Edhe pse emisoni Report i Rai 3 është një emison që shfaqet për publikun Italian, nuk ka dyshim se jehona e tij ishte më e madhe në Shqipëri se sa në Itali. Ky emision investigativ nuk është se solli ndonjë gjë të re në raportin e krimit me politikën në Shqipëri, përveçse deklarimeve të Arben Ahmetaj, i filmuar gjatë një darke italiane me verë dhe spageti.
Shumëkush e konsideron Araben Ahmetaj si një pentito, apo ka dhe nga ata që shkojnë më tej, që e konsiderojnë një aset kombëtar për t’u marrë në mbrojtje. Në fakt, këta politikanë që flasin pas pilafit, nuk janë shumë për tu besuar dhe për tu marrë në konsideratë. Edhe për faktin se Arben Ahmetaj nuk është një pentito. Të jesh pentito duhet të bashkëpunosh me drejtësinë dhe të pranosh përgjegjësitë e tua penale, dhe më pas të tregosh shokët. Por Ahmetaj nuk pranon asgjë nga këto. Nuk mund të jesh pentito kur thua unë kam qenë pjesë e një organizate korruptive, por unë s’kam asnjë përgjegjësi, vetëm të tjerët kanë. Që nga ky moment Ahmetaj duhet marrë me rezerva.
Arben Ahmetaj ka patur në dorë paratë e shqiptarëve, ka firmosur fonde apo tendera të cilat sipas vetë deklarimeve të tij kanë shkuar në duart e mafias apo edhe të krimit. Është një njeri, një politikan nga më të papërgjegjshmit që ka patur ndonjëherë politika shqiptare. Dhe nuk duhet aspak ta kthejmë në një hero, por thjesht ta shohim si një politikan që mbart mbi supe mëkate të mëdha të bëra ndaj shqitarëve. Prandaj nëse kërkon vërtetë të ndihmojë Shqipërinë, pas shumë dëmesh që i ka shkaktuar, le të bashkëpunojë me drejtësisë, të pranojë përgjegjësitë e tij penale, të nxjerrë emrat e shokëve, dhe pastaj ndoshta mund të kthehet në një njëri që ndihmon popullin e tij. Por sigurisht që nuk është nga ata. Sepse të ishte i tillë nuk arratisej, por qëndronte këtu dhe përballej me drejtësinë.
A janë të vërteta ato që thotë ai nga arratia? Edhe mund të jenë. Por që kjo qeveri është e korruptuar dhe ka lidhje me krimin, nuk është nevoja të na e thotë Arben Ahmetaj. Atë na i ka thënë SPAK-u me hetimet e tij në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ku në përgjime dalin qartë lidhjet e krimit me pushtetin. Madje në grupin parlamentar të Partisë Socialistë ka patur emra të shumtë që vijnë nga bota e krimit sipas hetimeve të SPAK.
Problemi është se kësaj here për qeverinë dhe Ramën nuk janë ato çfarë thotë Ahmetaj, por sepse ato janë thënë në një televizioon të huaj, i Italisë fqinje. E pikërisht për këtë arsye Edi Rama është angazhuar personalisht. Sepse këto gjëra Ahmetaj i ka thënë edhe në një television shqiptar, por askush se vuri ujin në zjarr.
Edi Rama e di fare mirë që problemi më i madh i tij dhe i qeverisë së tij, është korrupsioni dhe lidhjet e pushtetit me krimin. Këto akuza kanë filluar të qarkullojnë edhe në zyrat e selive diplomatike në Shqipëri. Problemi i Edi Ramës është pikërisht humja e asaj figrue që ai do të përcjellë te ndërkombëtarët për veten tij. Sepse një nga arsyet që qëndron ende në pushtet është edhe mbështetja ndërkombëtare. Problemi i tij nuk është reagimi i shqiptarëve për korrupsionin, sepse në mënyrë të ndryshme votën e shqiptarëve e kontrollon. Problemi i tij është reagimi i ndërkombëtarëve, nëse ai vjen.
E prandaj si çdo politikan që akuzohet për çështje të tilla, dokumentarin e një emisioni të huaj e konisderoi si hedhje balte mbi Shqipërinë, mbi nderin apo mbi flamurin shqiptar. Ky qëndrim, tregon vërtet se Rama është shqetësuar për këtë dokumentar. Asnjë lidhje nuk ka ai dokumentar me nderin apo me baltosjen e shqiptarëve. Emisioni Report i Rai 3, është një emision që çdo javë bënë investigime për korrupsionin në Itali, për mafien apo për abuzime të ndryshme. Me këtë llogjikë, ata hedhin baltë çdo javë për vendin e tyre, Italinë.
Asnjë lidhje nuk ka reputacioni i një kryeministri me reputacionin e një kombi apo një populli. Asnjë lidhje nuk ka respekti ndaj një kombi me respektin apo jo të kryeministrit të tij.
Ai ishte thjesht nëj dokumentar gazetaresk. Sigurisht çdo kanal televiziv ka linjën e tij editoriale. E rëndësishme është që mos të paraqesë gënjeshtra apo të jetë profesionalisht jo korrekt nga ana e deontologjisë gazetareske.
Ato që thuhen në atë dokumentar ndoshta s’janë të vërteta, por është thjesht një punë gazetareske e cila nuk lidhet fare me kombin shqiptar dhe reputacionin e tij. Madje përkundrazi, nëse ato që thuhen janë të verteta dhe vërtetohen, i bëjnë një shërbim shumë të madh shqiptarëve. Por dihet, patriotizmi është streha e fundit e të korruptuarave.