Red Varaku
Likuidimi politik i Berishës përmes shpalljes nongrata nga DASH dhe asgjësimi politik i Metës që po tentohej pas një e-maili të ardhur nga Washington-i, e kishin turbulluar deri në kaos skenën politike shqiptare dhe dukej sikur kjo do të vazhdonte gjatë.
Kjo jo vetëm sepse këto goditje po perceptoheshin si goditje kundër opozitës të sponsorizuara nga kryeministri me qëllim për ta asgjësuar tërësisht atë, sidomos pas humbjes së 25 prillit, por edhe për faktin se për opinionin publik ishte vërtetë e paarsyeshme të goditej një individ që kishte disa vite që e kishte lënë pushtetin, ndërkohë që kryeministri në detyrë është shkaktari kryesor korrupsionit monstruoz që ka kapluar sistemin politik .
Ishte goditja fatale ndaj kryeministrit Rama nga vetë Drejtësia Amerikane përmes aferës Mcgonical, (një goditje që deri dje ishte e paimagjinueshme) që të qartësoheshin dinamikat e reja dhe realitetin e ri politik ku është futur Shqipëria pas aferës Mcgonical.
Kështu është e qartë që goditjet e tre aktorëve më të rëndësishëm të tranzicionit politik nuk mund të jetë kurrsesi ngjarje të shkëputura.
Goditja e tyre duket se është pjesë e një procesi pastrimi të pandalshëm të politikës shqiptare që e ka zanafillën tek Urdhri Ekzekutiv i Presidentit Amerikan ku për herë të parë përfshihej edhe Shqipëria.
Ky urdhër e konsideron korrupsionin si rrezik dhe kërcënim për Sigurinë Kombëtare të ShBA, sepse ai është një pikë e dobët që mund të shfrytëzohet nga armiqtë e SHBA-ve për të destabilizuar të gjithë rajonin.
Është e qartë që të tre aktorët konsiderohen përgjegjës për degradimin e demokracisë dhe kapjen e saj në funksion të plaçkitjes së pasurive publike në interes të një grushti të vogël individësh ndaj eliminimi dhe më pas ndëshkimi i tyre është i pashmangshëm.
Në këtë kuptim pas shenjëstrimit për eliminimin politik të tre figurave qendrore të tranzicionit politik tridhjetë vjeçar asgjë nuk është më si më parë në realitetin tonë politik. Jemi përballë një ekuacioni që vetëm ata që po e drejtojnë mund të kenë informacion për lëvizjen e radhës.
Gjithsesi, edhe pse e ardhmja ka shumë të panjohura ka diçka që tashmë është bërë tepër e qartë. Goditja që po merr establishmenti i korruptuar politik është e pakthyeshme dhe është pjesë e një strategjie anti-korrupsion që po drejtohet drejtpërdrejtë nga SHBA.
Ky qëndrim i Amerikanëve riafirmon edhe njëherë atë që pothuajse është kthyer në refren të deklaratave të zyrtarëve të lartë Amerikanë, angazhimin e SHBA për mbështetjen e reformave politike thelbësore për institucionet demokratike të Shqipërisë dhe përdorimin e goditjeve të tilla për të promovuar përgjegjësinë për njerëz të korruptuar.
/Liberale.al/