Lajmi se në ishullin e Sazanit do të kryhet një investim i rëndësishëm në fushën e turizmit solli një diskutim të madh në mediat shqiptare. Në fakt, lajmi nuk u diskutua aq shumë për investimin, i cili siç flitet do të jetë afro një miliard dollarë, por për faktin se pas tij qëndron dhëndri i Donald Trump.
Dhe menjëherë filloi diskutimi më shumë politik se sa ekonomik. Sigurisht që nuk mund të anashkalohej ky detaj i rëndësishëm. Problem me turizmin shqiptar nuk është se do të bëhet ky investim, por sepse nuk ka shumë si ai. Ajo që duhet të diskutohet është nëse ky investim do të bëhet vetëm se investitorët janë njerëz të familjes Trump apo se vërtetë qeveria ka një plan për investime të huaja në turizëm dhe do sjellë këtu firma ndërkombëtare prestigjoze në fushën e turizmit. Sepse është e qartë se pa industri, turizmi shqiptar herët apo vonë do të falimentojë.
Vendet me të cilat kufizohet Shqipëria, Mal i Zi, Greqia, Italia, janë kolosë të turizmit botëror, dhe Shqipëria, e ka pothuajse të pamundur konkurrencën me to. Jo për shkak se kemi më pak bukuri natyrore, por për shkak të politikave që ndjekim ne dhe fqinjët tanë. Turistët e huaj që prekin Shqipërinë, më së shumti e bëjnë atë si pjesë e një itinerari të caktuar dhe jo si destinacionin kryesor.
Nëse duam vërtet që këtë potencial ta kthejmë në mundësi të zhvillimit ekonomik kombëtar dhe t’i bëjmë ballë konkurrencës së vështirë me vendet fqinje, lipset një strategji totalisht e kundërt nga ajo që kemi pasur deri më tani. Mjaft më me idetë bohemiane apo natyraliste të atyre që kundërshtojnë investimet në turizëm me idenë së po shkatërrohet natyra. Sot ekzistojnë të gjitha mundësitë , idetë dhe teknologjitë që të investohet pa shkatërruar natyrën. Kritika apriori i investime në natyrë është një absurditet. Ajo që i duhet Shqipërisë është pikërisht industria e turizmit. Sepse në fund të fundit, turizmi duhet të jetë edhe fitimprurës për një shoqëri të caktuar. Aq me tepër në Shqipëri, që mundësitë e zhvillimit ekonomik nëpërmjet fushave të tjera janë të ulëta.
Turizmi kthehet në industri, jo me plane lokale apo me iniciativa personale të bizneseve dhe operatorëve turistikë, por me një vendim shtetëror dhe një plan kombëtar, i cili ka munguar. Sigurisht që disponibiliteti i investimeve publike është i kufizuar. Mjafton që t’i drejtojmë në sektorë që na i kthejnë shumëfish ato.
Pothuajse asnjë nga multinacionalet e rëndësishme që operojnë në sektorin e turizmit nuk ka shkelur asnjëherë në tokën shqiptare, megjithëse ekzistojnë të gjitha hapësirat e mundshme. Atëherë si shpjegohet ky fakt?
Sipas të gjitha teorive të ekonomisë ndërkombëtare, ku sigurisht janë të vlefshme edhe për sektorin e turizmit, dy janë faktorët që ndikojnë në investimet e huaja. I pari është faktori i tregut: dimensioni i tij, kostot, subvencionet, sistemi fiskal dhe një krah pune që më shumë se i lirë kërkohet të jetë i specializuar.
Gjithsecili mund të japë mendimin e tij se në çfarë niveli Shqipëria i ofron ato. Ky është një diskutim që kërkon më shumë sesa një editorial gazete. Ndërsa, për sa i përket faktorit të dytë që ndikon në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare, ka të bëjë me kontekstin. Në këtë drejtim janë të rëndësishme cilësia e institucioneve, një administratë publike efikase, sistemi i drejtësisë, si dhe korrupsioni.
Andaj, nëse duam që të jemi tërheqës për korporatat ndërkombëtare, të cilat me të vërtetë kanë impakt në zhvillimin ekonomik afatgjatë, të gjithë këta indikatorë duhet t’i kemi në nivelet më të larta se çdo vend tjetër fqinj. Në të kundërt, diskutimet mbi investimet e huaja në Shqipëri do të vazhdojnë të jenë pjesë e konsumit politik të përditshëm dhe jo si një strategji makro për t’i tërhequr ato.
Shumë nga këta indikatorë dukshëm Shqipëria i ka në nivele shqetësuese. Mjafton këtu të përmendim sistemin e drejtësisë, efikasitetin e administratës publike apo krahun e punës, të cilin e kemi vetëm të lirë dhe shpeshherë të pakualifikuar për të kuptuar se përse mungojnë investimet e mëdha ndërkombëtare.
Megjithatë ka dhe një faktor tjetër të rëndësishëm i cili pengon korporatat e mëdha ndërkombëtare në tregun shqiptar. Është pengesa që i ka bërë klasa politike e jona sa herë që është afruar një e tillë. Sepse të kesh në tregun ekonomik korporata të rëndësishme ndërkombëtare, për një politikë miope si kjo shqiptare, do të thotë të kesh më pak ndikim. Korporatat e mëdha vështirë se mund t’i fusësh nën ndikimin e politikës, ashtu sikurse në mënyrë konstante kërkon të bëjë politika etatiste shqiptare.
Megjithëse ekziston një atmosferë pozitive nga mediat e huaja për Shqipërinë turistike, sidomos në vitet e fundit, shteti shqiptar kësaj atmosfere duhet t’i përgjigjet sa më shpejt dhe në mënyrën e duhur nëse vërtet nuk dëshirojmë që Shqipëria të humbë një nga asetet e saj më të rëndësishme, ndoshta, të vetmin të zhvillimit ekonomik.
Edhe këtë vit, si çdo vit, qeveria shqiptare raporton për ndërhyrje dhe problematika që ka zgjidhur, si problemi i mbetjeve e deri tek infrastruktura në shumë prej destinacioneve turistike. Këto janë probleme për t’u zgjidhur, por, që ta kthejmë turizmin në një industri kombëtare, me gjithë kuptimin e fjalës, duhet një ndërhyrje strategjike, që kërkon para dhe investime të mëdha. Që ta kthesh turizmin në një industri është diçka më serioze dhe impenjative sesa problematikat e përditshme që has çdo ditë. Duhet një vendim i madh shtetëror për të orientuar drejt turizmit investimet kryesore.