Pas pesë muajsh bllokim parlamenti, rithemelimi e la revolucionin e tij përgjysmë sepse sipas tyre opozita mori të drejtat kushtetuese, që ajo meriton. Dhe një nga këto fitoret e mëdha ishin komisionet hetimore. Një e drejtë që i mohohej pakicës parlamentare prej shumë kohësh. Dy komisione hetimore ju lejuan opozitës, njëri prej të cilit ka një objekt hetimi të hetuar nga SPAK dhe me të gjitha gjasat parlamenti nuk ka çfarë heton më. I vetmi që ka mbetur është historia e hyrje-daljeve apo ajo e sistemit TIMS.
Problemi qëndron te fakti se me ligjin e ri të komisioneve hetimore parlamenti nuk kryen më hetime, por bënë thashetheme politike. Ligji i ri për komisionet hetimore është padyshim një ligj anti-kushtetues dhe antidemokratik. Është një ligj që nuk ekziston si i tillë në asnjë nga parlamentet e vendeve perëndimore.
Prandaj komisionet hetimore me këtë ligj nuk kanë asnjë vlerë për hetimin juridik dhe politik të një çështje të caktuar. Aq më tepër kanë vlerë për funksionin e kontrollit që parlamenti ka në një republikë parlamentare në drejtim të pushtetit ekzekutiv.
Me ligjin e ri, e para hetimi në shumicën e rasteve bëhet me dyer të mbyllura. Një absurditet politik dhe një rast unik ndoshta në botë. Thelbi i hetimit parlamentar është pikërisht hetimi politik që parlamenti kryen ndaj qeverisë. Dhe hetimi politik nuk mund të jetë asnjëherë sekret, por vetëm publik. Nuk ka politikë që zhvillohet në mënyrë të fshehtë. Të gjithë i kemi parasysh pamjet e komisioneve në Kongresin Amerikan kur për çdo rast ato janë publike dhe me prezencën e mediave. Sepse pikërisht llogaridhënia e qeverisë përpara parlamentit duhet të jetë publike.
Ky është denatyrimi i parë i ligjit të ri që bënë në funksion të hetimit parlamentar. E dyta, është objekti i hetimit i cili vendoset nga shumica, apo në rastin më të mirë në bashkëpunim me opozitën që kërkon një hetim të caktuar. Në fakt, hetimi parlamentar, pra, komisionet parlamentare dhe si pasojë objekti I hetimit është një e drejtë e minorancës. Kështu janë konceptuar komisionet hetimore në të gjitha parlamentet e vendeve demokratike. Ka dhe shume elementë të tjerë që deformojnë komisionet hetimore parlamentare, rolin që ato kanë në një republikë parlamentare, por këto dyja janë më flagrante.
Duke parë këto dy elementë thelbësorë për hetimin parlamentar, praktikisht me ligjin e ri në Shqipëri nuk ekziston më hetimi parlamentar. Komisionet hetimore sot mund të konsiderohen si një interpelancë e intesifikuar ku përfaqësues të pushtetit ekzekutiv do të vijnë përpara komisioneve dhe thjesht do merren në pyetje dhe kaq.
Ky është një dëm i madh që i është bërë demokracisë në Shqipëri, funksionimit të parlamentit dhe rolit që ai ka në Kushtetutën e Shqipërisë në raport me pushtetin ekzekutiv. Një dëm që me vështirësi do të rikuperohet duke patur parasysh se çdo pushtet në Shqipëri shquhet nga dëshira, për të mos qenë i kontrolluar, aq me tepër nga opozita.
Problemi qëndron, se ajo që rithemelimi e quajti si arritje të opozitës dhe zbatimin e të drejtave të minorancës në parlament, nuk është gjë tjetër veçse shkatërrimi i rolit të parlamentit dhe demokracisë në Shqipëri. Prandaj edhe shfaqja e sotshme në komisionin hetimor, të koncesioneve në shëndetësi, ishte një shfaqe teatrale, a thua sikur aty po hetohej vërtet. Kur në realitet thjesht po bëheshin thashetheme të politikës neveritëse shqiptare.