Opinion

Preç Zogaj: Ekzekutivi shqiptar është pajtuar me korrupsionin, presin tërheqjen e SPAK

Shkruar nga Liberale

Preç Zogaj: Ekzekutivi shqiptar është pajtuar me korrupsionin,

Preç Zogaj, President i Institutit Liberal Pashko, i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, duke komentuar raportin e paraqitur nga kreu i SPAK, Altin Dumani në Komisionin e Ligjeve, tha se Dumani nuk ka ngritur shqetësimin për mosbashkëpunimin me Policinë e Shtetit, përkundrazi e ka evidentuar si një institucion që ka bashkëpunimin më të shumtë, krahasuar me institucionet e tjera.

Zogaj tha se bashkëpunimi i Policisë me krimin tregon një shkallë të lartë të degradimit të institucioneve, pasi kemi të bëjmë me një institucion që duhet të luftojë krimin dhe bëhet palë me të.

“Nuk është hera e parë që eksponentë të Policisë së Shtetit bashkëpunojnë me krimin, është një dukuri që ndikon shumë negativisht në luftën ndaj krimit. Por duhet thënë se korruptimi i disa shefave të policisë është pjesë e atij korrupsionit kapilar që ka përfshirë institucionet në tërësi”, tha Zogaj.

Sipas tij nëse SPAK nuk do të godiste, ne nuk do të mësonim se çfarë po ndodhte, deri ku shkonin lidhjet, kush janë personat e përfshirë.

Ai tha se ka besim në punën e SPAK, edhe pse ka një goditje nga deputetë të opozitës ndaj këtij institucioni, duke e konsideruar si të kapur nga Edi Rama.

“Ministra po hetohen ose pritet të hetohen, përgjegjësia politike është konsumuar. Kemi një korrupsion kapilar në qeverinë e Ramës dhe ai është përgjegjës. Burimi kryesor i korruptimit masiv dhe korrupsionit kapilar është qasja propagandistike në qeverisje, sepse kjo propagandë prodhon mburojën për korrupsionin”, tha Zogaj.

Duke komentuar takimet e Edi Ramës me emigrantët, Zogaj tha se të tilla takime janë bërë edhe më herët, pasi kjo pjesë e shoqërisë me remitancat që kanë sjellë në Shqipëri kanë arritur edhe 30% të PBB-së.

“Rama duhej të falënderonte emigrantët, duhej të falënderonte edhe vendin fqinj se ka pritur mbi gjysëm milioni shqiptarë. Takimet duhet të bëhen, por duhet të sqarohet sepse po i bën. Nga takimi në Greqi u duk sikur Kryeministri shkoi t’i thoshte ngrijeni kokën lart me Shqipërinë, ndërkohë që me këtë Shqipërinë e mrekullueshme nuk po mbetet njeri”, tha Zogaj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH