Opinion

Opinion nga Ernesto Galli Della Loggia: Armiqësia që plagos Perëndimin

Shkruar nga Liberale

Opinion nga Ernesto Galli Della Loggia: Armiqësia që plagos

ARMIQËSIA QË PLAGOS PERËNDIMIN

ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA

Ka një pa-arsyeshmëri të tërbuar në manifestimet me të cilët nga San Françisko në Paris mijra të rinj perëndimorë po pushtojnë universitetet e sheshet për të vërtetuar mbështetjen e tyre për çështjen palestineze. Është e njëjta që, pjesërisht, po shohim në “Intifadën studentore” edhe n’Itali. Është një pa-arsyeshmëri e vendosur të mos i japë as më të voglin kujdes arsyeve të Izraelit. Për ta bota fillon sot: ndodhitë historike – që nga protektorati britanik deri në vendimin e OKB të vitit 1947 mbi lindjen e dy Shteteve, nga refuzimi i menjëhershëm i këtij vendimi nga ana e arabëve deri në serinë e gjatë të luftërave të njëpasnjëshme – gjithshka është injoruar,  gjykuar e parëndësishme  mjaft që të shprehej vetëm e sidoqoftë ajo që është e ngutëshme në shpirtërat e atyre të rinjve: nevoja për të përbindëshuar Izraelin e për t’u vërsulur kundër tij duke e shënuar me gisht si një përqëndresë  shpirtligësish.

Por nëse synimi i vërtetë mos të jetë në të vërtetë ai që çirret në kupë të qiellit, nëse nuk do t’ishte Izraeli, por një tjetër?

Lëvizjet e të rinjve  gjithmonë, në fund janë të drejtuar kundër babait. Kundër komandës së tij që detyron bindjen ndaj normave e roleve të shoqërisë, që paraqitet detyrimisht si një lloj tredhjeje të dëshirës seksuale ose të plotfuqisë së bijve. 68-ta mëson. Por me përjashtim të pak grupeve, bijtë kryengritës të atëhershëm  frymëzoheshin sigurisht nga ide, libra, miklime. Megjithëse vendoseshin në kundërshti të rendit qenësor, ishin pjesë integrale e pasurisë kulturore ideologjike të botës së etërve. Marksi, Frojdi, Marcuse, Foucault, Laing, Niçe, Lévi-Strauss mund të viheshin më së miri n’atë që mbas njëzetë vitesh Allan Bloom do t’a quante “Kanuni perëndimor”. E njëjta gjë, në një farë mënyre mund të thuhej edhe për Leninin, madje edhe për Stalinin.

Ndërsa ai që është e ri dhe i jashtzakonshëm është fakti – në mënyrë shëmbullore i dukshëm në universitetet amerikane – që kryengritja rinore kundërizraeliane e sotme jo vetëm nuk shkërben asnjë lloj norme kulturore, aq më pak perëndimore, asnjë tekst, asnjë libër, por prapatoka e saj qëndron e gjitha në një fushë programatikisht e rrënjësisht armiqësore ndaj Perëndimit si i tillë. Në thelb protagonistët e saj e përdorin Izraelin thjesht si një simbol, si një dash për kurban. Sulmojnë Izraelin për të shprehur mospranimin e tyre kundrejt Perëndimit, historisë së tij, vlerave të tij, themeleve të antropologjisë së tij – që nga rendi i dyshgjinisë tek prindëria e themeluar mbi praninë e një burri e të një gruaje.Për secilën nga këto gjëra vihet nën padi karakteri i pandehur gënjeshtar, shtypës.

Në të vërtetë, pra, ajo që lajmërojnë manifestimet e gjithë këtyre muajve, “Inttifada studentore” e afërt, mijra thirrjet “ Palestine will be free from the river to the sea”, është një ndarje e mundëshme e Perëndimit nga bijtë e tij.

Por nëse ata nuk arrij t’i njoh më, faji nuk është vetëm i tyre. Ndoshta është  edhe i faktit se prej kohësh  në një lloj dëshire vetëshkatërrimi, Perëndimi ka shkuar duke humbur kuptimin e historisë së tij, pra  edhe identitetit të tij. Sepse Perëndimi ka arritur në një pikë në të cilën nuk qëndron më në asgjë. Të gjithë nyjet e lidhura në dhjetëvjeçarë të gjatë po ngecin në krëhër: arsimi dalëngadalë copë copë është tashmë pothuajse i paqënë, zhdukja pasuese e traditës kulturore, ngërdheshja që shoqëron çdo propozim konservator, i barazuar në dy këmbë si një propozim reaksionar; mënjanimi i bashkuar me dënimin e çdo trajte antropologjike të së shkuarës si “e kaluar” e anasjelltas përkrahjen e çdo gjëje të re sepse është e re, edhe se të papërdorur, të çuditëshme, ”eksperimentale”: pastaj fundi i çfarëdo edukimi sentimental të njerëzve, pakuptimësia thelbësore shoqërore e marrëdhënies burrë grua, brejtja e kuptimit të atësisë e të mëmësisë, shthurja e lidhjeve familjare e të bashkësisë, rënia e çfarëdo institucioni, ideje ose politike që synon të projektojë personin  në një përmasë përmbi individuale. A nuk duket në këtë dritë sot Perëndimi? Sigurisht ; edhe shumë të drejta e një mirëqënie e mjaftueshme.

Por çfarë tjetër përtej kësaj? E megjithatë përse Izraeli  atëherë? Përse hebrejtë? Përse të kemi inatin me ta? Sepse në skutat më të fshehura të psikës njihet se si janë gjërat. Sepse hebraizmi rikujton menjëherë një zanafillë: zanafillën. Është prej aty që në një farë mënyre vijmë edhe ne, është aty në një farë mënyre edhe zanafilla e jonë, ajo e Perëndimit. “Shpirtërisht ne jemi semitë”: mund t’a përsërisim edhe neve atë që tha një papë, kur bëhej fjalë për t’i u kundërvënë zotërijve të kryqit të thyer, urrejtës të qytetërimit perëndimor të cilët, jo rastësisht, shihnin tek hebrejtë, pikërisht për këtë, armikun kryesor për të asgjësuar. Bijtë e Perëndimit që për fajet tona nuk duan të njihen më në të që nga çasti që shohin në të vetëm të keqen, e që rebelohen duke dshur t’a shkatërrojnë, edhe ata , megjithë mangësinë që i karakterizon  e nuhasin si janë gjërat. Nuhasin se nëse duhet vërtetë të shpërbëhet Perëndimi, siç duan të bëjnë ata të rinj, duke larguar peshën e një atësie të gjykuar të padurueshme, atëherë ajo atësi duhet goditur në zemër, në burimin e saj. Pikërisht duke u çjerrur vdekje Izraelit, vdekje sionistëve.....

“Corriere della Sera”, 17 maj 2024

Përktheu Eugjen Merlika    

Poll
SHQIPENGLISH