Opinion

OPINION nga Federico Rampini: Aleanca e brishtë e ndërmjet XI dhe Putinit

Shkruar nga Liberale

OPINION nga Federico Rampini: Aleanca e brishtë e ndërmjet XI dhe

Nga FEDERICO RAMPINI

“Keep on Rockin’ in the Free World” ka kënduar sekretari i Shtetit Antony Blinken, duke shoqëruar me kitarrë në një bar të Kievit. Por ajo copë klasike e Neil Young është më pak optimiste nga sa mund të duket nga tituli. E kompozuar më 1989, ndërsa shëmbej blloku komunist i zotëruar nga Bashkimi Sovjetik e Amerika fitonte luftën e ftohtë, ajo këngë ishte, mbi të gjitha një autokritikë  për të këqijat e shoqërisë amerikane. Edhe atëherë, në majën e prestigjit tonë botëror, këndonim “kundër” vetvetes.

Tridhjetepesë vite mbas rënies së Murit të Berlinit, “bota e lirë nuk po vallzon rokun”, comenton Washington Post. Shfaqja e Xi Jinpingut që në kuptimin e vërtetë të fjalës përqafonte Vladimir Putinin – një paraqitje dashurie e pazakontë  për udhëheqësin solemn kinez – don të shprehë  veçimin e Perëndimit. Vizita e gjatë e Putinit në Republikën Popullore ka çimentuar Boshtin që nuk ka asnjë logjikë ekonomike: shkëmbimi i mallrave ndërmjet Kinës dhe Perëndimit vlen gjashtë herë t’atij me Rusinë. Ndërmjet atyre të dyve ngjitësja është shumë më e fuqishme se sa interesi lëndor: neveria për “botën e lirë” e synimi për të shpejtuar rënien tonë, të vërtetë apo të supozuar që të jetë.

Boshti Xi-Putin ka shumë kundërshti dhe brishtësi. Por duhet konstatuar dukja: një pjesë e mirë e botës është në anën e tyre, ndoshta edhe për armiqësinë e përbashkët kundrejt nesh.

Shih përparimin e Rusisë n’Afrikë, që vazhdon edhe në këto javë (e i bën disi të vonuara disa nisma të reja si Planin Mattei). Nixheri është i fundit i një sëre të gjatë të regjimeve të grushteve të shtetit që kanë vendosur të përzënë ushtarakët amerikanë. Me gjithë problemet ekonomike që krijoi me mësymjen e Ukrainës, Putini arrin të shtriijë ndikimin e tij ushtarak n’Afrikë, Vënd mbas Vëndi, në sajë të Grupit Wagner. Franca është e rrethuar nga marrëzi kundër-koloniale madje planetare. Nuk mjaftojnë ish kolonitë e saj afrikane që e urrejnë dhe e kundërshtojnë, tani vihet edhe Kaledonia e Re në Paqësor të ngrihet kundër Parisit. Dukuria e hedhjes poshtë të Perëndimit është botërore.

Anekdotë vetiake: në një udhëtim të fundit në Porto Riko, territor SHBA, por jo i barazuar plotësisht me 50 Shtetet e tjerë të Bashkimit, dëgjova se ndërmjet të rinjve rritet përqindja (edhe se në pakicë) e atyre që do të donin pavarësinë e plotë. Të infektuar nga dogmat e shesheve universitare amerikane në kontinent, a nuk shohin se përkatësia në Komonuelthin amerikan i ka shpëtuar nga fati i Haitit apo të Kubës?

Ende Perëndimi nuk ka marrë masat e duhura kundrejt problemit, se sa është urgjente të rimerret nisma e Jugut të Madh për t’u a hequr ata XI-së e Putinit. Tragjedia e Gazës ka rënduar humoret kundër-amerikanë e kundër-perëndimorë ndërmjet shumë Vendeve të Jugut, jo vetëm myslimanë: n’Azi, Afrikë, Amerikën Latine, shumë rigjejnë atë shpirtin e “botës së tretë” që, në vitet Gjashtëdhjetë e Shtatëdhjetë  i dorëzoi ata propagandës sovjetike ose maoiste apo kastriste. Një hop mbrapa në të shkuarën. Si atëherë, Perëndimi vallzon rokun duke u vetëfshikulluar e duke shprehur tmerr për vetveten. Dje Ernesto Galli della Loggia me të drejtë ka vërejtur se problemi fillon me vetë neve dhe indoktrinimin e dhënë të rinjve tanë. Psikoterapistët na mësojnë se nëse nuk ke asnjë thërrime vetëvlerësimi, nëse luan me poshtërimin e shkatërrimin, është e vështirë që të tjerët të të respektojnë. Ajo që bota mendon për ne  është përfundim i një praktike të gjatë vetë-shkatërrimi, në të cilin jemi përshkruar  si qytetërimi më i rrezikshëm i historisë njerëzore, duke nxirë dy shekuj të historisë së përparimit.

Por kuadri është më pak rrënimtar se sa duket. Të marrim përqafimin e XI-së e të Putinit. Një studjues rus që drejton në Berlin Carnegie Russia Eurasia Center, Alexander Gabuev, ka përshkruar përdhunimin e kulturës e të historisë së popullit të tij, që Putini kryen n’emër të nënështrimit ndaj Kinës. Rusët papritmas blejnë vetëm “made in China”, bëjnë pushimet në Kinë, i shkruajnë fëmijët në shkollën e gjuhës mandarine. Është një përpjekje për të shrrënjosur shekuj prirjesh evropiane në zakonet e në kulturën ruse. Paraqitja e botës që i kundërvihet Perëndimit një “koalicion i gjithë të tjerëve” davaritet sapo vërehet se çfarë ndodh në afërsi të perandorive autoritare. Jo vetëm Ukraina, edhe shoqëria civile në Gjeorgji është në luftë kundër detyrimeve të Moskës. Jo vetëm Taivani, edhe Filipinet mobilizohen për t’u mbrojtur nga ekspansionizmi agresiv i Xi Jingping-ut.

Përsa i përket të rinjve tanë: nuk i japim të drejtën nëse i njëjtësojmë të gjithë me rradhët pro-Hamas që djersitin urrejtje kundër Perëndimit. Këtu n’Amerikë  faqja tjetër e botës rinore është një shpërthim i krijimtarisë teknologjike e sipërmarrësie: mosha nën 29 vjeçe, e puthur nga punësimi i plotë, shpreh një përqindje të rinjsh që drejtojnë start-up. Janë talentet e rinj që projektojnë etapat e ardhëshme të inteligencës artificiale, një sektor në të cilin Amerika ka fituar drejtimin botëror. Do të ishte jo bujare të përcaktohej ajo pjesë e brezave të rinj si “shumicë e heshtur”. Nuk janë aspak të heshtur në laboratorët e kërkimeve e në këshillat e administratave ku punojnë. Mes tyre një kuotë janë talente të importuar, vijnë nga Jugu i Madh që “voton me këmbë”: vijnë në Amerikë sepse besojnë në lirinë e sipërmarrjes e në ekonominë e tregut. Ideja e tyre e Perëndimit, kaq e ndryshme nga ajo e Putin-Xi, meriton vëmëndje.

“Corriere della Sera”, 18 maj 2024

Përktheu Eugjen Merlika 

Poll
SHQIPENGLISH