Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Raporti i DASH, mendimi i vërtetë që ShBA ka për qeverinë Rama

Shkruar nga Ervis Iljazaj

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Raporti i DASH, mendimi i vërtetë që

Ka një debat të madh në mediat shqiptare të kohëve të fundit ku theksohet shpesh herë nga njerëzit që bëjnë opinionin publik apo gazetarë të ndryshëm se përse ShBA nuk është kritike me qeverinë Rama apo më keq akoma, se ShBA mban anën e pushtetit dhe është kundër opozitës shqiptare. Ka nga ata që mendojnë se Rama qëndron në pushtet falë mbështetjes se amerikanëve në Shqipëri. Duke shprehur marrëzira të tipit se Rama ka kapur Amerikën, ka kapur në përgjithësi të gjithë aleatët ndërkombëtar të Shqipërisë dhe i përdor për të konsoliduar pushtetin e tij .

Në të vërtetë vetëm një i çmendur mund të mendojë se perëndimi në Shqipëri është kundër  opozitës dhe në favor të qeverisë dhe Ramës në veçanti. Sepse këta njerëz ngatërrojnë shpesh marrëdhëniet diplomatike që një shtet i huaj ka me shtetin shqiptar, i cili në shumë raste përfaqësohet nga kryeministri, dhe atë ata çka mendojnë vërtetë për qeverinë Rama.

Se çfarë mendojnë amerikanët në të vërtetë për qeverinë Rama e tregon qartë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut që është publikuar pak ditë më parë. Në këtë raport theksohet fort korrupsioni galopant i kësaj qeverie dhe të gjitha problematikat, që ai i ka sjellë niveleve të ndryshme të qeverisjes dhe pavarësisë së gjyqësorit.

Nëse lexon raportin vëren të gjithë problematikat që Shqipëria dhe pushteti sot ka. Raportet e DASH janë qëndrime zyrtare në fushat e ndryshme të diplomacisë amerikane për shtete të ndryshme. Dhe mendimi për Shqipërinë është i shkruar e zeza në të bardhë. Nëse vërtetë duam të dimë qëndrimin zyrtar të ShBA, për mënyrën se si qeverisë Rama duhet t’i shikojmë këto raporte të aleatëve ndërkombëtarë, për të kuptuar mendimin e tyre, dhe jo të nisemi nga ndonjë deklaratë diplomatësh apo takime kortizie diplomatike që janë një protokoll dhe brenda marrëdhënieve normale diplomatike midis dy shteteve.

Prandaj i duhet dhënë fund idesë absurde se ShBA mban Ramën me hatër, se po fuqizon pushtetin e tij në Shqipëri apo se është kundra opozitës. Ky është një mendim që shprehet shpesh herë nga ata që kanë pak ose aspak informacion se si zhvillohen marrëdhëniet ndërkombëtare apo se si funksionon diplomacia. Duke bërë kështu, veçse sa mistifikojnë pushtetin e Edi Ramës duke e paraqitur në sytë e opinionit publik si një super njeri të cilin është vështirë ta mundësh politikisht për shkak të mbështetjes ndërkombëtare që ka. Në fakt, këtë narrativë absurde dhe shumë të dëmshme politike e ka krijuar vetë opozita shqiptare në vitet e fundit apo njerëz mediatikë të cilët janë kritik me Ramën. Është një narrativë që ka krijuar mitin e Ramës në dëm të popullit opozitar.

Nëse duan vërtetë të ndërtojnë një retorikë efikase opozitare le të lexojnë qëndrimet zyrtare të ShBA për këtë qeveri siç ishte ku i fundit për të drejtat e njeriut që jep një panoramë të zezë për këtë qeverisje, sidomos për sa i përket korrupsionit, por edhe fushave të tjera.

E vetmja jo  pozitive në këtë raport ishte padyshim organi i ri i drejtësisë SPAK. Ku theksohet përpjekja e tij në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta të politikës dhe disa arritje të rëndësishme, në këtë fushë. Mirëpo as këtë një pjesë opozitës shqiptare nuk mund ta artikulojë dot sepse është në konflikt interesi dhe e konsideron SPAK si një organizatë kriminale.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH