Opinion

OPINION nga Namir Lapardhaja:"Rithemelimi” zgjodhi që të njihet nga Rama, jo nga qytetarët

Shkruar nga Liberale

OPINION nga Namir Lapardhaja:"Rithemelimi” zgjodhi që të

Nga Namir Lapardhaja

Pavarësisht thirrjeve për përmbysje, për revolucion dhe për ardhje të shpejtë në pushtet, në fund të këtij rrugëtimi të parrugë, Sali Berisha zgjodhi të ulet në pazar me Edi Ramën.

Nëpërmjet Gazment Bardhit, ai duket se ka arritur “fitoren” e parë.

Në këmbim të njohjes “de facto” nga pushteti, ka tradhëtuar kauzën e demokratëve dhe praktikisht i ka lënë ata sërish rrugëve.

Minimalisht, edhe për një 4-vjeçar tjetër.

Ndonëse thërrasin sërish për fitore, ashtu siç kanë bërë pas çdo humbjeje, perceptimi publik është i qartë.

Përballë Sali Berishës dhe çetës së tij të çakorduar, ku të gjithë të dytët e perceptojnë veten si të parë, Edi Rama është përjetësisht në pushtet.

Amoraliteti shtohet edhe më tej, kur ata që thërrasin sot për “politikë”, deri dje kanë akuzuar PD-në zyrtare për pazar dhe si të marrë peng.

Nëse do kishin një fije burrëri dhe ndershmëri, duhet të dilnin dhe t’u kërkonin falje kolegëve të tyre, ose nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, të paktën, të pranojnë publikisht se, sipas mësimeve të Sali Berishës, kur ulet “Rithemelimi” me Ramën, është politikë, ndërsa kur ulet PD dhe Basha, është pazar.

Nëse e pranojnë këtë rregull, gjysma e së keqes në raportin e tyre me veten dhe të vërtetën.

Ndonëse, nga njëra anë këto duken ditë aspak të mira për demokratët, kjo lojë e pistë e trashëgimtarëve dhe ruajtësve të mendësisë “ramiziste” në politikën shqiptare, duhet t’i shërbejë Partisë Demokratike dhe drejtuesve të saj që sa herë të kenë propozime që i mendojnë të mira për shqiptarët, nuk kanë pse ulen as me Ramën as me dikënd tjetër, por t’i drejtohen sa më parë qytetarëve shqiptarë, nga veriu në jug, në një fushatë për të shpalosur alternativën e saj, si një përpjekje për ta çliruar vendin nga pengmarrja e një klase politike, që ka rënë dakort për të bërë sikur zihen me njeri-tjetrin dhe në fund për të bashkëpunuar kundër drejtësisë dhe njerëzve, vetëm për të ruajtur monopolin dhe paprekshmërinë.

Në gjithë këtë përpjekje, Partia Demokratike ka treguar se është e vetmja forcë përballë një sistemi të mbyllur, që përbëhet nga vjeturinat e ngelura të tranzicionit, nga e njëjta oligarki që investon te palët për të vjedhur shqiptarët dhe nga bashkëpunimi me botën e nëndheshme dhe të errët të krimit, që mbështesin palët për të ruajtur paprekshmërinë e tyre.

Rruga nuk është aspak e lehtë, por panorama është e qartë dhe aleanca që duhet të thellojë Partia Demokratike duhet të jetë ajo me njerëzit, si e vetmja mënyrë për ta çliruar Shqipërinë nga pengmarrja.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH