Sociale

Operacioni nuk e shpëtoi nga vdekja/ Babai rrëfen sesi humbi foshnjën 9 ditëshe, për shkak të mungesës së aparaturave në QSUT

Shkruar nga Liberale
Operacioni nuk e shpëtoi nga vdekja/ Babai rrëfen sesi humbi

Vdekja e një tjetër foshnje iu shtohet atyre të dy rasteve të publikuara këto ditë në media, ku prej një jave flitet për vdekjen e një 3-vjeçari që iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për mbushjen e dhëmbëve dhe dhëmballëve.

Rasti është bërë publik nga gazetarja e kronikës së zezë, Klodiana Lala e cila tregon se miku i saj ka humbur foshnjën 9 ditëshe, për shkak se mungonte një apartaurë në QSUT. Djali ka lindur me probleme në zemër dhe duhet t'i nënshtrohej një operacioni, por në Shqipëri nuk siguroheshin kushtet e duhura. Pas sorrollatjes së babait për gjetjen e ilaçit të kërkuar në mënyrë private, mjeku Altin veshti ka marrë përsipër operacionin për të porsalindurin. Por mungesa e aparaturave për shkarkimin e urinës, duket se ka sjellë vdekjen e fëmijës. Rasti ka përfunduar në prokurori, pas kallëzimit të prindërve.

Më poshtë sjellim një copëz të historisë së rrëfyer nga babai për gazetaren.

“Djali lindi mirë. I shëndetshëm (me tregon foton, një bebe me flokë të zinj). Se ke idenë çfarë gëzimi përjetuam. Edhe nusja ishte mirë. Problemet nisën 4 orë pasi lindi. Filloi të nxihej te buzët”, më tha.

Këto detaje ia kishte shpjeguar edhe prokurorisë. “Unë kallëzuesi dërgova bashkëshorten time në spitalin Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë për lindje të planifikuar me operacion më datë 13 gusht 2023. Në orën 11.35 fëmija lindi. Lindja shkoi shumë mirë dhe fëmija lindi me poshtë 3950 kg. Rreth orës 20:00 u konstatua se fëmija ka probleme me oksigjenimin. Fëmijën e dërguan në ambjentet e reanimacionit ku iu vënë ekzaminime të mëtejshme”, kallëzon ndër të tjera Afrimi.

Këtu nis edhe kalvari i vuajtjeve për të.“Mjekët na thanë që kishte një problem ne zemër”, tregon ai. Por duke qenë se materniteti nuk kishte as mjekë specialistë dhe as aparaturat përkatëse, u planifikua që të kryhej kontrolli më datë 14 gusht pranë Spitalit Pediatrik në QSUT”, tregon ai.

Pas kontrollit, mjekët e informuan Afrimin se duhej bërë ndërhyrje e menjëhershme kirurgjikale koronare për zgjerimin e venave me qëllim lehtësimin e qarkullimit të oksigjenit në trupin e fëmijës.

“Ndërhyrja duhej të bëhej sa më urgjent. Çdo sekondë që kalonte mund të rezultonte falale për jetën e djalit. Mjeku më tha që në spitalin tonë nuk kemi mundësi të bëjmë këtë lloj ndërhyrje për shkak se nuk disponojmë as sallë operimi për fëmijë, as mjekë specialistë dhe as ilaçet e nevojshme për ta trajtuar këtë rast”, rrëfen më tej ai.

U trondita – thotë Afrimi – duhet të bëja çmos ta shpëtoja tim bir.

“Duhet ta gjeja ilaçin që mungonte në spital. Bëhej fjalë për ilaçin Alprostoglandinë. Edhe mjekët e maternitetit më thanë që nuk e kishin këtë ilaç. Mund të gjendej vetëm të spitali Amerikan. E kërkova gjithandej nëpër farmaci dhe në fund shkova të Amerikan 3. Ilaçi kushtonte 20.700 lekë një ampulë. Unë kisha vetëm 300 mijë lekë të vjetra. Mora vetëm një flakon dhe ika, t'i zgjasja dhe disa orë jetë djalit. Më duhet të gjeja lekët e tjera”, rrëfen më tej Afrimi.

Më thanë dërgoje ne Itali – thotë me ofshamë – por unë nuk kam mundësi financiare. “Bëj punë të ndershme. Mbaj familjen. Kam 30 vite që paguaj taksa”, shpjegon.

Për shkak të mungesës së ndërhyrjes koronare dhe mostrajtimit me ilaçe, djali filloj të nxihej në fytyrë.

“Siç të tregova ilaçin e sigurova privatisht dhe djali filloi të bëhej me mirë. Mjekët më thoshin: shih ndonjë mundësi ta dërgosh jashtë, për këtë se arrija dot. Djali u trajtua me ilaç deri më 22 gusht. Përmes disa të njohurve të mi, u informova se në Shqipëri ishte një mjek i specializuar për ndërhyrje të tilla. Ishte mjeku Altin Veshti. Bisedova me të. Ai e mori përsipër ndërhyrjen, por më tha që as tek Kardio-Kirurgjia nuk disponohen mjetet e duhura dhe sallat e operimit për ndërhyrje kirurgjikale për beben. E transferuam djalin urgjenca e Pediatrisë. Edhe aty e dërgova vetë ilaçin se nuk e kishin. Duke qenë se s’kishte salla operimi për foshnja, djalin vendosëm ta transferojnë për operim te spitali I Kardiologjisë, për personat madhorë”, shpjegon më tej Afrimi.

Ai tregon se transferimi në Kardiologji, paraqiste risqe të mëdha, përderisa ekzistonte risku që djali të merrte infeksione operatore nga salla e të rriturve. “Nuk kisha zgjidhje tjetër. E futa djalin në operacion. Zgjati 5 orë. Doktori na tha se ndërhyrja rezultoi me sukses dhe se duhet të prisnim për të parë ecurinë. Të nesërmen u bë kontrolli dhe dukej sikur gjithçka po shkonte mirë, por nisi problem me urinimin”, tregon.

Mjeku na tha që duhet të urinonte patjetër në mënyrë që trupi i fëmijës të pastrohej – thotë Afrimi – por mjeket na thanë që spitali nuk dispononte aparaturat e duhura që të bënte shkarkimin e veshkave. “Kjo solli rëndimin e gjendjes së tij dhe djali po rëndohej gjithmonë edhe me shumë. Filloi të fryhej dhe këmbët filluan ti nxihen. Kjo gjendje zgjati deri në orën 05.00 të mëngjesit të 25 gushtit. Djali ndërroi jetë”, kujton mes lotësh. Për Afrimin, djali ndërroi jetë se nuk mori trajtimin e duhur.

“Por unë jam qytetar i rregullt e paguaj taksa”, thekson ai.

“Unë dhe bashkëshortja ime, kemi pothuajse 30 vite që paguajmë kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore. Kemi dhënë gjithë këto vite kontribute në buxhetin e shtetit, që kur te kishim nevojë siç patëm në këtë rast shteti shqiptar nëpërmjet shërbimit shëndetësor të na ofronte shërbimin e duhur mjekësor dhe jo ta linin djalin tonë të vdiste me argumentin se nuk kemi mjetet e duhura për ta trajtuar. Djali jonë u diagnostikua me problemin shëndetësor, transpozicion të enëve të mëdha të zemrës, e cila nuk ishte sëmundje e pashërueshme, por problemi shëndetësor kërkonte trajtim urgjent”, thuhet në padi.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH