Editorial

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Ligji i ri për Prefektin si vazhdimësi e përqendrimit të pushtetit

Shkruar nga Ervis Iljazaj

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: Ligji i ri për Prefektin si vazhdimësi e

Ligji i ri për Prefektin që po diskutohet në parlament nuk sjell asnjë risi në kuadër të bashkëpunimit efikas të nivele të ndryshme të qeverisjes, siç është ajo qendrore dhe lokale. Gjithashtu nuk është se i jep një rol domethënës Prefektit në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Në thelb, ky ligj nuk është gjë tjetër veçse vazhdimësi e përqendrimit të pushtetit në dorë të qeverisë qendrore.

Një nga propozimet kryesore është ai se me ligjin e ri Prefekti propozon shkarkimin e kryetarit të bashkisë. Një propozim absurd dhe i panevojshëm. E para, sepse kryetari i bashkisë shkarkohet në ato raste që është e përcaktuar qartësisht në ligjin organik të pushtetit lokal dhe nga Kushtetuta e Shqipërisë. Në këtë kuptim kemi një mbivendosje të ligjeve. E dyta, sepse kryetari i bashkisë, është një institucion i zgjedhur direkt nga vota e qytetarëve dhe nuk mund të shkarkohet si pasojë e propozimit nga një institucion i emëruar. Aq me tepër kur aktualisht në Shqipëri me ligjet zgjedhore në fuqi, kryetari i bashkisë është i vetmi pushtet që zgjidhet drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Me pak fjalë, ajo që kërkohet nëpërmjet ligjit të ri të Prefektit nuk është gjë tjetër veçse shtrirja e duarve të pushtetit qendror drejt pushtetit lokal. Në fakt, një nga tiparet kryesore të kësaj qeverie është përqendrimi i pushtetit rreth një godine, asaj të kryeministrisë.

Kjo gjë ka ndodhur në tërësi edhe me Reformën Administrative Territoriale. Një dështim në aspektin e decentralizimit të pushtetit. Gjithmonë e më shumë nëpërmjet ligjeve sektorialë apo ligjeve të ndryshme qeveria qendrore i ka marrë kompetenca pushtetit lokal duke shkuar shpesh herë në kundërshti me ligjin e pushtetit lokal dhe me parimet e decentralizimit të pushteteve, apo me kartën europiane të vetëqeverisjes vendore.

Me idenë se pushteti lokal nuk është i aftë që kryejë mirë detyrat e tij, qeveria qendrore po merr kompetenca gjithmonë e më shumë dhe po centralizon pushtetin. Prandaj, Reforma  Administrative Territoriale e vitit 2015 mund të konsiderohet si reforma e centralizimit dhe jo e decentralizimit.

Është e natyrshme që do të ndodhte kështu, pasi edhe në ato raste kur kjo reformë në shumë sektorë i ka kaluar kompetencat pushteti lokal nuk ka bërë atë që quhet transferimi i autonomisë financiare. Dhe dihet fare mirë që pa mjete financiare autonome, pushteti lokal do të jetë gjithmonë në varësi të pushtetit qendror, ashtu sikurse ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht. Dihet që kompetencat janë të atij institucioni që ka paratë. Dhe paratë i ka qeveria qendrore.

Ky fenomen ka bërë që gjithmonë e më shumë qeveria qendrore të centralizojë pushtetin në shumë sektorë. Prandaj ligji i ri i Prefektit është vazhdimësi i këtij fenomeni. Qeveria qendrore kërkon gjithmonë e më shumë të kontrollojë pushtetin lokal. Këtë  e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë me mekanizma ligjorë, që s’kanë lidhje me decentralizmin dhe demokratizimin e vendim-marrjes. Dhe në ato vende ku nuk ka një pushtet lokal autonom dhe të pavarur, nuk mund të ketë demokraci. Jo më kot vendet që konsiderohen më demokratike në botë, në ditët e sotshme kanë një formë qeverisjeje federaliste apo me autonomi lokale të fortë. Madje, ka disa autorë dhe studiues që pretendojnë se realizimi i demokracisë sipas etimologjisë së fjalës , pra pushteti i popullit, mund të realizohet vetëm në nivel lokal.

Prandaj më shumë se sa një ligj të ri për Prefektin, Shqipëria ka nevojë urgjente për një reformë të re, për funksionimin dhe organizmin e pushtetit lokal. Sepse ajo e vitit 2015, në pjesën më të madhe të saj ka dështuar.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH