Mazhoranca dhe Rithemelimi disa javë më parë arritën të gjenin një marrëveshje për të votuar amnistinë penale nga e cila përfituan qindra qytetarë që vuanin dënimin e tyre. Deri këtu nuk ka asnjë problem. Amnistia është një akt humanizmi i cili aplikohet në çdo vend demokratik. Problemi është se nga kjo amnisti sipas organeve të drejtësisë dhe mediave përfituan njerëz të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit.
Tashmë ky është një fakt. Ish kryebashkiakë, zyrtarë apo dhe gjyqtarë përfituan nga amnistia e votuar nga marrëveshja e Rithemelimit me PS.
Është e qartë se Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja gënjeu publikun kur dilte garant që askush që ishte dënuar për veprat e korrupsionit nga GJKKO nuk përfitonte nga amnistia. Gjithashtu përfaqësuesi i Rithemelimit Gazment Bardhi gënjeu publikun dhe veçanërisht opozitarët.
Arsyet se përse qeveria votoi një amnisti të tillë janë të kuptueshme. Duke qenë se SPAK po heton njerëzit e saj për korrupsion në një masë të madhe, qeveria dhe pushteti kërkoi të jepte një mesazh për ta. Ishte një mesazh mbrojtje për të gjithë ata që tashmë ngurojnë të hedhin një firmë nga frika se mund të përfundojnë pas hekurave.
Ajo që nuk kuptohet është përse Rithemelimi, një pjesë e rëndësishme e opozitës shqiptare u bë pjesë e këtij mesazhi për të mbrojtur korrupsionin?
Aq më tepër kur korrupsioni është një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare në 34 vite tranzicion. Korrupsioni është një nga arsyet e emigracionit në masë të shqiptarëve, është një nga problemet kryesore që shkakton varfëri dhe ka dëmtuar demokracinë shqiptare. Aq me tepër kur kauza e saj kryesore është denoncimi i korrupsionit. Rithemelimi çdo ditë proteston kundër korrupsionit, por njëkohësisht votoi për amnistimin e tij. Kjo është një sjellje pothuajse skizofrenike politike. Dhe padyshim është një nga arsyet që kur Rithemelimi proteston kundër korrupsionit shumë pak njerëz i bashkangjiten. Sepse të japësh mesazhe të tilla kontradiktore, apo ndryshe të veprosh dhe ndryshe të flasësh, sigurisht që nuk ke moral për ti bërë thirrje njerëzve për tu bashkuar në këtë betejë.
E vetmja arsye që ka bërë Rithemelimi të bashkojë votat me pushtetin për të amnistuar korrupsionin është padyshim një marrëveshje më e gjerë midis pushtetit dhe asaj pjesë të opozitës. Një marreveshje apo një alencë politike kundër SPAK ku akti i parë ishte amnistimi i veprave penale të korrupsionit.
Është e qartë se beteja politike tashmë nuk është më midis të majtës dhe të djathtës, por mes atyre që janë pro SPAK dhe kundër SPAK. Dhe kjo e rithemelimit me pushtetin është një aleancë trasversale për të demotivuar punën e SPAK apo për ta penguar atë. Një aleancë e cila me siguri do të vazhdojë me akte të tjera në këtë drejtim.
Më kot mundohen, asnjë aleancë politike sado e madhe të jetë nuk do të mund të ndalojë atë që është nisur tashmë. Hetimin e njerëzve me pushtet të niveleve të larta të politikës. Tashmë ky është një normalitet që askush nuk mund ta prish më. Politika patjetër që do të mundohet, do të përdorë çdo mjet për ta penguar SPAK, por në fund do të humbasin. Sepse ka ardhur koha që pandëshkueshmërisë ti jepet fund, në Shqipëri. Dhe ata që rreshtohen kundër SPAK dhe pro korrupsionit në fund do të dalin të humbur. Ata që mbështesin oraganin e ri të drejtësisë, herët apo vonë, sado e gjatë të jetë rruga, do të dalin fitimtar politikisht.
Gjithsesi Rithemelimi duhet të japë shpjegime publike se përse bashkoi votat për të amnistuar veprat e korrupsionit. E ka detyrim ndaj opozitarëve që protestojnë çdo javë kundër kësaj qeverie për aferat e saj korruptive. E ka për detyrë ti shpejgojë atyre se përse kauza kryesore opozitare, që është lufta kundër korrupsionit, u tradhtua hapur me votat në parlament të opozitës që ju bashkuan hallit të qeverisë. Sepse nëse se bënë, atëherë kauza kryesore opozitare ka rënë dhe nga kjo përftion vetëm pushteti.