Aktualitet

Operacioni 'Flakë në det’/ SPAK sekuestron restorantin ‘Royal Blu’ të nipit të Gëzim Çelës, 4 gomone, makina e mijëra euro

Shkruar nga Liberale
Operacioni 'Flakë në det’/ SPAK sekuestron restorantin

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive, me dyshimin se personat nën hetim që zotërojnë këto pasuri, kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal dhe kanë konsumuar  elementët të veprave penale.

Sekuestrimi i pasurive, mes të cilave përfshihet një restorant në Patok, disa automjete, disa gomone dhe mijëra euro, vjen fill pas operacionit policor të koduar "Flakë në det", i cili vuri në pranga shefin e komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, i cili lëvizte me makinën e policisë të ashtuquajturin “baron i drogës”, të kërkuarin Gëzim Çelën, dhe anëtarë të tjerë të grupit.

Në njoftimi e SPAK, ndër të tjera thuhet: "Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rezulton se ka dyshime se personat nën hetim G. Ç., R. G., A. D. duke bashkëpunuar me A. I., A. M., N. Ç., B. B., K. P., K. B., A. P., D. M., me detyrë Shef i Komisariatit Kurbin dhe persona të tjerë të paidentifikuar akoma, në formën e një grupi të strukturuar kriminal kanë konsumuar elementët e veprave penale të ‘’Trafikimi i narkotikeve’’, ’’Pastrimi i produkteve te veprave penale’’, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, ’’Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’’, parashikuar nga nenet 283/a,287,333/a,334, 278 të Kodit Penal.

Gjithashtu pas të dhënave të administruara gjatë hetimit për pasuri të përfituara nga të ardhurat e aktivitetit kriminal, është regjistruar procedimi pasuror nr.14/2023 dhe në kuadër të këtij procedimi pasuror, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.27 datë 09.10.2023 ka vendosur sekuestrimin e pasurive si më poshtë:

1. Shoqëria “Royal Blue” Sh.p.k, e themeluar në datë 26 Tetor 2022 me administratore dhe ortake të vetme me 100% të kuotave shtetasen M.Th. me objekt aktiviteti Bar Restorant dhe adresë Lezhë, Laç, Qarku Lezhë, Bashkia Laç, Njësia administrative Fushë-Kuqe, Fshati Patok, Pasuria nr. 1759, Zona kadastrale 1673;

2. Automjet i markës Volkswagen, modeli Golf viti i prodhimit 2020 ngjyrë e bardhë me targë, në pronësi të N. Ç.;

3. Automjet i markës Audi, modeli Q8, viti i prodhimit 2018, ngjyrë e bardhë, në pronësi të N. Ç.;

4. Automjet i markës Audi, modeli A8, viti i prodhimit 2017, ngjyrë gri e errët, në pronësi të shtetasit A. I.;

5. Automjet i markës Wolkswagen, modeli Golf, viti i prodhimit 2015, gjyrë gri, në pronësi të shoqërisë “Ayla” shpk.;

6. Mjet lundrues tip Gomone, me ngjyrë gri, me gjatësi 9 m dhe gjerësi 2.7 m, me tre motorë me ngjyrë të zezë, të markës Yamaha 350 V8;

7. Kartëmonedha të prerjes 50 euro, 200 copë, sekuestruar shtetasit A. I.;

8. Shuma monetare 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) Euro, 500 (pesëqind) paund britanik, 50 (pesëdhjetë) franga zvicerane dhe 2 344 500 (dy milion e treqind e dyzetë e katër mijë e pesëqind) lekë, sekuestruar shtetasit N. Ç.;

9. Mjet ujor Zip, gomone me gjatësi rreth 7 metra, me 1 motorr ‘entrobord’, tip Ratox me numër M6237725, ngjyrë e zezë e vendosur në karrelin me numër ROMA86/52;

10. Mjet ujor tip gomone me ngjyrë gri me mbishkrimin AKUILA NERA SEM, me 1 motorr tip SUZUKI, me fuqi 150 hp me numër 02/0z/580020;

11. Mjet ujor tip gomone, ngjyrë e zezë me gjatësi rreth 10m me mbishkrimin “G-RS”, me 2 motor tip Suzuki me fuqi 300 hp secili me numra 3000ZP – 245968 dhe 3000ZP – 245/92.

Hetimet lidhur me këtë procedim penal vazhdojnë me qëllim evidentimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH