Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Një këndvështrim kuq e zi dhe jo bardh e zi për vizitën e Ramës në Athinë

Shkruar nga Ervis Iljazaj

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Një këndvështrim kuq e zi dhe jo
Takimi i Edi Ramës në Athinë me shqiptarët që jetojnë atje do të ishte një takim krejt normal dhe pa shumë bujë nëse nuk do të shoqërohej nga deklaratat paraprake të medias dhe politikës greke. Dhe sigurisht, me dashje apo pa dashje, Greqia e faktorizoi këtë takim me sjelljen e saj kundrejt Shqipërisë dhe Edi Ramës personalisht. Dhe siç ishte e pritshme, Edi Rama e shfrytëzoi këtë protagonizëm për të dhënë mesazhet e shumëfishta në fjalimin e tij, por edhe për interest e tij përsonale politike.

Kështu do të sillej çdo politikan pasi kjo është një gjë normale në politike. Problemi me këtë takim nga këndvështrimi shqiptar dhe opinioni këtu tek ne ishte se u gjykua bardh e zi me ekzagjerimet përkatëse, ashtu siç ndodh shpesh herë.

Nga njëra anë ishin mbështetësit e Partisë Socialiste të cilët e panë Ramën si heroin e tyre dhe shpëtimtarin e Shqipërisë. Se në Greqi e pritën në mënyrë madhështore apo si lideri suprem që zgjidhi të gjitha hallet e Shqipërisë, dhe ekzagjerime e folklorizma të tjera si këto që ushqehen nga njërëz me një mentalitet pronvincial dhe idiot.
Nga ana tjetër opozitarët që nuk arritën të gjenin asnjë lajm pozitiv që Kryeministri i Shqipërisë organizon një takim me emigrantët shqiptar që jetojnë në Athinë.

Edhe kritikat e egzagjëruara janë po ashtu boshe dhe nuk i sjellin asnjë kapital opozitarizmit në Shqipëri, sidomos kur bëhët fjalë për ngjyrat e shtetit shqiptar jashtë kufijve tanë. Sido që të jetë, sado opozitar të jesh me Edi Ramën, kritikat dhe gjykimet në këtë rast duhet të ishin të një këndvështrimi të ftohtë dhe të duhur, sepse ndryshe të kthehen në bumerang.

Edhe kësaj here, si shumë herë të tjera, shqiptarët dhe opinioni publik nuk arritën dot të tejkalojnë ndasitë politike të brendshme për politikën e jashtme të Shqipërisë. Takimi i Edi Ramës në Athinë për nga konteksti politik dhe historik, për nga vendi ku zhvillohej në Athinë ku dihet që raportet e Shqipërisë me të janë delikate prej dekadash, ka padyshim arritjet dhe zhgënjimet e veta. Prandaj takimi i Ramës në Athinë me shqiptarët që jetojnë atje duhet analizuar në disa nivele. Dhe pyetja kryesore që duhet të ngrihet është se çfarë solli kjo vizitë për Shqipërinë dhe shqiptarët?

Pikë sa pari vajtja e një kryeministri shqiptar në Athinë ku takon shqiptarët që jetojnë atje është një gjë mëse normale. Madje ky është një takim shumë i vonuar. Në Shqipëri vijnë shumë herë politikanë grekë të cilët takojnë minoritetitn e tyre dhe askush nuk thotë apo kritikon asgjë. Takimet e politikanëve shqiptarë në Greqi për nga numri i shqiptarëve që jetojnë atje dhe nga rëndësia që ka Greqia për ne, por edhe nga afërsia që kemi do të duhet të ishin më të shpeshta.

Për sa u përket të drejtave dhe lirive të shqiptarëve që jetojnë në Greqi kjo vizitë nuk kishte asnjë rezultat. Pasi mbaroi dehja patriotike shqiptarët në Greqi jetojnë po njësoj, kanë po të njëjta probleme si më parë. Në atë takim as nuk u fol fare për kërkesat që ata kishin kundrejt qeverisë shqiptare për kushtet në të cilat jetojnë. Aq e vërtetë është kjo, saqë asnjë emigrant shqiptar në Greqi nuk e mori fjalën në emër të tyre. U duk qartë se kjo vizitë as nuk e kishte si qëllim përmirësmin e kushteve të shqiptarëve që jetojnë atje. Madje për asnjë ofertë konkrete dhe asnjë arsye Kryeministri i Shqipërisë nuk u dha patriotëve tanë atje për t’u kthyer në Shqipëri. E vetmja gjë që bëri ishte përkedhelja e sedrës së origjinës së tyre, gjë e cila patjetër që luan me emocionet, sidomos të atyre të cilët jetojnë jashtë atdheut. Gjuthashtu ajo që mungoi në këtë drejtim ishte pikërisht mosdhënia e llogarisë se përse janë larguar kaq shumë shqiptarë nën qeverisjen e tij.

Ndërsa në aspektin e marrëdhënieve midis dy shteteve takimi padyshim e kishte një arritje. Për herë të parë ndoshta një kryeministër shqiptar ka folur si i barabartë me homologun e tij grek. Nëse ka një notë pozitive nga ky takim është pikërisht niveli ku Rama e futi marrëdhëniet Greqi-Shqipëri, të paktën në aspektin e komunikimit publik. E bëri duke folur për Çamërinë, duke folur për ligjin e luftës që ekziston në mënyrë absurde midis dy shteteve. Këtë gjë e bëri duke treguar edhe forcë midis shqiptarëve që jetojnë në Greqi. Jo më kot u tha atyre që janë zotër të shtëpisë njësoj si grekët. Jo më kot u përmendi shqiptarët me kontribute të rëndësishme historike në formimin e shtetit grek, apo duke përmendur numrin e lartë të shqiptarëve që jetojnë atje dhe faktin që ata janë një faktor i rëndësishmë politik dhe ekonomik. Të gjitha ishin mesazhe për Greqinë, duke treguar rëndësinë dhe ndikimin që shqiptarët kanë atje. Si të thuash, një komunikim me teks dhe nëntekst, ku kërkohej që Shqipëria të konsiderohej si një partner i barabartë.

Pas atij fjalimi, tashmë asnjë temë nuk është më tabu në marrëdhëniet shqiptaro-greke. A do të mjaftojë ky fjalim për të të arritur këtë qëllim, kjo mbetet për t’u parë. Por ama në rrafshin e komunikimit tashmë, Shqipëria dhe Greqia janë në një nivel tjetër.
Ndoshta mbas këtij takimi mundet që marrëdhëniet të përkeqësohen edhe më tej. Kjo varet gjithmonë nga pala greke që siç dihet në raport me Shqipërinë nuk është treguar asnjëherë e drejtë dhe e ka trajtuar atë gjithmonë si një fqinj inferior. Të paktën në aspektin e pretendimeve, Rama i hoqi Shqipërisë kompleksin e inferioritetit në raport me Greqinë

Dhe të gjitha këto, padyshim që do ti përdorë edhe për interesin e tij personal politik duke lujatur me ndjenjën patriotike e cila gjithmonë shet. Mirëpo këtë gjë e bëjnë politikanët normalisht. Ajo që duhet të shohim dhe të gjykojmë ne, është nëse interesat e Ramës në këtë rast përkojnë me interesat e Shqipërisë? Fushata e tij me diasporën është padyshim një fushatë elektorale. Krenar për Shqipërinë do të jetë me shumë gjasa slogani i fushatës elektorale të zgjedhjeve të 2025.
Lartësimi i emrit të Shqipërisë është një temë ku Rama do të luajë shumë në betejën e ardhshme politike.

A do të ndihen shqiptarët krenar për Shqipërinë i Edi Ramës njësoj si ai? Gjykimi në zgjedhjet e ardhshme do ta japë këtë verdikt. Gjykimi i shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, sepse ata të diasporës me siguri nuk do ta kenë këtë të drejtë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH