Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Partitë politike janë bashkim në ngjashmëri, jo në diversitet

Shkruar nga Ervis Iljazaj
EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Partitë politike janë bashkim në

Bashkimin e disa deputetëve, rithemelimi po e konsideron si bashkim të opozitës.

E para, ky nuk është një bashkim i opozitës, pasi në Shqipëri për momentin ekzistojnë disa opozita.

E dyta, nuk mund të konsiderohet as bashkim i Partisë Demokratike pasi një pjesë e mirë e elektoratit të saj gjendet sot në pjesën tjetër, atë pjesë e cila sot është jo berishiste dhe përfaqësohet nga Lulzim Basha.

Bashkim do të thotë kur bashkohet elektorati dhe jo disa deputetë të cilët për momentin nuk përfaqësojnë asgjë politikisht. Sepse s’kanë bërë asnjë betejë politike dhe nuk kanë marrë pjesë në asnjë garë brenda të djathtës për të demonstruar që kanë vota. Mund edhe të kenë, por deri tani janë të pa provuar.

Megjithatë, ky ‘’bashkim’’, ka dhe një problem tjetër më thelbësor. Problemi qëndron pikërisht te diversiteti. Një frazë e shprehur nga Gazment Bardhi, pikërisht për të sheshuar disi qëndrimet e tyre të ndryshme që kanë nga mbështetësit e Berishës. Përtej faktit që në këto dy vite kanë akuzuar njëri tjetrin për çfarëdo lloj veprash penale, dhe si me magji këto akuza pushuan menjëherë, ende midis tyre ka ndryshme thelbësore.

Një pjesë e mirë e deputetëve të bashkuar mbështesin SPAK dhe se kanë luftën me drejtësinë, ndërsa Berisha e konsideron atë çdo ditë si organizatë kriminale. Një pjesë e tyre dalin foto me Escobar-in dhe e konsiderojnë Amerikën aleat të tyre të çmuar. Ndërsa Berisha e ka quajtur publikisht si të korruptuar nga Sorosi.  Madje me Sekretarin Blinken që viziton të enjten Tiranën, Berisha është në gjyq ndërkombëtar.

Të jesh me SPAK-un dhe me Berishën njëkohësisht është të tallesh më njerëzit. Të jesh me Amerikën dhe me Berishën njëkohësisht është gjithashtu tallje me njerëzit. Të dyja këto nuk mund të qëndrojnë bashkë. Janë qëndrime aq të ndryshme saqë nuk mund të bashkëjetojnë brenda një partie politike.

Partitë politike, sipas përkufizimit të shkencës së politologjisë janë organizim vullnetarësh me vizion, vlera, identitet , linja dhe qëndrime politike të njëjta. Dhe raportet me drejtësinë e re dhe Amerikën, për politikën shqiptare sot përkufizojnë identitetin, vlerat dhe vizionet e një force politike. Prandaj nëse i ke të ndryshme, nuk mund të qëndrosh në një parti . Për shembull, nuk mund të jesh brenda një partie dhe pro paqes dhe pro luftës, dhe sovranist dhe ndërkombëtarist, dhe me drejtësinë e re dhe kundër saj, dhe konservator, pro familjes tradicionale dhe pro lirisë seksuale.

Të gjitha këto, janë disa vlera dhe parime që përbëjnë frakturat shoqërore, vlerat që garojnë me njëra-tjetrën në një shoqëri mbi të cilat garojnë partitë politike dhe kërkojnë të marrin pushtetin. Këto vlera mund të bashkëjetojnë brenda shoqërisë, por jo brenda një partie. Në të kundërtën, humbet çdo parim i demokracisë dhe i garës brenda saj. Është njësoj sikur brenda një partie të ketë fashistë dhe komunistë në të njëjtën kohë. Gjë e cila është një aberracion politik.

Në fund të fundit demokracia nuk është gjë tjetër, veçse përballja dhe ndeshja e vlerave dhe qëndrimeve të kundërta për çështje thelbësore. Brenda një partie mund të ekzistojnë nuanca të ndryshme, por jo qëndrime dhe linja politike të ndryshme. Në e janë të ndryshme, atëherë dhe partitë janë të ndryshme.

Prandaj bashkimi në diversitet në këtë rast, nuk ka asnjë vlerë dhe përbën një anomali politike e cila nuk çon asgjëkundi. Meqë sipas rithemelimit dhe deputetëve që i janë bashkangjitur qëllimi kryesor është rrëzimi i Edi Ramës dhe nuk kanë rëndësi mendimet, parimet dhe vlerat e përbashkëta, atëherë le të pranojnë në këtë aleancë dhe Partinë Komuniste të Shqipërisë. Dhe kjo parti është në opozitë me Edi Ramën.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH