ia djegim tokën nën këmbë këtij shteti

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje për mosbindje civile me të gjitha format nga protesta e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Në një prononcim për mediat, Berisha deklaroi se kemi një diktaturë që duhet ta përmbysim sa më parë me mosbindje totale civile duke iu bërë thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen protestës.

“Kur ne përsërisim këto nga mëngjesi deri në darkë forcë që ti rezistojë qytetarëve nuk ka dhe nuk mund të ketë. Është mision qytetar. Kemi një diktaturë duhet ta përmbysim sa më parë me mosbindje totale civile. Të gjithë antidiaktorialët duhet të dalin.

Do t’ia djegim tokën nën këmbë këtij shteti që shkelmon në kafshëri të papërmbajtur një njeri në tokë. Siç ndodhi më të ri dje apo siç ndodhi tek liqeni. Meritojnë çdo ndëshkim. Iu bëj thirrje qytetarëve tu japin përgjigjen e merituar. Kanë banditë, s’kanë familje, s’kanë asgjë dhe meritojnë çdo lloj ndëhskimi. Ti identifikojnë dhe tu japin atë që meritojnë. Qyt shqiptarë njerëzit më të pambrojtur në botë. Keni një polici me vrasës e banditë që iu shtyp në tokë. një kryebandit që rikthen praktikat e etërve të tij. një drejtësi në xhepin e banditit. Qyt e ndershëm nuk kanë asnjë mbrojtje tjetër përveç guximit. Guximi arma më e fortë. Thirrje që të çlirohemi sa më shpejt nga kjo diktaturë.

Në ‘90-‘91 komunizmi iku se e zvarritën diktatorin i bënë gjyqin politik. Sot narkodiktatori meriton Lanën, jo zyrën që ka. E meriton të hodhët në Lanë sepse aty e ka vendin në koshin e plehrave të historisë. Sot përveç Zotit dhe guximit të tyre nuk kanë asnjë mbrojtje tjetër. Të përdorin guximin e tyre për të flakur sa më shpejt këtë regjim të poshtër. Skena të tilla kam parë vetëm në ’90 me stampistët që e rrëzonin vajzën në tokë dhe e shkelmonin. I përgëzoj shqiptarët për heroizmin që kanë treguar, duhet të bashkohemi të gjithë. janë me dhjetëra e qindra socialistë. E di ç’më thoshte një socialist me sms, mu thaftë dora që votova për të. Xhaçka dhe Yaris ngjiteshin me 8 vetura dhe një pako me ndihma për një familje. Jemi të vendosur të paguajmë çdo çmim për t’u çliruar nga diktatura. Ky shtet nuk ekziston më për shqiptarët. përgjigje me të gjitha format e mosbindjes civile”, deklaroi Berisha.

Meta thirrje protestuesve: Mos u provokoni nga Talebanët!

Rreth  një orë pasi protesta kishte  nisur, presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë. Presidenti Ilir Meta nuk është i pranishëm në protestë.

“Rinia e Shqipërisë, pasuria jonë më e madhe! Mos u provokoni nga Talebanët! Demokracia do Triumfojë! Me qetësi dhe dashuri për Shqipërinë“, shkruan Meta.

Më herët ai postoi në rrjetin social Facebook, duke kërkuar hetim ndërkombëtar për shembjen e Teatrit Kombëtar, sipas të cilit është bërë në mënyrë të paligjshme, e ndërsa u ka bërë thirrje Aleancës, si organizuese e protestës, që të mos ii përgjigjen dhunës me dhunë.

“Mbështes fuqimisht një hetim ndërkombëtar për shkatërrimin antikushtetues, të paligjshëm dhe në mënyrën më antieuropiane të Teatrit Kombëtar. Gati të bashkëpunoj me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe me çdo institucion europian dhe ndërkombëtar për Kulturën. Europa dhe bota demokratike po e kupton edhe me qartë se ç’po ndodh këtu. Mos iu përgjigjni dhunës me dhunë, por me besim te Demokracia dhe Triumfi i saj mbi talebanizmin dhe oligarkinë”, tha Meta. /Gazeta Liberale

Tags: , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back