Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Politika shqiptare nuk prodhon më asgjë, drejtësia po

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Politika shqiptare nuk prodhon më asgjë,

Ka kohë që politika shqiptare nuk prodhon më asgjë. Me një pushtet i cili ndihet super i sigurtë edhe për mandatin tjetër, dhe një opozitë që nuk po arrin do të rishpikë vetveten, SPAK mbetet i vetmi institucion që mund të prodhojë politikë në Shqipëri.Duket paradoksale dhe jo normale që drejtësia të ndikojnë edhe në ngjarjet politike, por me sa duket asgjë tjetër nuk ndodh përveç lajmeve nga drejtësia. Tashmë parakalimet e poltikanëve të niveleve të larta para organit të ri të drejtësisë, qendrore apo lokale, janë bërë normale. Çdo ditë ka nga një të akuzuar apo të arresutuar të ri në sferën e politikës dhe pushtetit. Një fenomen që për shqiptarët është toalisht i ri, dhe që është krijuar pikërisht nga SPAK. Por duhet të mësohen, sepse me të gjitha gjasat kjo histori mund të vazhdojë gjatë.

Po të shikosh me kujdes debatet kryesore në media, në politikë dhe të gjitha ambjentet ku diskutohen çështjet publike, kohët e fundit vendin kryesor e zënë pikërisht ato që çështje që vijnë nga drejtësia.

Të gjitha debatet politike për arsimin, shëndetësinë, ekonominë apo për çështje që shqetësojnë shoqërinë shqiptare kanë pushuar se qëni tema kryesore. Fatkeqësisht për Shqipërinë, askush nga palët politike apo mediat nuk po arrijnë ti vënë këto çështje në qendër të vemendjes. Nuk kuptohet nëse kjo ndodh si paaftësi e opozitës, si qëllimshmëri e mediave apo faktorë të tjerë. Por fakt është se debatet mbi arrestimet dhe hetimet e SPAK sot janë në krye të listës.

Sigurisht mund të ketë mendime të ndryshme nëse kjo është drejtësi me regji, drejtësi e kapur nga pushteti apo drejtësi e pavarur dhe e mbështetur nga aleatët ndërkombëtarë, sidomos ShBA. Megjithatë, SPAK ia ka dalë që korrupsionin shqiptar ta vendosë në qendër të opinionit publik. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që korrupsioni në këto nivele të debatohej hapur, të arrestoheshin pushtetarë kaq të shumtë për këtë vepër penale, të përmendeshin njërëz me pushtet të madh si të përfshirë në aferat më të mëdha korruptive të Shqipërisë.

Është folur gjithmonë në media për korrupsionin, por asnjëherë kaq konkretisht. Secili mund të ketë gjykimin e vetë për organin e ri të drejtësisë, por ama një gjë ia ka aritur. Lajmet që vijnë prej tij sot janë politika kryesore e Shqipërisë. Kështu siç është kristalizuar politika shqiptare, pa asnjë ide, pa asnjë dinamikë dhe dialektikë të re, të vetmet lajme që ndikojnë atë janë ato që vijnë nga drejtësia.

Mirë apo keq, sot gjenden pas hekurave ish ministra, ish kryebashkiakë, drejtorë të rëndësishëm të pushtetit lokal dhe njerëz që dikur kanë qenë shumë afër me majën e pushtetit. Me regji ose jo, sot korrupsioni është bërë kryefjala e debateve publike, dhe kjo falë SPAK.

Dhe me të gjitha gjasat, të vetmet lajme që do të vijnë dhe do të ndikojnë politikën edhe në muajt apo vitet në vazhdim do të jenë pikërisht ato që do të vijnë nga drejtësia. Jo më kot lufta e klasës politike të vjetër shqiptare ndaj SPAK ka filluar. Dikush e quan organizatë kriminale, dikush republika e prokurorëve, por qëllimi është pikërisht deligjitimimi i punës së SPAK.

A do tja dalin që të ngadalësojnë hovin e organit të ri në drejtësi apo jo, kjo mbetet për t’u parë. Kushtet, në kuadër edhe të marrëveshjeve politike, janë të gjitha. Dhe dihet fare mirë se sa herë politika shqiptare bashkëpunon fshehurazi, lajme të këqija priten për demorkacinë dhe drejtësinë tonë. Po të shtosh këtu se edhe aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë që e mbështesin SPAK publikisht kanë problemet e tyre më të mëdha.

Po të shtosh se këtë vit ka zgjedhje kudo në vëndet kryesore perëndimore dhe vemendja për Shqipërinë do të ulet, shanset që SPAK të ngadalësojë punën e tij kundër korrupsionit janë të mëdha. Nëse vazhdojnë me këto rimte edhe pse në vështirësi, do të ishte vërtet një shans i madh për të vendosur drejtësinë e munguar 34 vjeçare, të cilët e presin të gjithë.

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH